Rrjeta e dekriminalizimit të drejtësisë dhe “Peshkaqeni Drogës” Tedi Malaveci
“Manuali i përdorimit të maskës per një periudhë 27-vjecare”
“Askush nuk eshte aq i pasur, sa mund të blejë të kaluarën e vet.”
Kjo thënie e Oscar Wilde, tregon se e shkuara ka qenë gjithmonë një projektim i të ardhmes në shoqërinë, politikën, ekonominë, drejtësinë shqiptare. Nëpërmjet saj mund të kuptohet se cilët janë “të mirët dhe të ligjtë”, si ndryshojnë ata vend, varësisht të qenit në pushtet (ortakëri) apo jo dhe si çfarë është e mirë njëherë, bëhet e ligë më pas. E shkuara si kult dhe kulm i së djeshmes ndjek gjithkënd pas, shpjegon veprimet e tij në të tashme dhe parasheh çfarë do të mund të ndodhë në të ardhmen. Edhe pse askush, qoftë dhe nga ata që i kanë parë pafundësisht shumë hajrin biznesit politik, biznesit në drejtësi, biznesit në krim, nuk është aq i pasur sa të blejë të shkuarën e tij; askush nuk është aq i qetë sa të ruajë të paprekura apo grisë të gjitha fotot e jetës. Megjithatë edhe ky është një rregull që ka përjashtimet e tij të forta dhe ulërritëse.Një përjashtim i tillë që mbërrin duke u zvarritur apo notuar në ujërat e qelbura të mafies deri në ditët e sotshme, është: Tedi Malaveci Kryetar i Përmbaruesve në Shqipëri.
Shtetasi Malaveci lindur në vitin 1972 është diplomuar, në Universitetin e Tiranës, Dega Drejtësi, Dip.nr.3926, Regj.nr.2329, date 19.09.1995, pra në fund të vitit 1995 djaloshit jurist me metamorfoza vazhduese iu shfaqën disa mendime (Lev Tolstoi, thotë se: mendimi, si një kokërr – është i padukshëm deri sa mbin dhe bëhet pemë) me të njëjtën dëshirë: për një jetë të lumtur, për një punë që ia vlen nëse nuk lodhesh, për bollëk material, mjedise të bukura, rehati etj.
Djaloshi jurist nuk ishte njeri i keq, por zgjodhi të mos provonte kurrë të bënte mirë dhe dedikohej profesionit të “drejtësisë” për të cilën ish diplomuar, ndaj vazhdoi gjithë jetën të bënte të kundërtën me sytë nga e ardhmja dhe këmbët në llum.
Afërmendsh shumë pak vetë e dinin se djaloshi jurist që dukej se nuk fshihte kurrfarë talenti të veçantë kishte zbuluar befas pasionin apo dëshirën e jetës së tij: pasurimin pa mund.
Ishte një pasion që, i shoqëruar nga një talent thuajse demoniak për të dominuar “të ngjashmit”, e kishte bërë atë në më pak se 2 vjet liderin e “narkoshpërndarësve të vegjël” dhe njëherësh njeriun që “nuk hapte gojë”.
Prej fillimit të 1996 djaloshi Teodor Malaveci (biri i aktorit Piro Malaveci) u stacionua ne Hollandë-Utreht deri sa në 01 maj 1997 (Ditën Botërore të punëtorëve të ndershëm) është arrestuar, proceduar dhe dënuar me burgim për shkelje të “Ligjit për Opiumin”, pra trafikim të lëndëve narkotike (heroinë-kokainë). Gjatë periudhës së burgimit, zgjodhi të mos tregojë apo përmendë emrin e pronarit dhe furnizuesit të tij, një emër i rëndësishëm i botës së krimit, trafikut ndërkombëtar të drogës (aktualisht rezident në Dubai) që më vonë u bë “Kumbari” apo garantuesi i karrierës së tij në korridoret e organeve të drejtësisë gjatë 25 viteve të ardhshme.
Pas vuajtjes së dënimit në burgun e Hollandës-Utreht, në vitin 2000 dhe pas kthimit në Shqipëri, me ndërhyrjen e sponsorëve të tij të drogës në Europë (Kumbari tij kërkonte një person kontakti në Prokurori dhe mandej në Ministrinë e Drejtësisë për të evituar ekstradimin), emërohet në Prokurorinë e Tiranës (në kundërshtim me Ligjin “Për policinë gjyqësore”) duke falsifikuar dokumentacionin e emërimit dhe vetëdëklaruar si person “pa probleme me ligjin penal” (megjithëse i sapodalë nga burgu hollandez).


Dokumenti që vërteton dënimin në Hollandë!
“Moda” e atëhershme e ndryshimit të gjeneraliteteve apo emrit për personat e inkriminuar dhe me “eksperiencë burgu evropian”, dha efekt edhe tek “hetuesi Teodor Malaveci”, ndaj Në Zyrën e Gjendjes Civile të Njësisë Nr.9 në Bashkinë Tiranë me proces-verbal Nr. 110 dt. 25.07.2003 është bërë ndryshim emri nga “Teodor Malaveci” në “Tedi Malaveci”, madje për të “garantuar” plotësisht “mosgjurmimin e rekordit kriminal” detyrohet edhe babai aktori mirënjohur i filmave artistikë që të ndryshojë emrin e tij nga “Pirro Malaveci” të ndryshohet në “Spiro Malaveci”.
Pas ndryshimit të emrit dhe atësisë, ishte i “lirë apo pa pengesa ligjore” për tu emëruar nga Kryeministri Fatos Nano (me ndikimin e Kumbarit të tij nga Hollanda) si Drejtor i Përgjithshëm i Përmbarimit (në kundërshtim me Ligjin “Për permbarimin gjyqësor”) duke falsifikuar sërish dokumentacionin e emërimit dhe vetëdëklaruar si person “pa probleme me ligjin penal”.
Pas shkarkimit si Drejtor i Përgjithshëm i Përmbarimit, licensohet si Përmbarues Privat (në kundërshtim me Ligjin “Për permbarimin gjyqësor privat” dhe Urdhër nr. 190 date 22.06.2020 “Për Miratimin e Listës së dokumenteve dhe Formatit të Vetëdeklarimit për Rifreskimin e dosjeve personale të Përmbaruesve Gjyqësor Privat”) duke falsifikuar sërish dokumentacionin e emërimit dhe vetdëklaruar si person “pa probleme me ligjin penal”, madje prej vitit 2014 “Dhoma e Përmbarimit” (institucion me karakter publik-unik-individual) drejtohet nga Tedi (Teodor) Spiro (Pirro) Malaveci (nënshkruan dhe vulos me atësinë “Pirro” duke harruar që ia ka ndryshuar emrin babait “Spiro” prej me shumë se 20 vjetësh).
Aktualisht pranë Prokurorisë Tiranë dhe SPAK janë regjistruar disa proçedime penale ndaj shtetasit Malaveci, të cilat po hetohen nga prokurorët A.Q., A.A, S.H.etj, për veprat penale:
- “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” sipas nenit 135 të Kodit Penal
- “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” sipas nenit 190 të Kodit Penal
- “Shpërdorimi i detyrës” të kryer më shumë se një herë, të kryer në bashkepunim me Alban Ruli (aktualisht në burg për përvetësimin e 1.2milion euro), sipas neni 248-25 të Kodit Penal;
- “Hetimin pasuror” sipas legjislacionit antimafia;
si dhe është Sekuestruar dokumentacioni emërimeve dhe dosjet e personelit në Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Tiranës, pranë Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile si dhe administruar dënimi penal jashtë vendit (Hollandë), duke krijuar bindjen e mbështetur në prova për arrestimin e Tedi (Teodor) Spiro (Pirro) Malaveci.
Zgjati shumë ky rrugëtim, të paktën deri sot e të paktën në një vend siç eshtë Shqipëria, përveç se i vogël, përgjithësisht i mbushur me njerëz që më shumë se për punët e veta, interesohen për punët e të tjerëve. Duke nisur nga Presidenti, Kryeministri, ministra e deputetë, kryebashkiakë e këshilltarë bashkiakë, drejtorë të mëdhenj e të vegjël, mund “të verifikohen” lehtësisht pa patur nevojë as për prokurori, ILDKP, antikorrupsion e SPAK. Aq më shumë, kur jemi vetë të prirur të tregojmë “bëmat tona”. Mjafton një mbledhje apo takim, që kapakët e të shkuarës të hapeshin dhe Pandora e Kutisë të bëhej sërish “zonjë shtëpie” në Korridoret e Prokurorisë dhe në Katin e tretë të Ministrisë së Drejtësisë(që tashmë nuk duhet të rrijë duarkryq, fshihet apo të bashkëpunojë në krim me peshkaqenë të drogës).
Normalisht, ndeshja e akuzave krijon dhe një hierarki mes tyre: për shembull, nëse diku, dikush, i zgjedhur me votë, ka pasur një rekord kriminal, kjo është padyshim një gjë shumë e keqe. Tmerrësisht e keqe. Eshtë një akt që më shumë se tek mbartësi i rekordit të hershëm kriminal, duhet të llogaritet tek ata që e çuan atë drejt pushtetit, që e dorovitën tek publiku për t’u votuar.
Duke qenë dhe sot një “aset i madh” në përmbarim apo në drejtësi, duke diktuar vullnetin e tij në politikëbërje dhe duke i dhënë fytyrën, shijen dhe aromën e tij vetjake gjithë politikëbërjes tërësisht pa shije në Shqipëri, rasti i “peshkaqenit të drogës” Tedi (Teodor) Spiro (Pirro) Malaveci duhet të bëjë të mendojnë dhe drithërohen të gjithë ata që mund të ndikojnë në nivel qëndror të politikëbërjes.
Askush nuk e di, për shembull, se për çfarë interesi e detyruan të bëhej Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurori, Drejtor Përmbarimi, Kryetar Përmbarimi etj. Ndoshta e tregojnë vetë më vonë miqtë e Dubait, në të ardhmen, në mënyrë që shumëkush edhe në Shqipëri, të kuptojë më mirë të shkuarën tonë të përbashkët. Dhe atëherë Tedi (Teodor) Spiro (Pirro) Malaveci do të jetë vetëm një fakt historik. Sepse në fund të fundit, kjo është botë kontrastesh.
Kështu duket se ka nisur në zanafillë edhe procesi i verifikimit të figurës së Tedi (Teodor) Spiro (Pirro) Malaveci. Janë ato që në anglisht quhen “rumors” dhe në shqipen tonë të përditshme, thathesheme. Pas tyre, është e lehtë të fillojnë kërkesa e kërkime zyrtare ndërsa mjafton 1 firmë për të mbështetur apo iniciuar kërkesën për prokurorinë, janë vërtetë sipërmarrja më e lehtë. E gjithë kjo parantezë, jo për të treguar efikasitetin apo zgjuarsinë e një investigimi gazetaresk, për të zbuluar titullarë “me hije në biografi”. As për të treguar për të disatën herë, se pikërisht ata “me hije në biografi” janë më të preferuarit e politikës dhe mafies për tu katapultuar. E gjithë kjo për t’i hequr justifikimin politikës se “nuk kanë patur mundësi t’i verifikojnë para kandidimit”.
Problemet e Malavecit dhe të ngjashmëve të tij në politikë, Parlament, Bashkitë i kanë ditur në Tiranë, por edhe në gjithë vendet apo qytetet prej nga ata vinë; problemet e tyre me ligjin dhe drejtësinë i kanë ditur ata që i kanë propozuar, por edhe ata që i kanë futur në jetën politike, shtetërore, ekonomike, organet e drejtësisë dhe ju kanë dhënë atyre pushtetin që sjell politika. Nuk ka qenë pushtet i fituar, por i falur, ose i grabitur përmes metodave për hir të të cilave ata janë ftuar në vendimmarrje.
Sot, një gjë mund të thuhet pa asnjë dilemë: peshkaqenë droge si Malaveci janë ftuar në vendimmarrje sepse ishin të tillë, pra shkelës të ligjit, shpërfillës të tij. Ata janë ftuar për atë që kanë qenë dhe jo për atë që besohet se janë sot. Ata janë ftuar për të mbajtur nën presion dhe për të thyer bastione vendimmarrëse ku duhet të mbizotëroje antiligji, pa harruar se me këtë mënyrë, çdo fitore është e ngjashme me fitoren e Pirros (apo fitore të djalit të Pirros).
Ndaj të gjithë ata që kanë thyer ligjin dikur; të gjithë ata që besojnë se me pirueta kanë arritur ta fshehin apo shmangin disi të shkuarën e tyre, duhet ta dinë se një ditë ajo do të kthehet me gjithë lakuriqësinë e saj. Së paku, për sa kohë ata do insistojnë të bëjnë një punë dhe të marrin një rol që s’ju takon: atë të angazhimit politik-shtetëror dhe administrativ. Ndaj, edhe kur dikush j’ua propozon për t’ju përdorur për momentin, edhe kur një njeri i fuqishëm politik ju jep garanci, ta dini që po ju mashtron. Askush nuk ka më fuqi t’ju mbrojë dhe asnjëri nuk i shpëton dot ligjit. Aq më shumë në një vend si Shqipëria, ku të gjithë, i njohin të gjithë…