Tiranë/Operacióni policor “Catch 6” për kapjen e të kërkuarve
Policia e Tiranës ka përfunduar me sukses operacionin e koduar “Catch 6”, duke arrestuar 6 shtetas të shpallur në kërkim për vepra penale të ndryshme. Ky aksion ishte rezultat i kontrolleve të kryera në terren dhe informacionit të siguruar në rrugë operative.
Mes të arrestuarve është K. M., 32 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Apelit me 3 vjet e 4 muaj burgim për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ai ka mbetur për të vuajtur 1 vit, 9 muaj e 20 ditë. Po ashtu, M. N., 25 vjeç, u kap për “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve”, pasi Gjykata e ka dënuar po ashtu me 3 vjet e 4 muaj burgim.
Një tjetër arrestim u bë për E. K., 24 vjeç, i cili kishte një dënim prej 10 muaj e 20 ditë për “Përndjekjen”. L. H., 43 vjeç, u kap me 2 muaj burgim për “Vjedhjen” e mbetur në tentativë, si dhe Xh. A., 35 vjeç, i kërkuar për një vjedhje të kryer në bashkëpunim. Po ashtu, G. K., 22 vjeç, u arrestua për “Vjedhjen” në tentativë dhe “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”.
Të arrestuarit janë dorëzuar për veprime të mëtejshme në strukturat përkatëse, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për hetime të thelluara. Ky operacion vjen si pjesë e përpjekjeve të policisë për të luftuar krimin dhe për të kapur ata që janë në kërkim nga drejtësia.















