Një gjykatë në Dorset, Angli, ka nisur shqyrtimin e rrethanave që çuan në vetëvrasjen e emigrantit shqiptar Leonard Farruku. Ai u dërgua në një anije hotel nga Ministria e Brendshme britanike, pavarësisht problemeve të rënda të shëndetit mendor. Raporti i psikiatrit Dr. Dinesh Maganty, i siguruar nga gazetari Muhamed Veliu, dokumenton një sërë neglizhencash në trajtimin e Leonardit.
Sipas raportit, Leonard nuk duhej të dërgohej në anijen hotel për shkak të gjendjes së tij mentale, e cila ishte përkeqësuar. Në muajin korrik, policia e kishte vlerësuar se sjellja e tij ishte për shkak të problemeve mendore dhe kishte rekomanduar që ai të vihej në një spital, por kjo nuk u realizua. Leonard, sipas raportit, ishte në një gjendje të tillë që nuk mund të kuptonte pasojat e veprimeve të tij dhe kishte sjellje të çrregullt.
Më 24 tetor 2023, kur Leonard kërkoi informacion në lidhje me zhvendosjen nga hoteli Esplanade në anijen Bibby Stockholm, gjendja e tij mendore e pengoi atë të angazhohej në procesin e zhvendosjes. Ai vazhdoi të mos ketë qasje në kujdes mjekësor dhe u izolua nga të tjerët në anije, duke kaluar ditë të tëra pa dalë nga dhoma.
Dr. Maganty thekson se ambienti në anijen hotel nuk ishte i përshtatshëm për Leonardin dhe mund të ketë kontribuar në përkeqësimin e shëndetit të tij mendor. Sugjerohet se një trajtim më i përshtatshëm do të kishte përfshirë një qasje terapeutike të shumëdisiplinuar.
Gjyqtarja Rachael Griffin do të shqyrtojë dëshmitë nga palët e lidhura me rastin dhe do të shpallë vendimin në lidhje me përgjegjësinë e ngjarjes që çoi në vdekjen e Leonard Farruku. Ky rast nxjerr në pah nevojën për një qasje më të kujdesshme dhe gjithëpërfshirëse në trajtimin e individëve me probleme të shëndetit mendor, veçanërisht ata në situata delikate si ato të emigrantëve.