TIRANA- I dyshuar si ekzekutor i biznesmenit Edmond Papa, Andrew Bode lidhi pakt vëllazërie 3 javë përpara se të kryente krimin, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Aleksandër Sadikaj, i njohur si Sanço. Gazetarja Klodiana Lala raporton se në dosjen e prokurorit që evidenton provat për fajësinë e të pandehurve Andrew Bode dhe Albano Velo, është theksuar dhe momenti që konsiderohet si lidhje e vëllazërisë, mes të pandehurit dhe Adriatik Kalemit, kushëri i Aleksandër Sadikaj.
Prokuroria evidenton edhe një tjetër video të zbuluar në celularin e Velos të datës 13 nëntor 2022 ku i pandehuri Andrew Bode dhe Adriatik Kalemi mbajnë në dorë një send në dukje armë zjarri pistoletë. Dyshimet janë se Bode dhe Velo kanë vepruar për llogari të Adriatik Kalemit, me të cilin kanë patur kontakte të vazhdueshme dhe lidhje të forta shoqërore me të. Ditën e ngjarjes rezulton se kanë frekuentuar vendet ku ai ushtron biznesin.
Prokuroria thotë se Bode dhe Velo e vëzhguan ditë të tëra viktimën, edhe kur ai drekonte, si dhe kur udhëtonte nga Lushnja ne Fier e anasjelltas. Për të fshehur gjurmët Bode përdorte makina të marra me qira, ndërsa Velo të njëjtin automjet më targë të ndryshuara. Sipas prokurorisë, pas arrestimit Velo ka tentuar të fshehë njohjen me Boden, por është tradhtuar nga telefoni, pasi gjatë këqyrjes së tij janë gjetur fotografi të shumta të të dyve dhe një fotografi e biznesmenit Edmond Papa.
“Të pandehurit janë lidhje e ngushtë shoqërore Adriatik Kalemit dhe e shtetasit Aleksandër Sadikaj, që u vra me 1 qershor 2022 në afërsi të TEG. Lidhjet shoqërore mes këtyre personave provohen ndër të tjera edhe nëpërmjet aktit të ekspertimit të aparatit celular të të pandehurit Albano Velo. Në celular është zbuluar një video e datës 27 nëntor 2022 në ku shfaqen i pandehuri Andrea Bode, Andrea Adriatik kalemi dhe Artur Kalemi, të cilët pijnë gjakun e njëri-tjetrit në formë vëllazërie”, thotë prokuroria.
Vrasja e Edmond Papës
Edmond Papa u ekzekutua pasditen e 16 dhjetorit 2022 në një lokal në zonën e Selitës teksa ishte duke pirë kafe. 49-vjeçari dyshohet se ka qenë shumë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Papa jetonte mes Sarandës dhe Fierit por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit.
Albano Velo dhe Andrew (Edvin) Bode janë identifikuar nga Policia e Shtetit si dy personat që kanë planifikuar dhe vrarë biznesmenin Edmond Papa. Velo ka pasur rolin e vëzhguesit, ndërsa Bode, atë të ekzekutorit. Vrasja e Papës dyshohet se është bërë si hakmarrje ndaj ekzekutimit të 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj, i cili u vra me shpërthim të eksplozivit në makinë. Velo është vënë në pranga, ndërsa po hetohet dhe babai i tij, Dilaver Velo, i cili ishte punonjës policie në Komisariatin nr.4 në Tiranë, por pas përfshirjes së djalit në këtë ngjarje, u shkarkua.