Qeverisja e Bashkisë së Tiranës do të ishte më pak e përfolura në media. Në vend të kullave dhe betonit që po pushtonte kryeqytetin, në ekranet e televizioneve kryebashkiaku do të identifikohej me mbjelljen e pemëve.
Pasqyrimin e një realiteti tjetër dhe mungesën e llogaridhënies pa dalë asnjëherë në konferencë për shtyp, Erion Veliaj do ta kontrollonte përmes skemës së interesave ekonomikë për pronarët e mediave të rëndësishme dhe disa portaleve: ku në thelb të kësaj ishin lejet e ndërtimit, tenderat e bashkisë, punësimet e familjarëve të tyre dhe shpërndarja e reklamave nga kompania e vëllait të tij Arbër Veliaj, Gogel shpk.
Fuqia ekonomike e bashkisë Tiranë është e madhe. Vetëm në aparatin e bashkisë rezultojnë 9 mijë të punësuar, ku bashkë me institucionet e bashkisë dhe ndërmarrjet publike që zotëron, numri i punonjësve arrin në 13 mijë.
Kjo organikë e bën institucionin e Bashkisë Tiranë më të madhin sa i takon çdo autoriteti tjetër, dhe të krahasueshëm me numrin e punonjësve në radhët e Policisë së Shtetit, arsimtarëve dhe ushtrisë, të cilët kanë punonjës të shpërndarë në të gjithë vendin.
Një pushtet të madh bashkia dhe e ka te buxheti vjetor, i cili për vitin 2025 kap vlerën 388 milion euro dhe një vit më parë rezultoi 350 milion euro. Që prej nisjes së drejtimit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka menaxhuar afërsisht 3 miliard euro fonde publike.
Lejet e ndërtimit në kryeqytet janë një tjetër pikë që bashkon dhe lidh shumë interesa. Shumë pronarë mediash kanë arritur të përfitojnë nga këto leje në të shkuarën dhe përgjatë drejtimit të bashkisë nga Veliaj.
Por pika më e fortë në kontrollin e mediave, ka qenë firma Gogel, një prej kompanive me buxhetin më të madh për reklamat në Shqipëri. Objekti i firmës është menaxhimi i fushatave të marketingut, komunikimit dhe reklamimit, ku kompani të mëdha ia besojnë buxhetin për shpërndarjen e reklamave kësaj shoqërie.
Arbër Veliaj bleu në vitin 2011 të gjitha aksionet e Gogel shpk, e cila ishte themeluar më parë nga Gentian Zguri dhe Floran Pustina, për çmimin 1 mijë euro. Sipas të dhënave të depozituara në bilancin e shoqërisë, Gogel rezulton në këtë periudhë me një xhiro vjetore në vlerën 106 mijë euro dhe fitim 10 mijë euro.
Në vitin 2012 të ardhurat e kompanisë rezultojnë 50 mijë euro dhe fitimi 5 mijë euro. Në vitin 2013, të ardhurat janë në vlerën 78 mijë euro dhe fitimi 4 mijë euro.
Rritja e menjëhershme e kompanisë Gogel vjen në vitin 2014, kur z.Erion Veliaj kishte marrë postin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Pas këtij viti, të ardhurat për firmën e Arbër Veliaj dyfishohen dhe arrijnë një xhiro mesatare 3 milion euro në vit mes periudhës 2018-2022, në vitin 2023 xhiro shtohet me 2.6 herë për të kapur shifrën 8 milion euro.
Në po këtë vit Arbër Veliaj themelon një tjetër kompani që zotëron Gogel shpk, Gogel Holding me aktivitet në fushën e administrimit të pjesëmarrjeve në kompani të tjera dhe konsulencës teknike, financiare dhe ligjore, e cila ka shënuar një xhiro vjetore që vitin e parë të operimit në vlerën e 1.66 milion eurove dhe një fitim neto 1.65 milion euro.
Në total nga aktiviteti i shoqërive të tij në Shqipëri Arbër Veliaj ka gjeneruar afërsisht 30 milion euro të ardhura në 10 vitet e fundit dhe 4.5 milion euro fitime. Kompania Gogel në pronësi të vëllait të kryebashkiakut Erion Veliaj, është një nga agjencitë partnere që përfaqëson në Shqipëri brandin ndërkombëtar të një prej kompanive më të mëdha të marketingut në botë, Publicis.
Procedura se si një kompani relativisht e re në tregun e marketingut shqiptar, ku pronari i saj është një person i ekspozuar politikisht është bërë përfaqësuese e kompanisë franceze Publicis mbetet mister, por ajo që dihet është se pjesa më e madhe e portofolit të kompanisë Gogel përbëhet nga kompanitë që janë klientë të Publicis.
Afërsisht 60% e kompanive që kanë kontratë për menaxhimin e marketingut me Gogel vijnë si rezultat i marrëveshjes së përfaqësimit që Gogel ka me Publicis. Klientët shqiptarë të kompanisë Gogel janë One Albania, Otp Bank, Intersig, Iute dhe më parë kishte në portofol edhe kompaninë ajrore Air Albania dhe Big Market, ndërsa klientët që vijnë si pjesë e përfaqësimit të Publicis janë Burger King, Coca Cola, Procter and Gamble, Mondelez, Philip Morris, Garnier, Sanofi, Visa etj.
Le të shohim fillimisht lidhjet e binomit politikë – biznes të klientëve shqiptarë të kompanisë Gogel.
Kompania Gogel ka patur në protofolin e saj Air Albania, një kompani e themeluar me iniciativën e shtetit shqiptar, ku vetë qeveria përmes kompanisë publike Albcontrol është aksionere me 10% të kuotave në këtë shoqëri.
Kompania Intersig është një tjetër klient i kompanisë Gogel, ku pronari i saj jo vetëm që ka dhënë pa qira ambientet për qendrën Harabel, por dhe ka marrë përsipër pronësinë e 115 mijë eurove që u gjetën cash gjatë kontrollit në zyrat e bashkëshortes së Erion Veliaj, Ajola Xoxës.
“Gentian Sula sqaron se kontrata e lidhur me Naan Gallery nuk ishte e notrizuar pasi nuk është praktikë e tij që të kryejë kontratë me noter. Ai pohon se qëllimi i dhënies së pronës shtetas Ajola Xoxa ka qenë për organizimin e eventeve artistike. Sa i përket kohës kur kjo pronë është dhënë në përdorim, ai deklaron se nuk e mban mend vitin e saktë, por duhet të ketë qenë në vitin 2021 ose 2022. Megjithëse prona është përdorur për organizimin e eventeve, ai shprehet se nuk ka qenë i pranishëm në asnjë prej tyre. Në lidhje me shumën prej 115 mijë euro të gjetur në ambientet e shoqërisë Partners Laë, Gentian Sula deklaron se kjo shumë i është dhënë si kapar Ajola Xoxës. Ai sqaron se kartmonedhat kanë qenë kryesisht euro, përfshirë dhe dollarë. Shumat monetare ai i ka mbajtur në shtëpi të tërhequra nga bankat ndër vite dhe në pikat e këmbimit valutor. Lidhur me nxitimin për dorëzimin e shumës ai deklaron se kjo ishte për shkak të planit të Ajola Xoxës për të blerë zyra dhe për t’u zhvendosur në ambiente të tjera, ndaj dhe ai ishte i interesuar të merrte ambientet e saj dhe ia kishte dhënë në formën e kaparit,” thuhet në vendimin e gjykatës së shkallës së parë për masën e sigurisë së Erion Veliaj.
Një nga klientët më të mëdhenj të tregut shqiptar të firmës Gogel ka qenë kompania e shpërndarjes së internetit, telefonisë celulare dhe fikse, Albtelecom. Nëse hap të dhënat e Agjencisë së Prokurimit Publik do të rezultojë se Albtelecom përveç të ardhurave që ka siguruar nga aktiviteti në tregun privat, ka realizuar të ardhura dhe nga kontratat në sektorin publik.
Në total Albtelecom ka fituar 51 tendera në 14 institucione të ndryshme me vlerë totale 3.84 milion euro, ku në 17 procedura autoritet kontraktor është Bashkia Tiranë ose institucione në varësi të saj. Në total kontratat me Bashkinë Tiranë të firmës Albtelecom kanë vlerën 3 milion euro dhe përbëjnë 78% të fondeve që kjo kompani ka marrë nga marrëdhëniet me sektorin publik.
Në dhjetor të vitit 2017 Albtelecom lidh kontratën për shërbimin e furnizimit me internet të Bashkisë Tiranë me vlerë 202 mijë euro, ku dy pjesëmarrësit në këtë tender përjashtohen për mospërmbushje të kritereve.
Në mars të vitit 2018 Albtelecom fiton tenderin me vlerë 355 mijë euro për shërbimin e internetit dhe intranetit në Bashkinë e Tiranës dhe institucioneve të varësisë të saj.
Në këtë garë morën pjesë 2 kompani ku njëra skualfikohet dhe fitues shpallet Albtelecom, klient i kompanisë Gogel në pronësi të vëllait të bashkisë së Tiranës. Në vitin 2019 Albtelecom fillon të marrë kontrata me vlera të larta. Në dhjetor 2019 lidhet marrëveshja për shërbimin e infrastrukturës së dedikuar për firbra optike dhe shërbime të dhënash me vlerë 266 mijë euro. Në këtë garë nga 4 ofertues janë skualifikuar 3 pjesëmarrës dhe është shpallur fitues Albtelecom.
Në të njëjtin muaj lidhet dhe kontrata për shërbimin online të monitorimit të trafikut urban, tender me vlerë 242 mijë euro, ku nga dy pjesëmarrës skualifikohet ofertuesi konkurrent për tu shpallur fituese Albtelecom.
Edhe në dhjetor 2020 Albtelecom rilidh kontratën me Bashkinë Tiranë për shërbimin me infrastrukturë të dedikuar optike me vlerë 588 mijë euro, ku sërish ofertuesit janë skualifikuar, 2 prej të cilëve kishin dhënë ofertë më të ulët, me afërsisht 200 mijë euro më pak.
Në shkurt të vitit 2021 Albtelecom është fituese e një kontrate 3 vjeçare me të njëjtin objekt: infrastrukturë e dedikuar optike dhe shërbime data me vlerë 804 mijë euro, ku sërish ofertuesit e tjerë skualifikohen dhe tenderin e fiton ajo.
Në vitin 2022 fiton dhe kontratën për shërbimin e monitorimit online të trafikut me vlerë 210 mijë euro, ku skulaifikohen 2 oferta dhe Albtelecom përzgjidhet fitues.
Pas bashkimit të kompanisë Albtelecom me One Albania dhe pasi One Albania bëhet klient i kompanisë Gogel, këto kontrata fillon t’i fitojë firma e telekomunikacionit One Albania.
Në maj të vitit 2024 One Albania fiton tenderin për shërbimin online për monitorimin e trafikut urban me vlerë 453 mijë euro dhe në shtator 2024 lidh kontratën për shërbimin e infrastrukturës të dedikuar optike dhe shërbime data me vlerë 824 mijë euro.
Gara për kontratën e fundit u hap në korrik të vitit të shkuar dhe morën pjesë 6 kompani, një prej të cilave dha një ofertë 200 mijë euro më të ulët, por pjesëmarrësit u skualifkuan në mënyrë që fitues të shpallej One Albania.
Kompania që dha ofertën më të ulët e ankimoi vendimin e Komisionit të Vlerësimit në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili detyroi Bashkinë e Tiranës që të bëjë kualifikimin e kompanisë dhe të vlerësojë në bazë të ofertës ekonomike.
“Autoriteti kontraktor të anulojë vendimin e KVO-së për skualifikimin e operatorit ekonomik “MC NETWORKING” dhe të korrigjojë shkeljen e konstatuar si më sipër, duke e kualifikuar këtë operator ekonomik,” thuhet në vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik.
Por përkundër vendimit të një autoriteti më të lartë në vlerësimin e ofertave në tender, Bashkia Tiranë gjen një tjetër arsye për të skualifkuar ofertën, duke argumentuar se vlera e ofruar është anomalisht e ulët! Vendimi ankimohet sërish në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili këtë herë vlerëson se bashkia ka zbatuar në rregull procedurat e garës.
Kompania One Albania ka fituar e vetme nga 11 institucione të ndryshme 23 tendera me vlerë 1.64 milion euro, ku 1.3 milion euro ose 80% e fondeve të kontratave publike të saj kanë si burim Bashkinë Tiranë. One Albania ka fituar dhe kontrata të tjera me vlerë 876 mijë euro pranë ndërmarrjeve shtetërore, një pjesë e të cilave me agjenci në pronësi të Bashkisë Tiranë. Edhe kompania Albtelecom në të shkuarën ka rezultuar gjithnjë fituese e tenderit për furnizimin me internet të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, përgjatë viteve 2017 deri në vitin 2021, kontrata që kapin vlerën 290 mijë euro.
Prokuroria e Posaçme është duke hetuar konfliktin e mundshëm të interesit të klientëve të kompanisë Gogel, përfshirë dhe firmën One Albania. Ja se çfarë thuhet në vendimin e Gjykatës për masën e sigurisë së kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Nga hetimet rezulton se klienti kryesor i Gogel është kompania “One Albania” me një total shitjes që arrin në 4.5 milion euro deri më datë 5 qershor 2024.
Nga hetimet evidentohet se “One Albania” ka marrë pjesë në disa procedura prokurimi publik dhe ka arritur të shpallet fituese në disa prej tyre, duke bashkëpunuar kryesisht me qeverisjen vendore Tiranë, përfshirë këtu tenderin me objekt “Shërbimi i infrastrukturës së dedikuar optike dhe shërbimeve data” me një fond limit 744 mijë euro.
Për këtë tender kompania është shpallur fituese më datë 15 tetor 2024 me një vlerë kontrate prej 687 mijë euro. Një tjetër projekt i rëndësishëm ka qenë ofrimi i shërbimeve për monitorimin online të trafikut urban në bashkinë Tiranë. Ky tender me një fond limit me vlerë 416 mijë euro, rezultoi me nënshkrimin e kontratë më 1 nëntor 2024 me vlerë 404 mijë euro.”
Një pjesë e të ardhurave të kompanisë Gogel janë shpërndarë për kompani dhe shoqata të lidhura më bashkëshorten e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Ajola Xoxa. Gogel ka prerë 100 mijë euro fatura për firmën Partner Laë, 74 mijë euro për Ava Studio në pronësi të mamasë së Ajola Xoxës, Valbona Xoxa dhe 20 mijë euro për qendrën Byla, ku Ajola Xoxa rezultonte drejtore kreative dhe sipas dyshimeve të Prokurorisë së Posaçme ishte dhe pronare e kësaj qendre. Gogel dyshohet se priste fatura fiktive për të kaluar para në llogari të firmave që menaxhoheshin nga Xoxa.
“Në komunikimet e zhvilluara mes ish punonjëses së Harabel dhe financieres Adela Kondakçiu, evidentohet vijimësia e marrëdhënies fiktive financiare me kompaninë Gogel, të cilës Ajola Xoxa i faturon një shërbim 20 mijë euro. Ky fiktivitet në lëshimin e faturave për kompaninë Gogel provohet kur Ajola Xoxa i kërkon financiares që të prodhojë një faturë me datë të mëvonshme. Nga ana tjetër Adela Kondakçiu e pyet për përshkrimin që duhet të vendosë në faturë dhe përgjigjja e Xoxës është ‘Sipas kontratës.’ Për të mos kaluar pragun e xhiros, Ajola Xoxa urdhëron që faturat e tjera të bëhen në janar, në mënyrë që të mos paguajë tatime shtesë. Më pas kompania Gogel faturohet sërish për shumën 40 mijë euro me përshkrimin ‘konsulencë ligjore’,” thuhet në vendimin e gjykatës së shkallës së parë për masën e sigurisë së Erion Veliaj.
Lidhjet e kompanisë Gogel shpk me kontrata publike nuk janë vetëm me klientë të tij, por dhe me menaxhimin e portofoleve të reklamave nga agjenci të tjera marketingu që fitojnë fushata të institucioneve shtetërore.
Kompania Tempo ka si objekt “Krijimin, studimin dhe zbatimin e reklamave dhe strategjive te komunikimit”.
Firma është themeluar në vitin 2007 me pronarë të huaj dhe shqiptarë dhe për disa vite ka patur një aktivitet të vogël. Situata ndryshon kur pronësia e kësaj kompanie bëhet shqiptare dhe një pjesë e portofolit të reklamave që shpërndahen në media fillon të menaxhohet nga kompania Gogel.
Të kontaktuar nga Kronos, drejtues të mediave shqiptare kanë pranuar se një pjesë të fushatave të marketingut të firmës Tempo janë shpërndarë faktikisht nga Gogel shpk. Kompania Tempo ka fituar kontratën “Food for Health” nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe fushatën e shpërndarjes së spoteve publicitare të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm, duket qartë përdorimi që i është bërë disa prej mediave kryesore në Shqipëri nga Erion Veliaj, në komunikimet që ai ka zhvilluar nga ambientet e paraburgimit me vëllain dhe bashkëshorten. Gjykata konstatoi se Erion Veliaj kishteorganizuar një fushatë denigrimi dhe intimidimi të drejtuar ndaj prokurorit të çështjes së tij Ols Dado dhe gjykatës të masës së sigurisë në shkallën e parë Erion Bani.
Kjo është zbuluar nga përgjimet që janë kryer nga SPAK të renditura në dosjen hetimore. Përdorimi i buxhetit të reklamave të kompanive private në Shqipëri, mund të mos jetë problem për klientët shqiptarë të kompanisë Gogel shpk, të cilët operojnë në një treg klasik ku nuk ka tregje të kapitalit, por ndikon në imazhin e kompanisë ndërkombëtare të marketingut Publicis, të drejtat e përdorimit të emrit të saj në Shqipëri i ka Gogel. Kronos iu drejtua me një email kësaj kompanie, duke i nisur këto pyetje:
“ – Në çfarë viti shoqëria Gogel është bërë partnere e Publicis Groupe?
– Cila është procedura e përzgjedhjes së kompanisë Gogela nga Publicis Groupe?
– A është bërë një vlerësim mbi Personat e Ekspozuar Politikisht që zotërojnë kompaninë Gogel nga ana e Publicis Groupe?
– A është në dijeni Publicis Groupe për verifikimet që Prokuroria e Posaçme ka nisur ndaj kompanisë Gogel dhe a keni një koment lidhur me këtë çështje?”
Deri në këto momente, Publicis nuk ka kthyer përgjigje.