Pas lirimit nga paraburgimi, këngëtari Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti, ka reaguar në Instagram, duke shprehur se periudha e fundit ka qenë e vështirë për të. Ai pranoi se veprimet për të cilat është akuzuar kanë qenë të gabuara dhe kërkoi falje për shqetësimin që ka shkaktuar.
Në reagimin e tij, këngëtari njoftoi se do të vazhdojë karrierën muzikore, duke premtuar publikimin e këngëve në rrjetet sociale. Ai falënderoi fansat për mbështetje dhe avokatët e tij, Burim Azemin dhe Artan Serkinin, për ndihmën e tyre profesionale.
Gjesti theksoi se ka nisur procedura ligjore ndaj kompanisë Onima për keqtrajtimet dhe borxhet e tjera të papaguara. Ai shprehu besimin se askush nuk mund t’i ndalë muzikën dhe se drejtësia do të fitojë gjithmonë.
Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, masën e paraburgimit ndaj Gjestit e ndërpreu një javë pas arrestimit të tij për armëmbajtje pa leje dhe kanosje. Avokatët e tij argumentuan se paraburgimi nuk ka qenë masë proporcionale sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.
Këngëtari shprehu falënderime për ata që e përkrahën në këtë periudhë, duke përfunduar me një mesazh optimist për të ardhmen e tij muzikore.















