TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ngritur një sërë akuzash ndaj SPAK, pas hetimeve që organi i akuzës po kryen ndaj tij dhe Monika Kryemadhit. Nga qelia e burgut, Meta e ka cilësuar SPAK si një organizatë kriminale, që sipas tij vazhdon të shpërndajë dizinformacione në televizionet dhe mediat e blera, përfshirë dhe RTSH-në.
Meta thekson se argumenti që Prokuroria e Posaçme përdor, se kanë qenë autoritetet amerikane që kanë përmendur emrin e tij për një kartë bankare të padeklaruar është i pavërtetë. Më tej, Meta ka publikuar dhe përgjigjen e autoriteteve amerikane, ndërkohë që thekson se SPAK po operon vetëm me urdhërin politik të PS.
Postimi i Plotë:
Organizata kriminale SPAK vazhdon të shpërndajë dizinformacione në televizionet dhe mediat e blera me paratë e pista të inceneratorëve, për fat të keq edhe në Televizionin Publik Shqiptar (RTSH), sikur gjoja autoritetet amerikane kanë përmendur emrin tim për një kartë bankare të padeklaruar. Në respekt të së vërtetës dhe të ligjit, por edhe të mos lejimit të mëtejshëm të diskreditimit me qëllim të autoriteteve amerikane nga ana e SPAK, vetëm në funksion të axhendës së Narkoregjimit për asgjësimin e opozitës së vërtetë politike, po publikoj sot të plotë përgjigjen e autoriteteve amerikane në lidhje me çështjen dhe përdorimin e kartave bankare.
SPAK është kaq i zbuluar në të gjithë aktivitetin e tij kriminal që nuk ka lidhje me hetimin, por vetëm me urdhrin politik të Edi Ramës nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, sa është i obsesuar të më mbajë mua të lidhur në çift me Monikën (SPAK njësoj si Pilo Peristeri që përpiqej të mbante çiftet me dhunë) duke shkruar qëllimisht edhe në akuzën zyrtare të 26 Majit statusin tim si i martuar, kur kjo marrëdhënie nuk ekziston prej kohësh në gjendjen civile të Republikës së Shqipërisë dhe ata e dinë shumë mirë.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Filirmetazyrtar%2Fposts%2Fpfbid02aSWErHi4TgF6eaMwFBYLbGZtceur7hf6uYftpNZPTjG7DX5TRcGh84x1gVJjH1Msl&show_text=true&width=500
Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.
Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.