Një gjyqtar amerikan ka rrëzuar padinë e Donald Trump për shpifje ndaj Wall Street Journal lidhur me një artikull që pretendonte se emri i tij shfaqej në një kartolinë ditëlindjeje të vitit 2003 për financierin Jeffrey Epstein. Gjyqtari Darin Gales, nga gjykata federale e Miamit, vendosi se Trump nuk i plotësonte standardet ligjore për të provuar një rast shpifjeje, që kërkon të dëshmohet se një deklaratë e tillë është e rreme dhe se ai që e ka bërë atë e dinte ose duhej ta dinte se ishte e tillë.
Gales theksoi se padi e Trump nuk arriti të përmbushte këto kritere, duke shpjeguar se gazetarët e Wall Street Journal kishin kontaktuar Trump për një koment para publikimit dhe kishin përfshirë mohimin e tij në artikull. Kjo, sipas gjyqtarit, u lejoi lexuesve të formonin vetë mendimin e tyre, përkundër pretendimit të Trump se gazeta veproi me keqbesim.
Trump ka mundësinë të paraqesë një version të ri të padisë deri më 27 prill. As avokatët e tij dhe as Shtëpia e Bardhë nuk kanë dhënë komente mbi këtë çështje. Në padinë e tij, Trump e quajti kartolinën “të rreme” dhe kërkoi 10 miliardë dollarë dëmshpërblim për dëmtimin e reputacionit të tij. Dow Jones, pronari i Wall Street Journal, mbrojti saktësinë e artikullit të datës 17 korrik 2025.
Kjo padi është një nga disa që Trump ka ngritur ndaj mediave gjatë presidencës së tij për raportime që ai i ka konsideruar të padrejta. Avokatët e Wall Street Journal dhe Rupert Murdoch, pronari i tij, argumentuan se padi e Trump kërcënon lirinë e shprehjes dhe tenton të heshtë ata që publikojnë përmbajtje që ai nuk e pëlqen.















