TIRANA– Javën e kaluar ju folëm për një gjeni të mashtrimit kompjuterik, 20 vjeçarin Ermes Hoxhalli, i cili përmes personazhit imagjinar që kishte krijuar, me emrin Klea Rama, arriti të vinte në lojë sistemin arsimor në Shqipëri. Ai sajoi një projekt, gjoja në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane për t’i ofruar nxënësve shqiptarë mundësi shkollimi dhe edukimi në SHBA.
Për të marrë aprovimin nga Ministria e Arsimit, Ermesi pati një ide brilante. I fshehur nën emrin fallco “Klea Rama” dhe nën imazhin e modeles amerikane Gracie Abrams, ai u hoq sikur ishte mbesa e kryeministrit Edi Rama. Vetëm kaq u desh, që Ministria e Arsimit t’i hapte dyert dhe të angazhonte shkollat nga veriu në jug për të realizuar këtë projekt kaq të rëndësishëm. Çdo gjë nisi nga ky email, që Klea Rama i dërgoi më datë 15 shtator, 2023 ish zv Ministres, Nina Guga:
“Kërkojmë që maturantët e të gjitha shkollave të arsimit publik shqiptar të plotësojnë dokumentin për shprehje interesi në projektin ‘Let’s talk together about US’2024’. Projekti synon informimin për studime në Shtetet e Bashkuara, mbështetet nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Tani kërkojmë lejen tuaj për të nisur bisedimet me Zyrat Vendore Arsimore dhe më pas me titullarët e shkollave. Shpresoj të kem një përgjigje sa më të shpejtë pozitive, pasi jam pak e vonuar me procedurat”.
Klea imagjinare e kishte me nxitim. Projekti ishte serioz dhe duhej miratuar. Në kushte normale, ministria e arsimit do të bënte verifikimet e rastit, por kur bëhej fjalë për mbesën e shefit, gjërat duheshin bërë me një të rënë të lapsit.
Sidoqoftë, për të evituar çdo lloj hezitimi të zëvendësministres, një ditë para dërgimit të emailit, Ermesi, duke u hequr si Klea, e kishte kontaktuar atë privatisht në whatsapp. Sipas deklarimit që zonja Guga ka dhënë në prokurori, Ermesi, përveçse i kishte folur për projektin, i kishte dërguar edhe një foto të vetes…pra modeles. E për të qenë i sigurt se zv.Ministrja nuk do të bënte ndonjë verifikim të fotos, Ermes ia dërgoi asaj duke përdorur opsionin “view once”. Në këtë mënyrë zonja Guga, do ta kishte të vështirë që ta ruante.
Sidoqoftë efekti ishte i menjëhershëm, sa që 3 ditë pas këtyre komunikimeve, projekti do të mniratohej dhe do t’i delegohej për zbatim Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit, e cila iu dërgoi shkresë një numri të madh të shkollave të mesme në të gjithë vendin, duke i urdhëruar që të koordinohen me Klea Ramën për informimin e maturantëve.
Nga ky projekt që u shtri në gjimnazet e Shqipërisë, fatkeqësisht u mashtruan me qindra nxënës e mësues. Për ta bërë sa më të besueshme skemën Hoxhalli u kujdes në detaje, duke shpalosur të gjithë kreativitetin e tij. Fillimisht ai bleu një numër me prefiks amerikan. Më pas hapi një adresë fallco me emrin e tij të artit, ku postonte foto të kryeministrit. Pasi ndërtoi këtë profil të rremë, i riu hapi edhe një faqe në web, ku përshkruan se çfarë përfaqëson ky projekt dhe ku afishoi emaile, strukturën e komisionit të projektit dhe listën e universiteteve ku nxënësit mund të aplikonin për trajnime.
Në këtë faqe e ashtuquajtura Klea Rama, kishte ndërtuar edhe këtë rregullore, programin, shortet që do të hidheshin dhe datat e provimeve. Më pas do të vinte radha e këtij formulari, që ishte qershia mbi tortën e këtij projekti imagjinar. Sipas mbesës imagjinare të Ramës, formulari vinte nga Shtëpia e Bardhë dhe duhej të plotësohej nga nxënësit pjesëmarrës.
Ndërsa ajo që do të dëgjoni tani, mund të ngjajë qesharake, por është vërtetë e dhimbshme dhe fyese për trupat arsimore të shkollave pjesëmarrëse, sepse i riu, vuri në sfidë mësuesit, të cilët u bënë pjesë e një votimi për përzgjedhjen e koordinatorëve në secilën shkollë pjesëmarrëse në këtë projekt. Ai ndërtoi edhe kabinetin, ku si drejtoreshë të përgjithshme përzgjodhi mësuesen e anglishtes së gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë, Valentina Lamaj.
E pasi Ermesi e shtroi rrugën e tij të bashkëpunimit duke mashtruar mësuesit dhe maturantët e gjysmës së Shqipërisë… puna për realizimin e projektit filloi. E çfarë të shihje!
Nxënës që studionin fort duke ëndërruar për studimet përtej oqeanit, mësues që punonin jashtë orari për koordinimin, drejtorë dhe zv.ministre që dilnin publikisht duke përshendetur Klea Ramën. Një estradë që vazhdoi për një vit me aktivitete, fjalime, përshëndetje, dhe padyshim me përqafime nga larg për Klea Ramën, mbesën bukuroshe të kryeministrit.
Duket qartë që Ermesi ishte i fiksuar që jo vetëm të tallej por edhe t’i lodhte vendshe drejtuesit më të lartë të sistemit arsimor në vend. Mësuese Valentina thekson se edhe pse ishte drejtoresha e projektit, vendimet i merrte vetë Klea Rama, listat i vinin të gatshme, edhe pse poshtë shënohej emri i saj dhe vendosej firma, të cilën ia kishte dërguar të skanuar. Sa për vulat, viheshin po ashtu nga Klea.
Po si nisi rrëzimi i gjithë skemës së ndërtuar me aq mjeshtëri dhe kujdes nga 20 vjeçari? Dyshimet se diçka nuk shkonte erdhën pasi Klea e ngriti stekën e talljes, duke i kërkuar drejtorit të gjimnazit “Ali Demi” në Vlorë, që të neglizhohej procesi mësimor për të kryer një nga fazat e projektit. Ajo madje ushtroi presion mbi mësuesen koordinatore të kësaj shkolle.
Në këto kushte drejtori u detyrua të interesohet personalisht pranë Ambasadës Amerikane, dhe aty, kuptoi se gjithë këto sakrifica që sëbashku me kolegët kishin bërë për nxënësit e tyre, kishin qenë thjesht mashtrime. Menjëherë sapo përfaqësuesja e ambasadës amerikane Amanda Roberson, e përfshirë në projektin e mbesës imagjinare, deklaroi se nënëshkrimi në këto certifikata nuk ishte i saj, materialet u dërguan për ekspertizë…
Ndërkohë më datë 6 mars 2024, pasi edhe Ambasada Amerikane u vu në dijeni nga zyrtarja në fjalë për falsifikimin e dokumentave, prokuroria nis hetimet, gjë që do të sillte edhe fundin e Klea Ramës. Sektori për Hetimin e Ndërhyrjeve Kompjuterike, përmes pasëordeve të adresaveqë qarkullonin në ministri dhe në zyrat e arsimore të hapura me kredencialet e vajzës imagjinare, bie në gjurmët e Ermesit. Ai thirret në prokurori më datë 1 korrik 2024, si person që ka dijeni për rrethana të hetimit…dhe aty, u përpoq të mashtronte sërish.
Në deklarimin e tij është shprehur se Klea Ramën e njihte nëpërmjet instagramit dhe i kishte bërë folloë pasi i kishte dalë të suggests. Pas një sërë mesazhesh ajo e kishte ftuar të bëhej pjesë e projektit LTTAUS, por ai e kishte refuzuar pasi ishte i zënë me provimet, por pretendon se e kishte ndihmuar për të realizuar disa postera dhe video për projektin, pas shumë kerkesave të saj. Mes të tjerash ajo i kishte shprehur edhe faktin që ishte e afërmja a e kryeministrit.
Një trillim i hollë që do të vazhdonte e do të vazhdonte përballë syve shpotitës të agjentëve të hetimit komjuterik, të cilët e dinin që protagonisti i mashtrimit ishte ai. Sidoqoftë ata vazhdonin të qetë të dëgjonin rrëfimin interesant të Ermesit.
Sipas tij, kërkesat e Kleas sa vinin e shtoheshin. Pas posterave dhe videove, ajo kishte pasur nevojë edhe për logon e departamentiti të shtetit dhe logon e vulës së Këshillit të Ministrave. E pasi ia kishte dërguar këto, të cilat i kishte gjetur online, ai e kishte pyetur shoqen e tij virtuale se përse i duheshin të gjjitha këto materiale dhe si qendronte e vërteta, por ajo i ishte përgjigjur vetëm me një: thanks.
Pyetjes së prokurorisë se përse në telefonin e tij gjendeshin edhe foto të këngetares amerikane Gracie Abrams, ai u justifikua se pasi kishte konstatuar se Klea Rama përdor foto të saj, i kishte shkarkuar ato dhe kishte këshilluar shoqen e tij për të update-uar profilin e saj me foto të reja.
Menjëherë pas këtyre deklarimeve aspak të besueshme, prokuroria do të sekuestronte dy telefonat e Ermesit, në të cilet gjeti një thesar të vërtetë. Dokumenta të falsifikuara si: certifikata, letër nga shtëpia e bardhë, formular aplikimi, listë nxënësish, fjalime, modele shkresash, listë shkollash, rregullore projekti, teste, procesverbale, logo të shtëpisë së bardhë, logo të departamentit të shtetit, logo e vulës së interpol, foto aktivitetesh, dëftesa, foto të modifikuara me Edi Ramën, sms të modifikuara me Mimi Kodhelin dhe djalin e vogël të Kryeminsitrit.
Në fund të korrikut 2024, ai do të arrestohej për falsifikim të dokumentave dhe mashtrim kompjuterik, e që nga ajo ditë ai ndodhet në burg. Duhet theksuar se pavarësisht mendjes brilante që mund të ketë, ky i fundit ka luajtur me ëndrrën qindra nxënësve dhe me mundin e dhjetra mësuesve. E gjitha kjo për faj të zonjës Nina Guga, e cila e ndërmori aksionin e zhvillimit të projektit vetëm për shkak të një fjalie të vetme: Jam mbesa e Edi Ramës./ Piranjat