TIRANA– Një banesë me truall, e ndodhur në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, rezulton të ketë qenë shkaku kryesor që çoi në vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë, nga Elvis Shkambi, nipi i Gjon Shkambit.
Bëhet fjalë për ndërtesën e njohur si “Shkolla e Rezervave”, për të cilën Elvis Shkambi pretendon se është pronë private e familjes së tij. Ai ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme pretendimet e tij edhe në media, duke kërkuar largimin e 31 familjeve që aktualisht jetojnë në atë godinë, të cilët, sipas tij, po e shfrytëzojnë në mënyrë të padrejtë pronën.
Nga ana tjetër, banorët mbështeten në një vendim të Bashkisë Shkodër të vitit 1992, përmes së cilit janë strehuar në këtë ndërtesë. Ata kundërshtojnë pretendimet e familjes Shkambi, duke theksuar se godina është pronë shtetërore dhe se dokumentet e pronësisë të paraqitura nga Shkambi janë të kontestueshme.
Konflikti u përshkallëzua më tej në vitin 2020, kur palët u përplasën në zyrën e përmbarimit. Çështja kaloi nëpër disa hallka të sistemit gjyqësor dhe u zvarrit për vite me radhë, derisa përfundoi në duart e gjyqtarit Astrit Kalaja në Apel.
Sipas burimeve, vendimi i dhënë në favor të banorëve, dhe jo të familjes Shkambi, shkaktoi reagimin ekstrem të autorit, Elvis Shkambi, i cili pas përfundimit të seancës gjyqësore, qëlloi me armë gjyqtarin Kalaja, duke i shkaktuar vdekjen.