TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe avokatët ndërkombëtarë të tij kanë reaguar lidhur me vendimin e djeshëm të Gjykatës së Lartë për lënien në fuqi të masës “arrest në burg”.
Në reagimin e mëposhtëm të postuar në rrjetet sociale të kryebashkiakut thuhet se pas rreth 5 muajsh në paraburgim, Veliajt i është mohuar aksesi me avokatët e tij ndërkombëtarë.
Daniel Fetterman, një ish prokuror federal në SHBA dhe partner i zyrës ligjore amerikane Kasoëitz LLP është shprehur se mbajtja e tij pa akuzë në paraburgim është në kundërshtim me parimet e vendosura për një proces të rregullt ligjor, dhe në papajtueshmëri me sundimin e ligjit.
Nga ana tjetër kryebashkiaku e ka cilësuar vendimin e Gjykatës së Lartë, si “zhgënjyes”, ndërsa shton se do të ndjekë çdo rrugë ligjore në mënyrë që sipas tij “t’i shërbejë përsëri Tiranës”.
POSTIMI I PLOTË:
DEKLARATË E AVOKATËVE NDËRKOMBËTARË TË KRYETARIT TË BASHKISË SË TIRANËS, ERION VELIAJ, LIDHUR ME VENDIMIN E GJYKATËS SË LARTË
9 Korrik 2025, Tiranë: Dje, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë vendosi që Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës, do të qëndrojë në masën arrest me burg në IEVP Durrës, Shqipëri. Dëgjesa me dyer të mbyllura u mbajt në 8 Korrik 2025, në orën 12:00, pas shqyrtimit të dokumentave. Kryebashkiaku Veliaj hedh poshtë me vendosmëri çdo pretendim.
Pas rreth 5 muajsh qëndrimi në paraburgim dhe një hetimi thuajse dy vjeçar nga Prokuroria e Posaçme e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (“SPAK”), Kryebashkiakut Veliaj i mohohet ende aksesi me avokatët e tij ndërkombëtarë. Mbajtja në paraburgim e Z. Veliaj ka sjellë shumë shqetësime për familjen dhe miqtë e tij.
Burgosja pa akuzë e Z. Veliaj është miratuar më herët nga gjykatat pa kryer një vlerësim kuptimplotë nëse arrestimi i tij është i nevojshëm, proporcional apo i arsyeshëm, dhe pa vlerësimin e duhur të masave alternative ndaluese.
Daniel Fetterman, një ish prokuror federal në Shtetet e Bashkuara dhe partner i Kasoëitz LLP, një nga firmat ndërkombëtare e cila së fundmi ka publikuar edhe një raport të përbashkët hetimor lidhur me burgosjen e paligjshme të Kryebashkiakut Veliaj, tha:
“Mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj – pa akuzë dhe kur ka mundësi për masa më të qarta, proporcionale dhe të arsyeshme alternative ndalimi – është në kundërshtim me parimet e vendosura për një proces të rregullt ligjor, dhe në papajtueshmëri me sundimin e ligjit.”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha: “Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë është jashtëzakonisht zhgënjyes.
Sot, unë duhet të isha një hap më pranë kthimit në shtëpi, pranë familjes sime. Por, në vend të kësaj, ndodhem i burgosur dhe në izolim në IEVP Durrës, në pamundësi për t’u takuar me këshilluesit e mi ligjorë ndërkombëtarë apo për të pasur informacionin e nevojshëm për të mbrojtur veten.
Unë do të vijoj të ndjek të gjitha rrugët ligjore në mënyrë që t’i shërbej përsëri Tiranës”.
Ben Brandon, Partner, Mishcon de Reya shtoi:
“Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (“ECHR”) i ndalon burgosjet arbitrare, dhe garanton që arrestimi duhet të jetë një masë e nevojshme, proporcionale dhe e arsyeshme. Ne po presim vendimin e plotë të Gjykatës së Lartë, por jemi duke marrë në konsideratë të gjitha masat e mundshme ligjore. Ne mbetemi jashtëzakonisht të shqetësuar që mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj bie në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.”
Raporti i plotë për arrestimin e padrejtë të Kryebashkiakut Veliaj mund të gjendet këtu -> https://c212.net/c/link/?t=0&l=en&o=4455213-1…
Kasoëitz dhe Mishcon de Reya do të vazhdojnë të ndjekin fuqishëm të gjitha mjetet e mundshme ligjore ndërkombëtare në emër të Kryebashkiakut Veliaj.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FErionVeliaj%2Fposts%2Fpfbid0cLNjmkGWE6wC2WtGWaFcjiLy9WXEqHv1vaNk1nt293WWNq5houEbwR7i5BgKvK4Hl&show_text=true&width=500
Gjykata e Lartë ka rrëzuar mesditën e djeshme kërkesën e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj për të dalë nga burgu. Veliaj në Gjykatën e Lartë kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, por kjo kërkesë u rrëzua nga trupa gjykuese. Të gjitha kërkesat e tjera që janë bërë nga Veliaj në shkallë të ndryshme të gjyqësorit, për tu liruar nga burgu janë rrëzuar.
Arrestimi i Veliajt
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi “detyrim paraqitje”.
Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.