TIRANË- Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike kanë reaguar pasi grupi i hakerave të “Homeland Justice” sulmuan ditën e sotme faqen e Bashkisë së Tiranës.
Në njoftimin e AKSK, thuhet se incidenti ka ndikuar në funksionimin normal të disa shërbimeve dhe aplikacioneve që administrohen nga kjo bashki. Gjithashtu bëhet me dije se AKSK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka ngritur një grup pune, të përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike.
Ky grup ka nisur punën në terren në bashkëpunim me stafin teknik të Bashkisë Tiranë, ndërsa bëhet me dije se po punohet për të rikthyer shpejt sistemet dhe në funksionalitet të plotë.
REAGIMI I PLOTË:
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon opinionin publik se ditën e sotme është konstatuar një incident kibernetik që ka prekur disa prej infrastrukturave dhe sistemeve të informacionit të Bashkisë Tiranë.
Nga vlerësimi paraprak, incidenti ka ndikuar në funksionimin normal të disa shërbimeve dhe aplikacioneve që administrohen nga kjo bashki.
Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit për rastin, AKSK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike. Ky grup ka nisur menjëherë punën në terren në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të Bashkisë Tiranë për të:
• Kryer analizën fillestare të komprometimit të infrastrukturës dhe identifikimin e pikave të hyrjes së sulmit;
• Izoluar dhe kufizuar përhapjen e ndikimit në sistemet e tjera të ndërlidhura;
• Ndërmarrë masat e para për rikthimin e funksionimit të sistemeve të goditura;
• Hartuar rekomandimet e para për përmirësimin e sigurisë dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës në infrastrukturat përkatëse.
Aktualisht, punonjësit e AKSK-së janë në terren dhe në koordinim të plotë me autoritetet vendore, Policinë e Shtetit, si edhe AKSHI-n për analizën e malëare-t si edhe me institucionet përgjegjëse, për të siguruar një rikthim sa më të shpejtë dhe të sigurt të sistemeve në funksionalitet të plotë.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbetet i përkushtuar në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë.
Në vijim do të ofrojmë përditësime të mëtejshme mbi ecurinë e hetimeve dhe masat e ndërmarra, në përputhje me zhvillimet dhe informacionin e konfirmuar teknikisht.
Për çdo informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat ftohen të referohen vetëm në kanalet zyrtare të AKSK.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Faksk.gov.al%2Fposts%2Fpfbid026daGgZS5mygG6oLD7A4we9NB9epAPRKVUpX7MCT16FUHTdkGQ9BLigBd8wqpafCzl&show_text=true&width=500
Grupi i hakerave të ‘Homeland Justice’ kanë sulmuar ditën e sotme faqen e Bashkisë Tiranë. Mësohet se hakerët në këtë faqe kanë nxjerr të dhëna sensitive nga sistemi. Ndërkohë që më pas kanë fshirë komplet serverat e webit. Në një postim të publikuar në kanalin e tyre në Telegram, hakerat shprehen se ata po ndëshkohen për veprimet e tyre.