Kardiologu Kristo Papa ka ndihmuar në stabilizimin e një pasagjeri me probleme të rënda shëndetësore gjatë fluturimit nga Tirana në Londër. Në një intervistë për “Wake Up,” ai tregoi se pasagjeri shfaqi simptoma si lipotimi, marrje mendsh, të vjella, diarre, dhimbje abdominale, dobësi dhe dhimbje koke, duke krijuar një atmosferë tensioni mes të pranishmëve. Reagimi i shpejtë i Dr. Papës dhe i stafit të avionit ndihmoi në shmangien e përkeqësimit të situatës.
Dr. Papa u konsultua me stafin dhe masë parametrat shëndetësorë të pasagjerit, duke i dhënë dy ilaçe që ndihmuan në stabilizim. Gjatë tre orëve të fluturimit, ai mbajti komunikim të vazhdueshëm me pilotët dhe informoi autoritetet në Londër për gjendjen. Ai theksoi se linjat ajrore kanë protokolle emergjente të cilat aktivizohen në rastet e tilla, përfshirë kitin e emergjencës dhe përgatitjen e pilotëve për një ulje emergjente.
Pavarësisht stabilizimit, mjeku vuri në dukje se pasagjeri nuk duhet të kishte udhëtuar për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, duke përfshirë takikardinë. Ai theksoi se udhëtimi me avion nuk është si një ambient spitalor, duke kërkuar kujdes dhe udhëheqje gjatë ndërhyrjeve mjekësore në ajër. Pas fluturimit, pasagjeri mbeti i sëmurë për 48 orë, dhe përfundimisht u stabilizua në spital.
Në përfundim, Dr. Papa ngriti shqetësimin për rastet e arrestit kardiak tek të rinjtë, duke përmendur se shumë të rinj, madje dhe ata 16-vjeçarë, po vijnë me atak kardiak, shpesh si pasojë e përdorimit të substancave narkotike. Ai ndau eksperiencën e një rasti ku një adoleshent 15-vjeçar kishte pësuar një të tillë për shkak të përdorimit të kokainës, duke theksuar nevojën për vetëdijesim mbi këtë problem në shoqëri.














