Hungaria është në alarm sigurie pas zbulimit të eksplozivëve pranë tubacionit të gazit TurkStream, një incident që ndodh pak ditë para zgjedhjeve të rëndësishme në vend. Kryeministri Viktor Orban thirri menjëherë një mbledhje urgjente të Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes, duke e cilësuar ngjarjen si një komplot para zgjedhjeve.
Sipas informacionit zyrtar, dy çanta shpine me eksplozivë dhe detonatorë u identifikuan nga ushtria serbe pranë fshatit Tresnjevac, afër kufirit me Hungarinë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, konfirmoi se bëhet fjalë për eksploziv me fuqi të madhe shkatërruese, duke shtuar se kishte informuar menjëherë qeverinë hungareze në lidhje me situatën.
Ky incident ndodh në një kontekst të ndjeshëm politik, ku partia në pushtet, Fidesz, e udhëhequr nga Orban, raportihet të jetë në disavantazh në sondazhet e fundit. Kjo situatë ka nxitur reagime të ashpra nga opozita. Udhëheqësi i opozitës, Peter Magyar, e akuzoi qeverinë për “nxitje paniku” dhe sugjeroi se ndodhia mund të jetë inskenuar me synimin për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve.
Incidenti po shqyrtohet si një zhvillim i mundshëm që mund të ketë pasoja të rënda për kalimin e qetë të zgjedhjeve, duke ngritur pyetje rreth sigurisë dhe stabilitetit politik në vend.















