KOSOVË- Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin lidhur me kërkesën e parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit. Ata në kërkesën e tyre kundërshtonin vendimin për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendime të tjera të ngjashme, të marra gjatë seancave konstituive të Kuvendit të mbajtura në prill dhe maj 2025.
Në vendim theksohet se deputetët duhet që brenda tridhjetë ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij. Gjykata vlerësoi se Kuvendi nuk është konstituuar sipas Kushtetutës, pasi procesi i filluar më 15 prill nuk ka përfunduar me zgjedhjen e organeve drejtuese. Kjo, sipas saj, e bën të pavlefshme çdo veprim tjetër që pretendon të ketë marrë legjitimitet nga një seancë që nuk ka përmbushur elementet themelore të konstituimit.
Gjykata theksoi se Seanca Konstituive është një akt kushtetues, i cili mund të quhet i përfunduar vetëm pas zgjedhjes së Kryesisë, përkatësisht Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Për më tepër, ajo rikujtoi se Kushtetuta thekson që ky proces duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve.
Në këtë aktgjykim, Gjykata e Kushtetuese gjithashtu thekson rëndësinë e bashkëpunimit në mirëbesim ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare për të siguruar funksionalitet institucional. E drejta për të propozuar Kryetarin, që i takon grupit më të madh parlamentar, vjen me detyrimin për të kërkuar konsensus dhe kompromis, dhe nuk mund të përdoret si instrument për bllokim institucional.
“Gjykata ka vendosur njëzëri: I. Të deklarojë kërkesën të pranueshme; II. Të konstatojë që: 1. Seanca e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar dhe si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës e njëjta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe
2. Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] në ndërlidhje me nenin 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], nenin 70 [Mandati i Deputetëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij,” thuhet në njoftim.