Biznesmeni i njohur Samir Mane është thirrur disa ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku ka dhënë dëshmi për një sërë aferash të dyshuara korruptive ku ai dyshohet të jetë i përfshirë. Lajmi nuk është publikuat në asnjë media të rëndësishme. Sipas burimeve brenda SPAK, Mane po hetohet për skema të mundshme pastrimi parash që përfshijnë politikanë të niveleve të larta dhe individë të botës së krimit, kryesisht në sektorin e ndërtimit dhe në sistemin bankar privat.
Burime konfidenciale për portalin Timoni.al bëjnë me dije se Samir Mane është zyrtarisht në hetim për disa çështje që ende nuk janë bërë publike, por që konsiderohen ndër më delikatet që ka trajtuar SPAK gjatë muajve të fundit si dosja Balluku dhe Kryemadhi.
Më herët ka rezultuar se Mane përmendet në dosjen që lidhet me ish-kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi. Hetuesit kanë zbuluar se Kryemadhi ka lobuar për ndryshimin e tarifave të kompanive celulare, ndërsa në këmbim Samir Mane dyshohet se do t’i vendoste në dispozicion një vilë. Po ashtu, sipas të njëjtave burime, për familjen Kryemadhi rezulton të jenë paguar pushime luksoze në Paris, pagesa që dyshohen të jenë kryer nga bashkëshortja e biznesmenit.
Burime nga SPAK e përshkruajnë Mane-n si “person kyç” në rrjetet e pastrimit të parave të politikanëve dhe të grupeve kriminale. Ndërkohë që ai njihet si ndërtues dhe menaxher biznesesh, dyshohet se aktivitetet e tij nuk prodhojnë vlerë reale, por shërbejnë si mbulesë për qarkullimin dhe fshehjen e burimeve financiare të paligjshme.
Gjatë marrjes së dëshmisë, Samir Mane është pyetur për rreth katër orë nga hetuesit, kryesisht për çështjet që lidhen me Belinda Ballukun dhe Arben Ahmetajn, skemë që prej javësh përflitet si pjesë e një dosjeje të gjerë korruptive ku përfshihen zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës.
SPAK pritet të thërrasë edhe persona të tjerë të lidhur me këtë rrjet, ndërsa hetimet konsiderohen në fazën më të ndjeshme të tyre.















