Një raketë balistike e lëshuar nga Irani depërtoi në hapësirën ajrore të Turqisë, por u neutralizua nga sistemi i mbrojtjes ajrore dhe raketorike të NATO-s, i vendosur në Mesdheun Lindor. Lajmi u njoftua nga ministria e Mbrojtjes e Turqisë përmes një deklarate zyrtare.
Në njoftim, ministria theksoi se Turqia merr masa të forta dhe pa hezitim për të mbrojtur territorin dhe hapësirën ajrore të saj kundër çdo kërcënimi. Po ashtu, u njoftua se janë duke u zhvilluar konsultime me vendin përkatës për të sqaruar situatën e incidentit të fundit. Ndërkohë, të gjitha zhvillimet në rajon po monitorohen me kujdes, duke i dhënë prioritet maksimal sigurisë kombëtare.
Incidenti vjen pas një ngjarjeje të ngjashme, ku dy raketa të tjera u kapën nga NATO në hapësirën ajrore turke, duke shkaktuar reagime të ashpra nga presidenti Erdogan. Situata në rajon mbetet e tensionuar, dhe autoritetet turke po ndjekin me vëmendje çdo kërcënim potencial.















