Një gjykatë në Hong Kong dënoi ish-manjatin e medias dhe avokatin për demokraci, Jimmy Lai, me 20 vite burg të martën, pavarësisht presioneve ndërkombëtare për lirimin e tij. Lai, 78 vjeç, është themelues i gazetës Apple Daily, e cila është pezulluar, dhe u shpall fajtor për tre akuza më 15 dhjetor, përfshirë bashkëpunimin me fuqitë e huaja dhe nxitjen e rebelimit përmes shtypit. Ai rrezikonte burgim të përjetshëm si rezultat i ligjit të sigurisë kombëtare të imponuar nga Kina pas protestave pro-demokraci të vitit 2019, i cili parashikon dënime të rënda për krimet që lidhen me bashkëpunimin me forcat e huaja.
Gjyqtarët theksuan se Lai kishte “ushqyer armiqësi dhe urrejtje” për Kinën dhe ishte përpjekur të “përmbyste Partinë Komuniste”. Ai është duke vuajtur dënimin që nga viti 2020 dhe mbahet në izolim, ndërsa familja e tij ka shprehur shqetësime për shëndetin e tij që po përkeqësohet. Kryeministri britanik, Keir Starmer, e përmendi rastin e Lai gjatë bisedimeve me Presidentin kinez Xi Jinping, ndërsa Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, e denoncoi atë si “persekutim politik”. Edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte shprehur shpresën për lirimin e Lai.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut reaguan me shqetësim pas dënimit të tij. Amnesty International e quajti këtë vendim “një sulm ndaj lirisë së shprehjes” dhe një reflektim të erozionit të të drejtave në Hong Kong. Human Rights Watch e konsideroi dënimin një “dënim me vdekje de facto” pasiqë Lai është në moshë të shtyrë, ndërsa Reporterët pa Kufij thonin se gjyqi zgjidhte çështje kritike për lirinë e shtypit në rajon.
Pekini ka hedhur poshtë kritikat, duke theksuar se rasti i Lai nuk lidhet me lirinë e shprehjes, por me shkelje të sigurisë kombëtare. Megjithatë, ky dënim ka nxitur shqetësime globale për gjendjen e drejtave dhe lirinë e mediatike në ish-koloninë britanike.















