Nga Eni Hajdini/ Psikolog
Si psikolog, marr pjesë në një trajnim. Trajnuesja shpjegon që ne po diskriminojmë fëmijët.
U habita!
“Një trajnim ku do mësoj diçka të re,” thashë me vete.
E vërtetë!
Mësova që nuk duhet t’u ushtrojmë presion fëmijëve duke i mësuar se djemtë janë djem dhe vajzat janë vajza. Qenka dashur që fëmijët “ta gjejnë vetë”!
PRA,
Në vend të temave si:
– fëmijët dhe divorci,
– fëmijët dhe teknologjia,
– fëmijët dhe stresi në familje,
– fëmijët dhe vlerat,
– fëmijët dhe ndikimi i rrethit shoqëror,
RËNDËSI PASKA TË MOS I THEMI VAJZËS, VAJZË, DHE DJALIT, DJALË.
Nejse. U trajnuam. Certifikatën e mora.
Ia nisa kërkimit.
Biologjikisht kemi dy gjini.
Sociologjikisht, mbi dhjetëra… dhe në shtim.
Shkencërisht, kjo qasje e personave që kërkojnë një identitet ndryshe nga ai i caktuar në lindje është në vetvete një diagnozë psikiatrike.
Si quhet në DSM-IV? Çrregullim i Identitetit Gjinor.
Ç’është? Diagnozë psikiatrike për raste kur synohet identitet gjinor ndryshe nga ai i caktuar në lindje; kërkon vlerësim/ndërhyrje profesionale.
Pse po flasim tani? Sipas meje, lajmet dhe ndërhyrjet e fundit në vend po e nxisin këtë dukuri. Si psikolog fëmijësh, dua t’u flas prindërve për rritjen e shëndetshme të fëmijëve sa i përket identitetit gjinor.
Si ta parandalojmë?
Për të shmangur nevojën e ndërhyrjes profesionale, prindërit duhet të kuptojnë se formimi i identitetit gjinor te fëmijët ndodh në disa etapa. Etapa e parë është ajo 2–6-vjeçare, e dyta 6–10-vjeçare dhe e treta hyrja në adoleshencë. Le t’i analizojmë shkurtimisht, duke u mbështetur në disa ide praktike që prindërit mund t’i zbatojnë.
Pas 6 muajve të parë të moshës 2-vjeçare, fëmija nis të kuptojë se babi dhe mami janë ndryshe. Kupton se nëna dhe gjyshi, daja dhe halla, tezja dhe xhaxhai janë ndryshe. Prindi nis ta thërrasë fëmijën, përveçse me emër, edhe me fjalët bir ose bijë, përkatësisht. Midis moshës 0 deri në 5–6 vjeç, mami është figura kryesore në jetën e fëmijës. Për këtë arsye, mami ndërvepron vazhdimisht dhe e ushtron fëmijën me fjalët: “Mami është vajzë, babi është djalë.”
— Po nëna? — Vajzë. — Të lumtë, ti e ke kuptuar shumë mirë. Toke!
— Po gjyshi? — Vajzë. — Jooo. Nëna është vajzë, gjyshi është djalë.
— Cili tjetër është djalë? — Babi! — E gjete.
Dhe vazhdon në të njëjtën mënyrë me pjesëtarët e tjerë të familjes.
Gjatë kësaj kohe, vajza etiketohet me fjalë si bijë, princeshë, bukuroshe, etj. Nga ana tjetër, djali etiketohet me bir, djalë, bukurosh, princ, etj. Nuk është e thënë që fëmijës t’i thuhen vetëm këto fjalë gjatë gjithë kohës (kjo është e pamundur). E rëndësishme është të nxisim te fëmija mekanizmin që krijon lidhjet logjike. Në moshën 4-vjeçare, fëmija patjetër duhet të kuptojë se çfarë gjinie ka vetë dhe çfarë gjinie kanë shokët e shoqet përreth. Këto fjalë nuk duhen ngatërruar me lavdërimet. Në parim, prindi duhet të lavdërojë veprën e fëmijës, jo fëmijën vetë, sepse vepra është ajo që prindi dëshiron që fëmija ta përsërisë.
Periudha e dytë nis zakonisht kur fëmija hyn në klasën e parë; vajzat përgjithësisht në moshën 5–6 vjeçare, djemtë kryesisht 6–7 vjeçare. Fëmija kupton se secila gjini ka veçoritë e veta dhe bëhet i/e vetëdijshëm për çështjet e gjinisë së vet. Shpesh, vajzat me flokë të gjatë e djemtë më pak; vajzat më të detajuara dhe përkujdesëse ndërsa djemtë më të prirur drejt përfundimit sesa përkujdesjes së procesit. Nga kjo moshë deri në adoleshencë, detyra e prindit është të sigurojë stabilitetin e këtij botëkuptimi te fëmija. Mekanizmi i lidhjeve logjike funksionon normalisht dhe fëmija, bazuar në familjen ku rritet, përshtat sjelljet dhe vëmendjen te ç’është për vajza dhe ç’është për djem. Fëmijët në këtë moshë duhet medoemos të kuptojnë që djemtë bëhen burra dhe vajzat bëhen gra.
Në këtë moshë nis detyra kryesore e babait. Kyresisht, ai është figura më ndikuese deri në adoleshencë. Pavarësisht kësaj, është e nevojshme që “mentorët” të ndahen kështu:
Babai me djalin.
Nëna me vajzën.
Kjo “ndarje e mentorëve” është e rëndësishme sepse lehtëson të paktën dy gjëra:
Procesin e identitetit gjinor, ku fëmija mëson me vepra natyrshmërinë e tij/saj.
Periudhën e adoleshencës, ku fëmija, edhe pse distancohet përkohësisht nga përkujdesja prindërore, ka nevojë për biseda në raste të veçanta — p.sh. temat intime pak para adoleshencës, etj.
Në këtë moshë konsolidohet identiteti gjinor, sepse fëmija nis të mësojë në mënyrë praktike me prindin. P.sh., djali sheh dhe kupton se babai hedh plehrat, rregullon gjërat që prishen, i kërkon djalit të mbajë çantat e rënda, etj. Del shpesh me të, kalon kohë cilësore dhe i bisedojnë gjërat “burri–burrit”.
Nga ana tjetër, vajza, sipas natyrshmërisë së saj, synon të vishet me kujdes. Ashtu siç kujdeset për pamjen e jashtme, sheh që mami kujdeset edhe për shtëpinë. Del për të blerë gjërat e nevojshme me të dhe vëren se mami angazhohet më shumë se babai në mbarvajtjen e brendshme të shtëpisë. Siç e theksuam: angazhohet më shumë se babai, jo sepse mami nuk ka jetë jashtë shtëpisë.
Në periudhën 6–10 vjeç, si babai ashtu edhe nëna, përveçse kanë ushqyer formimin e identitetit të duhur gjinor, me aktivitetet praktike forcojnë te fëmija vetë-përmbajtjen, respektin dhe një identitet të qëndrueshëm mbi veten.
Rikujtesë: kjo është moshë ku fëmijëve u kanoset një rrezik shpesh i neglizhuar — mungesa atërore. Shkaqet e kësaj mungese variojnë nga nevoja ekonomike, deri te mosnjohja e rëndësisë së kësaj periudhe nga vetë prindi. Mungesa e përkushtimit atëror është ndër faktorët që çojnë në çrregullime të identitetit gjinor, sidomos te djemtë. Zakonisht, kjo mungesë fillon të vihet re nga vetë fëmija pikërisht në moshën 6–10 vjeç. Kjo periudhë është kritike për figurën e babait, sepse fëmija nuk e sheh më nënën si figurën më ndikuese.
Ka edhe një rast që e përkeqëson më tej situatën: kur figura atërore, përveç se mungon, edhe kur është e pranishme, është e dhunshme ose abuzuese. Për fat të keq, shoh etër që mbase janë dhe të detyruar të rrinë gjithë ditën në punë dhe thonë se fëmija i tyre 8-vjeçar “është shumë i lidhur me të ëmën”. A ka zgjidhje tjetër ky fëmijë?!
Më pas vjen, ndoshta, pjesa më sfiduese për prindërit: adoleshenca — koha kur ndikimin kryesor fëmija e merr nga shoqëria dhe jo më nga prindërit.
Së pari, ndër kërcënuesit kryesorë që mund të çojnë në çrregullim të identitetit gjinor në këtë moshë janë rrjetet sociale pa kufij. Ky përdorimi i pakufizuar, përveç ankthit, depresionit, mendimeve negative për pamjen fizike dhe krahasimit me të tjerët, e vendos fëmijën në pikën më kritike për të ndryshuar drejtim.
Së dyti janë pamjet pornografike dhe përmbajtjet seksuale, të shkruara ose jo. Të tilla përmbajtje e çorientojnë adoleshentin/en. Për fat të keq, rrymat që qarkullojnë sot në botë kanë dobësuar edhe “imunitetin” e vendit tonë, dhe adoleshenca është një moshë kritike ku prindi ka detyrë të kontrollojë dhe të bisedojë hapur me fëmijën për tema të caktuara.
Nga ana tjetër, qasjet radikale që nënkuptojnë kontroll total të fëmijës në adoleshencë do të thonë ta largosh nga natyra njerëzore—përpjekje që rregullisht kanë dështuar. Këtu prindit i kërkohet takt dhe është koha kur duhet të “lëshojë pe”, pa e lëshuar perin nga dora. Aty ku nuk cënohet mirëqenia e fëmijës, mund të lëshojë pe dhe t’i japë besim dhe liri ndërveprimi.
Për ta mbyllur, nuk mund të anashkalojmë vlerat jetike mbi të cilat qëndron familja. Djemtë dhe vajzat e sotme janë ata që do ta çojnë shoqërinë përpara nesër. Prandaj, fëmija duhet patjetër të shohë se si mami dhe babi funksionojnë si familje: me dashuri, respekt dhe dhembshuri për njëri-tjetrin.
Eni Hajdini
Psikolog
Instagram: @psikologjiaefemijes