Koment nga Timoni.al
Në 11 maj, Partia Socialiste triumfoi në qarkun e Fierit me plot 12 mandate. Një rezultat që në çdo rrethanë tjetër do të quhej një sukses politik për eksponentët e mazhorancës. Por për Belinda Ballukun, kjo fitore nuk është tjetër veçse një kafshatë që s’i kapërdihet dot. Sepse ndërsa ajo përpiqet të shesë këtë rezultat si dëshmi të mbështetjes popullore, drejtësia po i afrohet me hapa të sigurt dhe të pandalshëm.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë është thirrur nga SPAK jo për një ceremoni përgëzimi, por për të dhënë llogari si person në dijeni për aferën korruptive të inceneratorit të Tiranës – një dosje që po shndërrohet në simbol të kalbëzimit moral dhe ligjor të kupolës qeverisëse.
Nëse shohim me kujdes panoramën që rrethon Ballukun, tabloja është alarmante: drejtues të institucioneve të mëdha në varësinë e saj janë në pranga ose nën hetim. Ergys Verdho, ish-drejtori i KESH, u largua pas nisjes së hetimeve për abuzim me tenderat. Evis Berberi, ish-kreu i ARRSH-së, ndodhet në burg për korrupsion dhe pastrim parash. Dy biznesmenë të lidhur me këtë aferë, Valter Begaj dhe Ervis Lamaj, ndodhen gjithashtu në pranga.
Por lista nuk mbaron këtu. Kreu i Tatimeve, Ceno Klosi, një tjetër njeri kyç në skemën e qeverisjes së Ballukut, është subjekt i një hetimi të gjerë për korrupsion pasiv, shpërdorim detyre, falsifikim dokumentash dhe mashtrim. Një kallëzim i dorëzuar nga Partia Demokratike ka mjaftuar që Prokuroria e Posaçme të zgjerojë rrethin e hetimeve dhe të ndezë alarmin në zyrat e qeverisë.
Të gjitha këto fakte flasin qartë: nëse drejtësia funksionon, Belinda Balluku nuk ka asnjë shans t’i shpëtojë përgjegjësisë. Ajo është kthyer në një nyje kyçe të aferave të mëdha që kanë fundosur paratë publike në xhepa privatë. Fitorja në Fier mund të jetë llogaritur si një kapital politik, por në të vërtetë është thjesht një copë letër që do të digjet shpejt në zyrat e SPAK-ut.
Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar – por duket se për Ballukun, ajo po vjen me shpejtësinë e një ekspresi që s’ndalet më. Dhe atëherë, as mbështetja e votuesve në Fier, as mburoja politike, nuk do të mjaftojnë për ta shpëtuar nga pasojat e një korrupsioni që tashmë është bërë publik, sistemik dhe i pamohueshëm.
Paralelisht me “5D”, ekzistonte dhe “5B” e Belinda Ballukut. Drejtorët e saj, madje duken më të grykshëm se ata të Erion Veliajt, kur vjen puna te korrupsioni. Por deri më tani, vetëm Evis Berberi është para drejtësisë për këto skema, ndërsa të tjerë vijojnë lirshëm të përdorin ndoshta paratë e korrupsionit për fushatën elektorale të Belinda Ballukut. Nga Blendian Dalipi dhe Plator Muhametllari të OSHE, te Ceno Klosi e Spartak Kovaçi, e vet Belinda Balluku me Tigrat e Vlorës, llogaritet të kenë pëfituar apo abuzuar me me një shumë financiare që kalon vlerën e 378 milionë eurove.
Skema e pakëzuar tashmë si “5D”, ishte një projekt i Rilindjes, këtë e dëshmojnë faktet. Jo vetëm Erion Veliaj, por edhe drejtorët e Belinda Ballukut, janë përfshirë, madje me shuma shumë më të larta, skemën që në këtë rast e kemi cilësuar si “5B”. Skema e parë që Plug denoncoi, lidhur me drejtorët e Belinda Ballukut, është ajo e ish-drejtorit të ARRSH, Evis Berberi.
Nga të dhënat e publikuar në emisioni “Plug”, rezulton se Evis Berberi ka fshehur jo vetëm marrëdhënien financiare me shoqërinë “DAAM shpk” dhe “NET-GROUP”, por njëkohësisht ai dyshohet se është në kushtet e mashtrimit me formularin e deklarimit të pasurisë. Ndërkohë në emision u sollën me fakte rastet kur Evis Berberi firmosi si kreu i ARRSH firmosi disa tendera me vlerë totale më shumë se 4 milionë euro për kompaninë e mikut të tij Valter Bega, NET-GROUP. Siç ka rezultuar nga hetime e SPAK, shoqëria NET-GROUP transferonte paratë më pas në llogaritë e DAAM SHPk, nga llogaritë bankare të së cilës Evis Berberi ka tërhequr dhjetëra herë shuma në vlerë qindra mijëra euro, ndonëse nuk ishte më pronar i saj. Për këtë aferë janë arrestuar kreu i ARRSH Evis Berberi dhe dy miqtë e tij, Valter Begaj dhe Ervis Lami.
Në tetor të vitit 2024, Emisioni Plug në syri televizion, ka zbardhur ekskluzivisht një tjetër skemë të dyshuar korruptive, e ngjashme si ajo “5 D” e drejtorëve të Erion Veliajt në bashkinë e Tiranës. Plug, denoncoi se si drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në varësi direkte të Belinda Ballukut, Blendian Dalipi, ka përfituar miliona euro tendera nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanisë së tij dhe asaj të babait të tij. shtetasi Bajram Dalipi, i cili është babai i Blendian Dalipit, rezulton se është pronar i kompanisë I.D.K. Konstruksion. Kompania e Bajram Dalipit, e themeluar në vitin 2004, do të rriste aktivitetin e saj financiar pas ardhjes së socialistëve në pushtet. Nga viti 2013 e deri më sot, kompania I.D.K. Konstruksion në pronësi të babait të drejtorit të OSSH, Blendian Dalipi ka përfunduar mbi 30 milionë euro tendera publik, shumë prej të cilëve janë marrë nga institucione në varësi të Belinda Ballukut. Skandali thellohet më tej, pasi paratë e marra nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanisë I.D.K konstruksion të Bajram Dalipit, kanë përfunduar në xhepat e djalit të tij, Blendian Dalipi, një nga njerëzit më të afërt të Belinda Ballukut. Pasi merrte projekte publike, kompania e Bajram Dalipit kontraktonte për kryerje punimesh kompaninë ABNID, e cila rezulton se është në pronësi të djalit të tij, Blendian Dalipi, që gjithashtu mban postin e drejtorit të OSSH. Të gjithë këto fakte u denoncuan në emisionin Plug në syri televizion, ku gjithashtu u publikuan edhe të dhëna se si gjatë kohës që Blendian Dalipi ka qenë në krye të OSSH ka dhënë plotë 44 milionë euro tendera pa garë, duke ngritur dyshime për abuzime.
Në muajin shkurt 2025, Plug denoncoi gjithashtu një tjetër skemë “5B”, këtë herë në OSHE-n e Durrësit. Pas kësaj skeme qëndron pikërisht drejtori i OSHE në këtë qytet, Plator Mehmeti, një nga njerëzit e besuar të Ardian Çelës dhe Belinda Ballukut. Plug denoncoi së pari, faktin se Mehmeti është një person i cili ka qenë së katër herë i dënuar për akuza të korrupsionit, vjedhjes së energjisë, shpërdorimit të detyrës, shkelje të barazisë në tendera apo falsifikim dokumentesh.
Sikur të mos mjaftonin dënimet e fshehur, Plator Mehmeti është i përfshirë në një skemë të ngjashme si “5D” e bashkisë së Tiranës. në vitin 2009 krijohet kompania HTM shpk nga shtetasi Ilir Tabaku. Deri në vitin 2013 kompania deklaron të ardhura minimale, ndërsa deri në shtator të vitit 2015, kompania qëndron me status pezulluar. Por fill pas emërimit të Ardian Celës në krye të OSHE në Durrës, kompania riaktivizohet dhe fillon të ketë një lulëzim të jashtëzakonshëm financiar. nga vitit 2015 deri në vitin 2023 kompania fiton dhjetëra tendera kryesisht nga OSHE, Bashkia Durrës dhe institucione të tjera. kjo kompani, gjatë kësaj periudhe ka pasur një xhiro totale prej rreth 25 milion eurosh, burim i të cilave janë pikërisht tenderat publik, ndërsa shumë prej këtyre parave dyshohet se janë përdorur apo do të përdoren për fushatë elektorale në Durrës.
REAR shpk, është kompania tjetër me pronësi dhe lidhje të pakundërshtueshme me Plator Mehmetin, që gjithashtu ka përfituar qindra milionë lekë nga prokurimet publike. Nga viti 2006 kur u themelua e deri në vitin 2023, xhiroja e kompanisë përllogaritet në mbi 1. 3 miliardë lekë apo 13 milionë euro, e kryesisht të ardhurat janë nga prokurimet publike.
Më 19 mars 2025, Emisioni Plug në syri televizion publikoi një tjetër skemë të dyshuar korruptive të drejtorëve dhe njerëzve të afërt të Ministres së Energjisë, Belinda Balluku. Bëhet fjalë për ish-Drejtorin e Tatimeve, Ceno Klosi dhe kushëririn e tij, Spartak Kovaçi, i cili mban postin e drejtorit të Ujësjellësit të Durrësit. Në investigimin e Plug, rezulton se dy njerëzit e afërt të Belinda Ballukut, përllogaritet të kenë marrë të paktën 32 milionë euro tendera, prona publike, leje ndërtimi madje dhe me firmën e vetë kryeministrit Edi Rama.
Ceno Klosi, gjatë kohës që ka pasur detyra të larta shtetërore, duket se është kujdesur që në poste të rëndësishme të OSHE apo Fondin Shqiptar të Zhvillimit, të kryejë një seri punësimesh nepotike të familjarëve të tij. Pas punësimit në detyra shtetërore, të familjaret e Ceno Klosit, si dhe vëllai i këtij të fundit, Genti Klosi, nisën të themelojnë edhe kompani private, si FIPROP apo T.O.V. vëllai i Ceno klosit, Genti Klosi, në një kohë të shkurtër do të zhvillojë bizneset e tij në fushën e bareve dhe restoranteve, me të ardhura rekord. Genti Klosi do të hyjë në marrëdhënie biznesi edhe me Petrit Kovaçin, babain e Spartak Kovaçit, drejtorit të ujësjellësit të Durrësit. Klosi dhe Kovaçi, në një kohë të shkurtër në kompaninë Adriatik Union, nisin të zotërojnë prona me vlera qindra mijëra euro, ndërsa në vitin 2023, Edi Rama u miraton edhe një leje ndërtimi për hotel në Durrës, ku dyshimet janë se ky hotel është ndërtuar edhe mbi një pronë shtet.
Spartak Kovaçi, babai i drejtorit të ujësjellësit të Durrësit, Adriatk Kovaçi, është pronar edhe i kompanisë Adriatik SHPK. Me këtë kompani, Kovaçi ka përfituar 32 milionë euro tendera publik. Kompania Adriatik SHPK, ka përfituar tendera nga Bashkia e Durrësit, dhe ndërmarrje të tjera publike. Gjithashtu, vetë Spartak Kovaçi ka firmosur tendera për kompaninë e babait të tij, ndërkohë që më herët nga kjo kompani drejtori i ujësjellësit të Durrësit ka marrë si dhurat 100 mijë euro divident nga babai. Jo vetëm tenderat e drejtpërdrejtë, por kompania Adriatik SHPK, ka qenë nënkontraktore kryesore e kompanive të tjera, të cilat kanë marrë tendera nga ujësjellësi i Durrësit. Një rast i tillë është ai i ndërtimit të hidrovorit të Durrësit, i cili nuk është vën ende në punë, e për këtë shkak Durrësi është përmbytur disa herë. Adriatik SHPK, e drejtorit të Belinda Ballukut në Ujësjellësin e Durrësit ka pasur një marrëdhënie bashkëpunimi dhe me 5D-n e drejtorëve të Erion Veliajt, ku së bashku kanë marrë tendera në dy bashkitë përkatëse, Durrës e Tiranë apo dhe kanë qenë zbatuese të përbashkëta të këtyre projekteve.
Spartak Kovaçi dyshohet se është pronar faktik edhe i kompanisë Eril B&B, e cila ka marrë 820 mijë euro pagea nga thesari i shtetit për tendera publik. Kjo kompani është themeluar nga dy punonjës të kompanisë Adriatik SHPK, ndërsa një numër i madh punonjësish figurojnë të regjistruar në të dyja kompanitë. Eril B&B, dyshohet se është krijuara enkas për fshehje gjurmësh apo kryerje transaksionesh për efekte justifikuese të projekteve.
Skema tjetër e publikuar përgjatë muajve të parë të vitit 2025, është ajo e drejtorit të Aviacionit Civil, Maksim Et`hemaj. Ky personazh, përfitoi leje për ndërtim parqesh fotovoltaike nëpërmjet kompanive të regjistruara në emër të familjarëve. Por pas kësaj afere fshihej kompania 4-AM, që ofroi garancitë financiare që motra e Maksim Ethemaj të merrte lejen për park fotovoltaik, rezulton se është një nga klientët kryesore të qeverisë në tendera publik, leje ndërtimi dhe koncesione. Sipas të dhënave të siguruara nga pagesat e thesarit, kompania 4-Am dhe kompani të lidhura me të, kanë përfituar gjatë qeverisjes së Partisë socialiste më shumë se 128 milionë euro tendera publik. Gjithashtu kjo kompani, apo kompani të lidhura me të, kanë marrë koncensione për hidrocentrale dhe leje ndërtimi. Në një nga kompanitë, të lidhura me 4-AM, HEnz Energy, del në skenë edhe një emër shumë i përfolur në skandalet korruptive të 5D, por tashmë edhe në 5B, Redi Molla. Ish-drejtori i Erion Veliajt, nëpërmjet babait të tij, Selim Molla, tashmë i ndierë, blen 7% të aksioneve të Henz Energy për vetëm 7 mijë lekë. Më pas vlera e invetimit shkon në rreth 900 milionë lekë, dhe kompania deklaron për herë të parë të ardhura.
Kryeafera e Belinda Ballukut dyshohet se është pikërisht ajo me “Tigrat” e energjisë në Vlorë. Edhe për këtë aferë, Emisioni investigativ Plug në Syri Televizion, publikoi detaje të reja nga skandali i marrjes me qira të dy gjeneratorëve, Tigrit 1 dhe Tigri 3 për prodhimin e energjisë elektrike, që janë ankoruar në Vlorë. Prej tre vjetësh anijet gjeneratorë të ankoruara në triportin e Vlorës, nuk kanë prodhuar asnjë kilovat orë, ndërsa kostoja ditore e tyre, ku përfshihet qiraja, karburanti dhe shpenzimet e mirëmbajtjes llogaritet në 100 mijë euro në ditë, apo 70 milionë euro për dy vjet. Madje, vetë procedura e marrjes me qira është bërë në shkelje të ligjeve të vendit, ndërsa gara dhe fituesi kanë qenë të paracaktuar. Plug zbuloi gjithashtu se ministrja Balluku vendosi të marrë me qira dy agregatet, të cilët ishin nxjerrë jashtë përdorimit nga kompania që i dispononte që në vitin 2018 për shkak të kostove të larta të mirëmbajtjes dhe kostove të larta të prodhimit të energjisë nga to.
Skandali thellohet dhe më tej, për shkak se edhe pse deri më tani këto gjeneratorë nuk janë vënë në punë dhe nuk kanë prodhuar asnjë kilovat energji elektrike, taksapaguesit shqiptarë kanë shpenzuar së paku 40 milionë euro. Këto pagesa kanë shkuar për blerje karburanti, ruajtjen e gjeneratorëve, ndërtim infrastrukture etj. Pagesat nuk ndalen me kaq. Nga ana tjetër, ortakët e kompanisë që i ka ofruar me qira shtetit shqiptarë dy gjeneratorët që nuk prodhojnë energji, kanë shpenzuar rreth 50 milionë dollar deri më tani dhe të gjitha janë injektime parash nga ortakët pët të paguar ortakun Recno spa. Ndërsa kapitali rritet ndjeshëm, kjo kompani nuk deklaron asnjë bilanc. Për të patur më shumë të dhëna analizuam dhe ortakun kryesor Excelerate Albania Holding. Kjo kompani ka si ortak të vetëm kompaninë Excelerate Energy Limited Partnership, pra jo kompaninë që ka lidhur kontratën me KESH sha, Excelerate Global Operations LLC.