Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Operacionalja 88”, i orientuar ndaj kapjes së personave në kërkim ndërkombëtar. Në kuadër të këtij operacioni, është arrestuar Bledar Mansaku, 50 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike.
Ky arrestim është rezultat i një serie operacionesh të pandërprera, të mbështetura nga informacione të grumbulluar në rrugë operative. Mansaku u lokalizua dhe u ndalua në Tiranë, pasi kishte një dënim prej 7 vitesh burg nga Gjykata e Apelit në Firence, Itali, për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, sipas Kodit Penal italian.
Arrestimi i tij është bërë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, për të shërbyer dënimin e shqiptuar. Operacioni tregon angazhimin e forcave policore për të ndjekur dhe kapur individët e shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime të rënda.















