Koment nga Timoni.al
Katër ditë më parë, në një skenë që më shumë ngjante me një serial mafioz sesa me një fushatë demokratike, biznesmeni i shumëpërfolur Gjergj Luca u shfaq në fshatin Godolesh të Elbasanit, ku deklaroi me krenari se ky fshat “nuk është më bastion blu”, por është “në zjarr për Edi Ramën”. Pas takimit, Luca publikoi edhe një video në Facebook, duke e kthyer këtë dalje në një manifest publik të besnikërisë ndaj kryeministrit, të shoqëruar me slogane të tipit “Zjarr Godoleshi, zjarr Elbasani, zjarr gjithë Shqipëria!”.

Por për kë flasim realisht kur përmendim emrin Gjergj Luca?
Nuk bëhet fjalë për një biznesmen të thjeshtë që ka ngritur pasuri me djersën e ballit. Përkundrazi, Luca është një figurë e errët, me një të kaluar të mbushur me dënime për vjedhje, me biznese të dyshimta në fushën e bixhozit dhe një histori të gjatë kompanish që lindin e zhduken si fantazma, shpesh të regjistruara me persona të dënuar për trafik ndërkombëtar droge. Në vitin 2016, përmes kompanisë “Rozafa”, Luca bleu 100% të aksioneve të kompanisë “Dando Fish Shëngjini”, themeluar nga Agron Metvelaj – një emër i përfshirë në rrjete ndërkombëtare droge dhe i arrestuar më parë për llogari të Interpolit për trafik të lëndëve narkotike dhe pastrim parash. Po kjo kompani u mbyll vetëm pak muaj pas blerjes – si shumë të tjera që Luca ka krijuar me shtetas të huaj në fushën e zënies së peshkut.
Kujtojmë se Agron Metvelaj nuk është i vetmi emër i lidhur me Lucën. Një tjetër bashkëpunëtor i tij ishte edhe Pëllumb Gjoka, sot në burg si pjesë e grupit famëkeq të Bajrave – një organizatë kriminale që akuzohet për vrasje me pagesë, korrupsion në drejtësi, trafik dhe grabitje pronash. Miku dhe truproja i Lucës, Ardian Nikulaj – i vrarë në prill 2023 në ambientet e biznesit të tij – kishte qenë më parë pjesë e grupit të Pëllumb Gjokës. Biznesi Rozafa i Lucës në qendër të Tiranës u kalua më pas pikërisht tek Pëllumb Gjoka. A ishte ky një akt shitjeje, kërcënimi apo larje hesapesh? Kjo mbetet ende pa përgjigje.
Ndërkohë që Luca është përfshirë në beteja gjyqësore me mediat që kanë guxuar ta përmendin në raportet e lidhura me kartelin e kokainës, ai e vazhdon aktivitetin publik me të njëjtin paturpësi: duke mbledhur vota për qeverinë dhe duke pretenduar se është një “njeri i ndershëm”, i përndjekur nga shpifje. Dhe, çfarë është më shqetësuese, është mbështetja që ai merr nga qeveria: prona publike të dhëna me vendim qeverie, leje e favore për të ndërtuar perandorinë e tij mbi themele të dyshimta.
SPAK, ku je?
A është drejtësia selektive, që guxon të arrestojë emra më të vegjël, por mbyll sytë kur bëhet fjalë për njerëz të pushtetshëm, të mbrojtur nga politika?
A do të mjaftohet prokuroria me arrestimin e personave si Gjoka e Metvelaj, ndërkohë që Luca – lidhja e përbashkët mes tyre – shfaqet si ndërmjetës votash për partinë në pushtet?
Fakti që një person me kaq shumë lidhje me krimin e organizuar, i përmendur në raportet ndërkombëtare, shfaqet i lirë duke bërë fushatë për Edi Ramën në zemër të Elbasanit, është një alarm për të gjithë. Nëse një trafikant droge bën vota për qeverinë, atëherë shteti nuk është më në duart e qytetarëve, por në duart e mafies.
11 maji nuk është thjesht një datë zgjedhjesh. Është një test për të gjithë ne.
A do të zgjedhim të heshtim përballë kësaj kapje të shtetit nga krimi?
Apo do të kërkojmë që drejtësia të veprojë pa frikë dhe pa kompromis?
SPAK ka në dorë një mundësi historike për të treguar se askush nuk është mbi ligjin. As ai që mbledh vota për pushtetin, duke u fshehur pas tymit të peshkut dhe bixhozit. As ai që del në video duke brohoritur për qeverinë, ndërkohë që në dosje ndërkombëtare shfaqet si një nga hallkat e trafikut të kokainës në Ballkan.
Nëse SPAK nuk vepron, do të thotë se është bërë pjesë e lojës. Dhe atëherë, s’na mbetet tjetër veçse të pyesim: kush po e sundon Shqipërinë, shteti apo krimi?
Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve Strategjike me qendër në Uashington, në një raport të vitit 2006 për trafikun e drogës nga grupet shqiptare, e konsideron Gjergj Lucën si kokën e disa prej linjave më të fuqishme të trafikut të kokainës me bazë në Shqipëri.

Sipas shoqatës amerikane, Gjergj Luca ka kontrolluar 4 linja të trafikut kombëtar dhe ndërkombëtar të drogës, të aktivizuara që në vitin 1998.
Sipas raportit, Gjergj Luca dhe Jani Morava kontrollonin linjën e trafikut të drogës Maqedoni-Shqipëri-Greqi, si dhe linjën Tiranë-Korçë-Selanik, përmes një biznesi transporti në Pogradec.

Si bashkëpunëtor i tyre cilësohet Roland Ziu, i cili ka sot një biznes skafesh me ish ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe Sokol Topçiun e tenderave korruptivë në shëndetësi.
‘Gjergj Luca është pronar i disa kazinove të mëdha në Tiranë, Shkodër dhe Mal të Zi. Anëtarë të këtij grupi janë Roland Ziu (pronar i “Espanja”), Alfred Ziu dhe Fatos Zjarri transportues’, thuhet në raport.
Sipas raportit, Gjergj Luca kontrollonte edhe dy linja të tjera të trafikut të kokainës me shtetasit Artur Gjini dhe Arjan Andoni. Bëhet fjalë për linjën Mali i Zi-Tiranë-Itali si dhe për linjën Tiranë-Shkodër. Në raportet përmendet emri i Pëllumb Gjokës si bashkëpunëtor i Gjergj Lucës në trafikun e drogës me Malin e Zi.
‘Andoni u arrestua në vitin 2005 në një përpjekje të qartë të Fatos Nanos për të vendosur Gjergj Lucën nën kontrollin e tij të plotë. Pasi u arrit gjithçka, po rregullohej liria e tij. Bashkëpunëtor i ngushtë i këtij grupi është Pëllumb Gjoka, në Shkodër; Gjoka është ndërmjetës me malazezët bashkë me Besim Tulina e Adem Ahmeti’, thuhet në raport.
Qëndrimi i Gjergj Lucës
Biznesmeni Gjergj Luca, i cili ka marrë prona dhe reparte ushtarake me vendime qeverie, duke ngritur mbi to bizneset e tij me para të dyshimta, ka mohuar që të ketë lidhje me trafikun e drogës. Luca ka pranuar biznesin e tij në fushën e bixhozit si dhe të paktën 3 dënime për vjedhje. (Me dënimet për vjedhje mburret).

Madje Luca ka nisur edhe një betejë ligjore me mediat që kanë pasqyruar me herët konstatime të raportit dhe raportime për rolin e tij në kartelin shqiptar të trafikut të kokainës.
(Ai mendon se disa media i kanë rënë në qafë dhe kanë shpifur ndaj tij si një njeri që frymëzon me punën e tij, një njeri i punës së ndershme dhe djersës së ballit. Luca ka ndërmarrë edhe një nismë për reformimin e medias, duke marrë si shembull mediat që ai i paguan deri në 5 mijë euro në muaj, që t’i bëjnë temena dhe të mos shkruajnë kur Babloku mbledh qeverinë për t’i dhënë pronën e radhës publike).
Biznesmeni Gjergj Luca as nuk ka mohuar dhe as nuk ka pohuar njohjen me emrat e lakuar në raportin e Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve Strategjike me qendër në Uashington.
Disa prej emrave që referohen në raport janë të njohur dhe të dënuar si trafikantë droge, ndërsa Pëllumb Gjoka është arrestuar disa ditë më parë si pjesë e grupit të Bajrave, grup i cili kryente vrasje me pagesë, korruptonte drejtues policie, prokurorë dhe gjyqtarë, pastronte para, grabiste prona publike dhe private etj.
Lidhja me trafikantin Agron Metvelaj
Në 5 dhjetor 2016, serbo-malazezi Valdan Bojiç me banim në Kroaci, përmes shtetasit Agron Metvelaj nga Lezha, themelon kompaninë ‘DANDO FISH SHENGJINI’, me nipt L68616501I, me objekt në fushën e zënies, ruajtjes, konservimit dhe tregtimit të peshkut.

Adresa e kompanisë rezulton përballë hyrjes së Portit Detar të Shëngjinit.
Tre javë më vonë, në 31 dhjetor 2016, Gjergj Luca, përmes kompanisë Rozafa, blen 51 % të aksioneve të kompanisë ‘DANDO FISH SHENGJINI’, për 19 milionë lekë të vjetra.

Në gusht 2017, Luca blen 100 % aksionet e ‘DANDO FISH SHENGJINI’, për rreth 39 milionë lekë të vjetra në total. Një muaj më vonë kompania ‘DANDO FISH SHENGJINI’, me pronar Gjergj Lucën dhe administrator Agron Metvelaj, pezullohet.
Agron Metvelaj është arrestuar në maj të vitit 2012, me qëllim ekstradimi në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar ardhur nga Interpol Roma “për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafik të lëndëve narkotike”.

Agron Metvelaj akuzohej edhe për pastrimin e parave të drogës në pasuri të paluajtshme.
Çfarë e lidh Gjergj Lucën me Agron Metvelajn dhe serbo-malazezin Vladan Bojiç?
Për çfarë është përdorur kompania ‘DANDO FISH SHENGJINI’?
Këtyre pyetjeve mund t’u përgjigjet vetëm SPAK-u.
Ndërkaq, në vitet 2015-2016, Gjergj Luca ka hapur edhe dy kompani të tjera, gjithnjë për zënie peshku, me shtetas të huaj, duke i pezulluar disa muaj më pas.



Ngrihen dyshime të forta se pse Gjergj Luca, duke u kamufluar gjithnjë nga njerëzit e afërt, ka hapur dhe blerë kompani, ka hedhur para dhe i ka mbyllur disa muaj më pas.
Lidhja me Pëllumb Gjokën dhe Nikulajn
Gjergj Luca ka qenë ortak me Pëllumb Gjokën në biznesin e kazinove.

Miku i Pëllumb Gjokës, Ardian Nikulaj, i vrarë në prill të këtij viti në biznesin e tij, ka qenë truproja i Gjergj Lucës.
Në vijim, kur Luca dhe Pëllumb Gjoka kishin mosmarrëveshje, Nikulaj u pozicionua në krah të Pëllumb Gjokës, sot në burg si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Restorant Rozafa i Gjergj Lucës tek 9-katëshet mbi Ushtarin e Panjur kaloi në pronësi të Pëllumb Gjokës, i cili e ka kthyer në hotel me emerin ‘Loti’.
Nuk dihet se në çfarë forme Pëllumb Gjoka ia ka marrë biznesin Gjergj Lucës, nëse Gjoka e ka kërcënuar Lucën, çfarë i detyrohej Luca dhe pse u prishën në pazare.

Ndërkaq, nëse i referohemi raportit të Shoqatës Ndërkombëtare e Studimeve Strategjike me qendër në Uashington, Gjergj Luca dhe Pëllumb Gjoka kanë kontrolluar linjën e trafikut të kokainës me Malin e Zi, ndërsa boxhozin e kanë përdorur si kamuflim.