Inxhinieri Romeo Nazarko shpjegoi sot në “News 24” edhe shkaqet përse ndodhi dëmtimi i rëndë i rrugëve të reja të ndërtuara nga ministria e linjës së zv/kryeministres Belinda Balluku apo rrjedhjen e ujërave në tunelin e pakolauduar të Llogarasë në Vlorë.
Ai tha se faktori kryesor mbetet mungesa e një studimi gjeologjik nëntokësor për ujërat kryesisht, përveç përbërjes së dherave apo formacioneve sedimentare të tokës, nëse janë të qëndrueshme.
Dhe nga ajo që ka parë dhe verifikuar deri tani, i rezulton se pothuajse në të gjitha rrugët nuk bëhet studim gjeologjik dhe as tek tre të dëmtuarat së fundmi si; rruga e Arbrit, tuneli i Llogarasë dhe Qukës-Qafë Plloçë. Nazarko tha se ai nuk do kalonte më nga ato rrugë, pasi përbëjnë rrezik dhe do përdorte akset e vjetra për udhëtim.
“Edhe çështja e tunelit të Llogarasë ka të bëjë me studimin gjeologjik, pasi në shumë raste nuk bëhen. Ndaj ndodh edhe rënia e ujërave atje aktualisht, pra atje nuk është bërë studimi gjeologjik për ujërat nëntokësorë. Ujërat nëntokësorë bëhen shkak për shembjen e betonit. Dhe nga ajo që kemi dëgjuar nga ekspertët se nuk ka hekur në tunel”, shpjegoi eksperti.
Për Nazarkon në ato rrugë aktualisht me dëmet që kanë pësuar nuk kalohet më, pasi përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve dhe nuk janë të sigurta.
“Unë nuk mund të them se nuk është e sigurtë, por mendoj se aty nuk mund të kalohet në këto situata që po flasim dhe shohim. Aty rrjedh ujë edhe në shira të zakonshëm, jo më me rrebeshe dhe situata doli në pah edhe për shkak të motit të keq në të gjithë vendin. Ujërat e dëmtojnë betonin, kjo ka ndodhur në Llogara”, vijoi ai.
Dhe në fund, teksa bëri krahasimin dhe ballafaqimin e fakteve, me bisedat në dosjen e Ballukut dhe atë çfarë ai sheh në Llogara, tashmë është e qartë se aty nuk është përdorur hekur dhe nuk është bërë studim gjeologjik dhe ndaj ujërat rrjedhin.
E njëjta situatë ka ndodhur edhe me “rrugën e florinjtë” Qukës-Qafë Plloçë apo më tej Korçë-Ersekë.
“Nga bisedat që kanë dalë nga dosja e Ballukut dhe nga situata me një shi normal që shohim, si në Rrugën e Arbrit, e shoh të vështirë që aty të kalohet. Në dosje thuhet se nuk ka hekur në tunel sipas ekspertit dhe bisedave. Gjithashtu mungon studimi gjeologjik për ujërat tokësorë dhe kjo sjell rënien e ujërave aty që kemi parë në situatë normale shiu”, shpjegoi Nazarko.
Si e denoncoi inxhinieri Nazarko ministren Balluku dhe zyrtarët për rrugën Korçë-Ersekë
Inxhinieri gjeodet, Romeo Nazarko, e ka kallëzuar 3 vite me pare ministren Belinda Balluku, drejtorin e ARRSH dhe kompaninë që ndërtonte rrugën Korçë-Ersekë.
Nazarko tha se është ndryshuar gjurma e rrugës, është fryrë kostoja nga 1 mln euro ne 5 milionë euro kilometri, si dhe ka ndikuar në shpopullimin e zonës. Në atë kohë ka kallëzuar drejtorin e Përgjithshëm ARRSH-së Ergys Vjerdho, ministren e linjës Balluku dhe administratorin e kompanisë A.N.K sh.p.k për shkelje teknike dhe procedura të tenderit.
“Shkeljet që unë konstatova ishin 3. Një ka qenë mashtrim në realizimin e projektit për rrugën Korçë-Ersekë, tjetër gjë ka në terren dhe tjetër gjë përshkruhet në projekt. E dyta, ka qenë vlera e lartë e projektit që shkonte nga 1 mln euro që ishte në projektin e 2010 ne 5 mln euro kilometri. E treta që ishte më e rëndësishme për mua ishte shpopullimi i zonës. Me zhvendosjen e gjurmës së rrugës shpopullohej e gjithë zona e pllajës së Gramozit, edhe Kolonjën”, shpjegonte ai në atë kohë.















