Drejtuesit e Akademisë “City Group” realizuan një vizitë në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) me qëllim eksplorimin e mundësive për bashkëpunim në zhvillimin e futbollit dhe përmirësimin e edukimit të trajnerëve. Presidenti i FSHF, Armand Duka, priti delegacionin në zyrën e tij, ku u zhvillua një shkëmbim i ideve mbi perspektivat e futbollit shqiptar.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e akademisë patën një takim me Drejtorin Teknik të FSHF-së, Fulvio Pea, dhe Koordinatorin e zyrës së Presidentit, Abdyl Kuriu, si dhe me përfaqësues të Departamentit Teknik dhe Edukimit. Në këto takime, u diskuta mbi mundësitë për një partneritet që do të ndihmonte në krijimin e urave të qëndrueshme bashkëpunimi përmes shkëmbimit të njohurive dhe eksperiencave në fushën teknike.
Pjesë e diskutimeve ishin propozime për angazhimin e trajnerëve të FSHF-së si lektorë në aktivitetet e Akademisë “City Group”, si dhe përfshirja e trajnerëve të akademisë në programet edukative të FSHF-së. U shqyrtua gjithashtu mundësia e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta teknike dhe ndeshjeve miqësore ndërmjet ekipeve.
Ky takim shënon një moment të rëndësishëm për zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe shkëmbimin e eksperiencave, me palët që mbeten në fazën e diskutimeve për mundësitë konkrete të bashkëpunimit në të ardhmen. Kjo iniciativë synon të kontribuojë në rritjen e standardeve të futbollit shqiptar dhe edukimin e trajnerëve, duke krijuar një platformë të mirë për zhvillimin e sportit në vend.















