SPAK ka sekuestruar telefonin e biznesmenit Rrok Gjoka, i njohur si njeriu që ka ndërtuar tunelin e Llogarasë jashtë cdo standardi, për të cilin tashmë është marrë pandehur Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku thonë burime për portalin Timoni.al Ky veprim i autoriteteve është pjesë e hetimeve për skemën e dyshuar korruptive që lidhet me kontratat publike të dhëna në mënyrë të favorizuar.
Burime nga organet e hetimit bëjnë me dije se, përveç sekuestrimit të telefonit të Gjokës, po shqyrtohen edhe komunikimet dhe dokumentet e vartësve të tij, në kërkim të provave të përfshirjes së tyre në manipulimin e tenderave. Hetimet kanë për qëllim të zbardhin rolin e të gjithë aktorëve politikë dhe biznesor që kanë kontribuar në favorizimin e kontratave në kurriz të procedurave ligjore.
SPAK ka konfirmuar se zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës kanë dhënë dëshmi dhe kanë bashkëpunuar me drejtësinë, duke sqaruar lidhjet mes politikës dhe biznesit që dyshohet se kanë minuar transparencën e tenderave publikë. Veprimi i sekuestrimit të telefonit të Gjokës shënon një fazë të re në hetimet që pritet të sjellin zhvillime të rëndësishme për këtë çështje.
Që prej shpërthimit të dosjes Balluku, publiku është përqendruar te mesazhet, te turqit që fituan tenderin dhe te mënyra si u manipulua procesi. Ndërkohë, mediat vazhdojnë të shmangin një pjesë të rëndësishme të historisë: oligarkët që ndajnë paratë apo prestanomet, nënkontraktorët që bëjnë punimet dhe emrat që nuk preken kurrë. Në çdo skandal, SPAK merret me vulën, por jo me firmën që merr fitimin. Kjo ndodh edhe në Llogara.
Por në këtë histori ka një emër që qëndron në hije, i heshtur, i papërmendur nga askush, megjithëse shfaqet në çdo cep të aferës: Rrok Gjoka.
Ai është njeriu që nënshkroi si nënkontraktor i tunelit, njeriu që ka ndërtuar segmente që janë çarë, shembur dhe degraduar brenda pak muajsh dhe njeriu që vazhdon të fitojë tender pas tenderi nën qeverisjen e Belinda Ballukut, e cila tashmë është pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO-së.
Pjesët e dosjes hetimore të SPAK që kemi siguruar e bëjnë më të qartë këtë rol. Në dokumente tregohet se procedura e tunelit është shtyrë përpara me ndërhyrje të drejtpërdrejta të Ballukut: janë pranuar dokumente të paplota, janë shtyrë afate për operatorët që nuk përmbushnin kërkesat dhe janë lejuar në garë kompani pa certifikime ISO e pa kapacitete teknike të provuara.
Në disa komunikime të sekuestruara, Balluku jep udhëzime që orientojnë komisionet të mbyllin fazat “sa më shpejt”, ndërkohë që raportet e supervizimit nuk përmbanin asnjë provë testimi teknik: as verifikime të betonit, as kontroll të hekurit, as inspektime të detyrueshme strukturore.
Kjo do të thotë se supervizimi i tunelit, i vetmi mekanizëm që duhet të garantojë cilësinë dhe sigurinë, ka qenë një procedurë formale, e manipuluar, pa asnjë kontroll real në terren. Të gjitha këto janë të dokumentuara në dosjen e SPAK, e cila tregon se fazat e punimeve janë miratuar me firma, jo me inspektim teknik.
Në tunelin e Llogarasë, turqit rezultojnë fitues në letra, por puna reale nuk është zhvilluar nga ata. Dhe pikërisht aty lind pyetja që as mediat nuk e bëjnë dhe SPAK nuk po e prek: nëse dokumentet tregojnë se tuneli është ndërtuar pa hekur, me devijime nga projekti dhe me rrezik të theksuar sigurie, kush e ka bërë realisht punën? Kush ka gërmuar, betonuar, hedhur tunelin?
Gjoka Konstruksion.
Sipas dokumenteve të SPAK, fazat e punimeve të Gjokës janë kaluar pa kontroll dhe pa testime të detyrueshme. Disa raporte të supervizorit rezultojnë të mbyllura “pa vërejtje”, por në dosje shënohet se mungojnë provat e inspektimit. Kjo e bën të qartë se supervizimi është përdorur vetëm si firmë miratimi, jo si filtër sigurie.
Nuk ka qenë Intekar, nuk ka qenë ASL. Ka qenë Gjoka.
E njëjta histori përsëritet në çdo projekt të madh që ka kaluar në duart e Ballukut. Mjafton të shikosh Rrugën e Arbrit, një katastrofë inxhinierike që u ça pa u inauguruar mirë. Kompania e Gjokës ka shtuar fitimet duke kursyer materiale bazë, duke mos respektuar normat dhe duke i detyruar institucionet të hedhin qindra milionë lekë të tjera për riparime. A është bërë ndonjëherë një hetim i plotë? Jo. Përkundrazi, Gjoka mori më pas një tjetër projekt strategjik: furnizimin me ujë të zonave turistike në jug, me të njëjtin model “paracaktimi”.
Në zonat e tjera të vendit, historia përsëritet njësoj. Tuneli Kardhiq–Delvinë u shemb pa u hapur mirë, ndërkohë që ARRSH shtonte fonde tek e njëjta kompani ANK e Ndue Kolës.
Skandali Korçë–Ersekë, segmentet që çahen e shemben, tenderat e autostradës Thumanë-Kashar… copa të së njëjtës skemë, ku firmat problematike marrin kontrata të reja pa pasur asnjë ndëshkim. Vetëm dje, në aksin Kukë–Qafë Plloçë, 260 milionë euro, që u inaugurua nga Balluku dy muaj më parë, mali u shkëput dhe bllokoi rrugën.
Këto nuk janë rastësi. Dokumentet e siguruara nga SPAK tregojnë se supervizimet dhe procedurat teknike në projektet e Ballukut kanë ndjekur të njëjtin model: operatorë të favorizuar, kontrolle të pakryera, dokumente të pranuara edhe kur janë të mangëta, procese që mbyllen vetëm në letra ndërsa punimet reale zhvillohen pa vëmendje.
Ekziston skema klasike: turqit në letra, shqiptarët në terren, përfituesit e vërtetë në nënkontraktim.
Sepse nëse sot SPAK akuzon Ballukun për shkelje të barazisë në tender, për manipulime dhe komunikime të paligjshme, nuk mund të mbyllet një sy para faktit se kjo aferë nuk mund të ekzistonte pa nënkontraktorin kryesor. Dhe nënkontraktori kryesor është ai që ka qenë gjithmonë aty: Gjoka.















