Tiranë – Një nga skandalet më të mëdha korruptive të viteve të fundit mund të sjellë tronditje të madhe në kupolën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe botën e biznesit të lidhur me tenderat publikë. Një anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Infrastrukturës, dikaster që drejtohet nga Belinda Balluku, ka dhënë dëshmi të hollësishme në SPAK për tenderin kolosal të tunelit të Llogarasë, me vlerë rreth 190 milionë euro.
Burime të sigurta nga organet e hetimit konfirmojnë se zyrtarja është thirrur dhe pyetur tre herë nga BKH, me urdhër të prokurorit Dritan Premçi, i cili po heton skemën e dyshuar të abuzimit.
Sipas dëshmisë, procedura është manipuluar nga fillimi deri në fund: nga kriteret e vendosura, ofertat që u skualifikuan në mënyrë të paarsyeshme, deri te mënyra si është favorizuar Rrok Gjoka, i njohur si biznesmeni që ka fituar disa prej kontratave më të mëdha publike të viteve të fundit.
Burime konfidenciale sqarojnë se zyrtarja, e cila ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, ka dorëzuar dokumente, e-maile dhe komunikime të brendshme, duke treguar qartë kush janë urdhëruesit dhe garantuesit politikë të tenderit.
Por ajo që ka ngritur dyshime për rrjedhjen e informacionit brenda BKH-së është fakti që, sipas burimeve, dëshmia e saj i është bërë menjëherë e ditur vetë Rrok Gjokës. Burime nga grupi hetimor thonë se një pjesë e dëshmisë është kopjuar dhe “nxjerrë” nga BKH për t’ia servirur biznesmenit, i cili dyshohet se është vënë në lëvizje për të shuar gjurmët dhe për të siguruar heshtjen e mundshme të dëshmitares.
Sulmi ndaj prokurorit
Ky zhvillim ka ndezur reagimin e mediave pranë pushtetit, të cilat kanë shpërndarë sulme të njëpasnjëshme ndaj prokurorit Dritan Premçi, duke e akuzuar se po neglizhon çështjen e inceneratorëve dhe se po “gjuan” politikanë të tjerë, si Balluku. Por, burime pranë SPAK-ut pohojnë se hetimi për inceneratorët nuk është lënë pas dore, ndërsa dosja e tunelit të Llogarasë ka marrë përparësi për shkak të provave konkrete që mund të çojnë deri te arrestime në nivel të lartë politik dhe biznesi.
Tuneli i Llogarasë – kontrata që mund të rrëzojë koka të mëdha
Tuneli i Llogarasë është një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend. Që nga dita e shpalljes së tenderit, opozita dhe ekspertë të pavarur kanë ngritur dyshime për favorizim, mungesë konkurrimi real dhe mbiçmim të kostove. Edhe raportet e hershme të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë theksuar mangësi dhe anomali në procedurat e prokurimit.
Me dëshminë e dhënë nën betim nga anëtarja e KVO-së, pista e abuzimeve merr për herë të parë një provë të fortë: një zyrtare që jo vetëm ka pranuar të tregojë çdo detaj, por ka dorëzuar edhe prova materiale, që sipas burimeve përfshijnë dokumentacion të brendshëm, shkresa zyrtare dhe komunikime të koduara.
Hetimet – a do të preket Balluku?
Deri tani, Ministria e Infrastrukturës nuk ka dalë me asnjë deklaratë zyrtare për këtë dëshmi. Ndërkohë, burime nga SPAK thonë se grupi hetimor po zgjerohet me pyetjen e zyrtarëve të tjerë që kanë qenë pjesë e procedurës, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e thirrjes së Belinda Ballukut si person që mund të ketë dijeni për mënyrën se si është udhëhequr tenderi.
Nëse rrëfimi i vajzës do të provohet nga të tjera prova, tuneli i Llogarasë mund të jetë një nga aferat më të mëdha të dekadës, që jo vetëm mund të dërgojë para drejtësisë figura të njohura politike, por edhe të vërë në provë seriozitetin e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.















