Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka vizituar të miturit në Institutin e Kavajës për të diskutuar mbi vendimin e Gjykatës së Strasburgut që e favorizoi Shiqiri Manjanin. Ky i fundit është një shembull frymëzues i një të riu që, pas problemeve me ligjin në fëmini, arriti të përfitojë një vend në shkollën për prokuror duke u renditur ndër më të mirët.
Megjithatë, Manjani u skualifikua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ai e vazhdoi betejën e tij në Strasburg, ku gjykata i dha të drejtë, duke e rikujtuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri se e kaluara nuk duhet të ndjekë individët që janë rritur dhe rehabilituar.
Gogu, gjatë takimit, theksoi: “Unë jam i bindur që ju e keni marrë vesh se, këto ditë, një i ri si ju, i cili ka bërë një gabim në jetën e tij, i mohuan të drejtën e profesionit. Ai nuk u dorëzua dhe shkoi deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, dhe tani e ka fituar këtë çështje.”
Historia e Shiqiri Manjanit, i cili përballet me sfida të mëdha për shkak të ngjarjeve të së kaluarës që kanë ndikuar në të ardhmen e tij profesionale, u bë publike për herë të parë në vitin 2023, fillimisht nga Top Channel në dokumentarin “Fëmijët Tanë” dhe më pas në podcastin e Top Albania Radio, “Fol me Anila Hoxha”.
Ky rast ka ngjallur diskutime për situatën e të rinjve që përballen me stigma të kaluara dhe për mundësitë që u jepen për të rifilluar jetën e tyre.















