Flota e Marinës Ushtarake Greke ka marrë zyrtarisht fregatën e parë të tipit Belharra, me emrin “Kimon”, në një ceremoni që u zhvillua në kantieret detare të Lorient-it, Francë. Në këtë ngjarje, ishin të pranishëm përfaqësues të lartë politikë dhe ushtarakë nga Greqia dhe Franca, ku, sipas traditës, ekuipazhi ngjiti flamurin grek mbi anije.
“Kimon” është e para nga katër fregatat Belharra që Greqia do të përfitojë si pjesë e marrëveshjes strategjike për mbrojtjen me Francën. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, e cilësoi këtë moment si një fazë të re të modernizimit të Forcave të Armatosura, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, theksoi rëndësinë e këtij hapit në forcimin e kapaciteteve detare të vendit.
Fregata “Kimon” ofron një sërë funksionesh, përfshirë mbrojtjen ajrore, kundër-nëndetëse dhe operacione kundër anijeve sipërfaqësore. E pajisur me sisteme moderne sensorësh dhe teknologji elektronike, anija gjithashtu ka aftësi për të operuar me helikopterë dhe dronë. Në ditët në vijim, “Kimon” pritet të lundrojë drejt Brestit për t’u pajisur me armatim dhe do të arrijë në Bazën Detare të Salaminës në janar.
Dy fregata të tjera nga kjo klasë do të dorëzohen deri në vitin 2026, ndërsa ndërtimi i një njësie të katërt ka filluar gjithashtu. Greqia ka miratuar një plan afatgjatë modernizimi të Forcave të Armatosura që shtrihet deri në vitin 2036, me një buxhet prej 25-26 miliardë eurosh për blerje armësh dhe pajisjesh moderne.
Investimet përfshijnë blerjen e rreth 20 avionëve F-35A Lightning II nga SHBA, modernizimin e avionëve ekzistues F-16 në konfigurimin “Viper”, dhe sistemet e raketave PULS nga Izraeli. Ky program synon të krijojë një ushtri më moderne dhe fleksibël, duke rritur kapacitetet ajrore, detare dhe tokësore për të ruajtur avantazhin strategjik në rajon dhe për t’u përballur me sfidat e ardhshme.















