Izraeli ka nisur sulmin e parë ajror në Luginën lindore Bekaa të Libanit në orët e para të 25 dhjetorit.
Ky është sulmi i parë që nga fillimi i armëpushimit muajin e kaluar, sipas raporteve të mediave vendase.
“Aeroplanët luftarakë , në shkeljen e parë të marrëveshjes së armëpushimit në rajon, nisën sulme herët në mëngjes sot në një shtëpi në fushën e qytetit të Taria, pa shkaktuar ndonjë lëndim”, raportuan mediat vendase.
Sipas agjencisë hebraike të lajmeve Channel 14, ushtria izraelite bombardoi një magazinë që përmbante armë “të pazakonta” që i përkisnin Hezbollahut.
Mësohet se pas përplasjes ka shpërthyer një zjarr në zonë. Disa orë më vonë, forcat izraelite hapën zjarr mbi një kolonë të UNIFIL dhe Kryqit të Kuq Libanez dhe u vunë flakën shtëpive në Mays al-Jabal, në Libanin jugor.
Dronët izraelitë gjithashtu fluturuan mbi kryeqytetin libanez Bejrut dhe periferitë e tij jugore të mërkurën.
Izraeli e ka shkelur armëpushimin, i cili bazohet në zbatimin e Rezolutës 1701 të OKB-së, më shumë se 100 herë që nga hyrja në fuqi e saj, me sulme ajrore vdekjeprurëse, arrestime të civilëve libanezë, përparime të trupave dhe fushata bombardimesh masive në fshatrat jugore.
Tel Avivi pretendon se ka në shënjestër infrastrukturën e Hezbollahut në jug, të cilat janë përgjegjësi e ushtrisë libaneze sipas marrëveshjes.
Burime të sigurisë në Liban i thanë The Cradle më 23 dhjetor se ushtria izraelite është e pakënaqur me përpjekjet e ushtrisë libaneze për të zbatuar armëpushimin dhe planet për të ruajtur praninë e saj në jug.