Në minierën historike të Spaçit, aty ku gjenerata të tëra kanë derdhur djersë dhe sakrificë, po zhvillohet një histori e errët abuzimi dhe korrupsioni shtetëror që kërcënon jo vetëm të drejtat e minatorëve por edhe vetë sovranitetin ekonomik të vendit. Prej më shumë se një muaji minatorët e Spaçit janë lënë pa punë dhe pa të ardhura, ndërkohë që kompania koncesionare turke “Tete Albania” vepron në kundërshtim me çdo normë ligjore dhe morale. Punëtorët kërkojnë transparencë mbi kontratën koncesionare dhe mbi marrëveshjet e errëta që fshihen pas saj, pasi çdo ditë që kalon dalin në dritë fakte tronditëse për mënyrën sesi kjo kompani ka marrë në duar një nga pasuritë më të çmuara nëntokësore të Shqipërisë.


Sipas të dhënave të siguruara nga burime pranë sektorit minerar, kontrata e koncesionit të minierës së Spaçit është përdorur si kolateral për një kredi 8 milionë euro në bankën BKT, një bankë me kapital turk. Me fjalë të tjera, pasuria minerare shqiptare është lënë peng në një institucion financiar të huaj, me dijeninë dhe miratimin e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ky veprim ngre pikëpyetje të rënda për ligjshmërinë e kontratës dhe për interesat që janë mbrojtur në këtë proces, pasi një pasuri publike është përdorur për të garantuar kredi private të një kompanie të huaj që sot gjendet nën hetim në shtetin e vet.
Hetimet mediatike dhe burime nga Turqia tregojnë se pronarët e grupit “İlbak Holding”, që zotëron “Tete Albania”, janë arrestuar dhe pasuritë e tyre janë sekuestruar nga shteti turk në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe pastrim parash. Pyetja që lind është e thjeshtë: nëse shteti turk ka sekuestruar pronat e këtij grupi, a është konfiskuar edhe kompania “Tete Albania” që operon në Shqipëri, apo qeveria shqiptare vazhdon ta lejojë të shfrytëzojë në mënyrë të paligjshme minierën e Spaçit? Heshtja e institucioneve shqiptare është e frikshme dhe komprometuese.
Më skandaloze akoma është fakti se kjo kompani ka një histori të përsëritur shkeljesh. “Tete Albania” i është hequr licenca minerare dy herë më parë, për të njëjtin vend në Spaç, për shkak të mosplotësimit të kushteve kontraktuale dhe dështimit në zbatimin e detyrimeve të saj ndaj shtetit. Megjithatë, në vitin 2017, i njëjti subjekt i është rikthyer për herë të tretë e drejta e shfrytëzimit, një vendim që përbën abuzim të pastër me detyrën nga ana e zyrtarëve që e kanë firmosur. Kush qëndron pas këtij vendimi dhe pse është favorizuar një kompani me histori dështimesh dhe me pronarë nën hetim ndërkombëtar?
Ndërkohë, në terren, realiteti është dramatik. Minatorët denoncojnë se janë lënë pa paga, se kompania nuk njeh të drejtën e organizimit sindikal, refuzon nënshkrimin e kontratës kolektive dhe largon nga puna punëtorët që marrin pjesë në grevë, një veprim flagrantisht i paligjshëm sipas Kodit të Punës. Punëtorët e Spaçit po përballen me shkelje të rënda të të drejtave themelore të njeriut, ndërsa shteti hesht dhe mban anën e investitorit të huaj që po shkel mbi ligjin dhe mbi djersën e minatorëve shqiptarë.
Nëse një kompani e huaj, me pronarë të arrestuar dhe asete të sekuestruara në vendin e vet, mban peng një pasuri strategjike të Shqipërisë, atëherë kjo nuk është më çështje kontrate, por çështje sovraniteti kombëtar. Minatorët e Spaçit kërkojnë transparencë, kërkojnë hetim dhe përgjegjësi. Ata kërkojnë që SPAK, Ministria e Ekonomisë dhe e Energjisë, si dhe Banka e Shqipërisë të sqarojnë publikisht se kush e zotëron sot “Tete Albania”, nëse kontrata është ende në fuqi dhe mbi çfarë baze është dhënë një leje që ka rezultuar dështim pas dështimi.
Në një vend normal, një skandal i tillë do të kishte tronditur qeverinë. Në Shqipëri, heshtja e institucioneve është prova më e fortë se pas kësaj afere qëndrojnë interesa të fuqishme politike dhe ekonomike. Spaçi, simbol i vuajtjes dhe i qëndresës, sot po bëhet simbol i kapjes së shtetit dhe i shitjes së pasurisë kombëtare për interesa private. Minatorët kërkojnë drejtësi, por drejtësia duket se është thellë nën tokë, ashtu si bakri i Spaçit që tashmë është lënë peng në bankat turke me bekimin e pushtetit.















