Pjetër Kaza 57 vjeç është i fundit i vrarë me armë zjarri si pasojë e gjakmarrjes mes fiseve Kaza dhe Gjini. Ai u ekzekutua këtë të dielë (1 qershor) në oborrin e shtëpisë së tij në Tale të Lezhës.
Ndërkohë një vit më parë, më 6 maj 2024, vëllai i tij, Agustin Kaza 44-vjeç u qëllua me armë zjarri në tarracën e një kafeneje në komunën Schaarbeek në Bruksel.
Drejt viktimës u qëllua me breshëri plumbash dhe ai ndërroi jetë një javë pas shtrimit në spital, duke mos i mbijetuar plagëve.
Kaza mori një plumb në kokë dhe tre në gjoks, ndërsa u dërgua në spital në gjendje të rëndë.
Augustin Kaza, ishte ulur në një kafene, kur një burrë i maskuar e qëlloi katër herë.
Historitë e vrasjeve
Familja Kaza janë me origjinë nga Oroshi i Mirditës.
44-vjeçari i vrarë në Belgjikë dhe 57 vjeçari i vrarë në oborrin e shtëpisë së tij janë vëllezër të Martin Kazës, i dënuar për vrasjen e dy vëllezërve Gjini, në 3 korrik të 1997 në Mirditë.
Martin Kaza është dënuar me 22 vite burg për vrasjen e vëllezërve Dod dhe Augustin Gjini, të cilët dyshoheshin se i kishin vrarë vëllain shef krimesh në vitin 1994.
Martin Kaza u ekstradua nga Britania e Madhe në vendin tonë, në dhjetor të vitit 2017 dhe po vuan ende dënimin në qeli.