KOSOVË- Më 28 korrik, para Gjykatës Themelore në Prishtinë, pritet të shpallet aktgjykimi në rastin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022. Për këtë rast janë të akuzuar Millun Millenkoviç – Llune, Dejan Pantiç, Aleksandar Vllajiç dhe Miomir Vakiç.
Prokuroria e Kosovës kishte ngritur aktakuzë në dhjetor të vitit 2023 për veprën penale “akt terrorist”. Ata akuzohen se kanë sulmuar zyrat e KQZ-së me bomba dore dhe mjete shpërthyese, me qëllim – siç thuhet në aktakuzë – “destabilizimin ose shkatërrimin e strukturave politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës”. Sipas prokurorisë, nga ky sulm janë rrezikuar seriozisht jetët e zyrtarëve të KQZ-së dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Në seancën e parë, të mbajtur në fund të janarit 2024, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm. Millenkoviç dhe Vllajiç ndodhen në paraburgim, ndërsa Vakiç dhe Pantiç po mbrohen në liri.
Kush është Millun Millenkoviç – Llune?
Ai përmendet si organizatori kryesor i sulmit ndaj zyrave të KQZ-së. Pas arrestimit të tij më 13 qershor 2023 në Mitrovicën e Veriut, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Policia kishte arrestuar “njërin nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’, i cili ka drejtuar grupe kriminale që për vite me radhë kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si terroriste.
Sveçla, po ashtu, e ka lidhur Millenkoviqin me organizimin e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në maj të vitit 2023 në Zveçan, kur tensionet shpërthyen pas hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Nga përplasjet u plagosën mbi 100 persona nga të dyja palët.
Në anën tjetër, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka mohuar që Millenkoviq të jetë kriminel, duke e quajtur “luftëtar të shquar për interesat kombëtare serbe në veri të Kosovës”. Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kishte reaguar pas arrestimit, duke thënë se ka biseduar me zyrtarë ndërkombëtarë për këtë çështje.
Procesi gjyqësor dhe dëshmitë e Prokurorisë
Deklaratat përfundimtare të mbrojtjes u dhanë të premten, ku u theksua se aktakuza pjesërisht bazohet në komunikime të përgjuara përmes aplikacionit Viber. Avokatët i mohuan akuzat ndaj klientëve të tyre.
Portali “Betimi për Drejtësi”, që ndjek rregullisht proceset gjyqësore në Kosovë, raportoi se avokati Lubomir Pantoviq deklaroi se të gjitha provat e përfshira në aktakuzë mbështeten në raporte dhe dokumente policore, pa ndonjë përshkrim konkret të veprimeve të pretenduara të të akuzuarve.
Kush janë të akuzuarit për terrorizëm?
Më 6 dhjetor 2022, në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut u hodhën dy mjete shpërthyese, nga të cilat njëra eksplodoi.
Për këtë rast, më 9 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës u arrestua Dejan Pantiç, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, veprim që nxiti krizë në veri dhe vendosjen e barrikadave nga serbët lokalë. Barrikadat u hoqën më 29 dhjetor, pasi një vendim gjyqësor e lejoi Pantiqin të mbahej në arrest shtëpiak.
Më 13 qershor 2023, në Mitrovicën e Veriut u arrestua Millun Millenkoviç – Llune. Arrestimi i tij u pasua nga ndezja e sirenave të alarmit në qytet, çka solli grumbullime të qytetarëve. Gjatë periudhave të tensionuara në veri, këto sirena janë përdorur për të mobilizuar popullatën – dyqanet, barnatoret dhe hapësirat komerciale mbylleshin, ndërsa grupe të organizuara dilnin në rrugë ose vendosnin barrikada.
Nuk dihej kush i menaxhonte këto sirena, por në dhjetor 2023, Policia e Kosovës njoftoi se kishte konfiskuar në Mitrovicën e Veriut një sirenë alarmi me gjashtë altoparlantë.
Aleksandar Vllajiç u arrestua nën dyshimin se kishte mbledhur dhe transmetuar informacione konfidenciale për Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA). Ai u akuzua më pas në një rast të veçantë për spiunazh dhe në fillim të qershorit u dënua me pesë vjet burg. Vllajiç e pranoi fajësinë për rastin e spiunazhit, por e mohon përfshirjen në sulmin ndaj KQZ-së.
Gjatë gjykimit, prokuroria paraqiti prova se edhe Miomir Vakiç ka qenë i përfshirë në sulm. Janë prezantuar mesazhe që ai ka shkëmbyer me të akuzuarin Dejan Pantiç, në të cilat Pantiç shkruan: “Këtu po bien dardhat”, ndërsa Vakiç i përgjigjet: “hidhuni ndonjë mollë”. Sipas prokurorisë, kjo gjuhë e koduar nënkuptonte vendndodhjen e policisë dhe përdorimin e bombave./REL
 
			 
                                 
			
 
                                 
                                
 
							












