Opinion nga Timoni.al
Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Timoni.al ka nxjerrë në dritë një aferë të rëndë që prek jo vetëm ligjshmërinë e një projekti energjetik, por edhe themelet e funksionimit të shtetit dhe demokracisë në Shqipëri. Emri i Tan Leprit, një figurë e njohur për lidhjet e tij me botën e errët dhe politikën, shfaqet në qendër të një historie që bashkon korrupsionin, klientelizmin, shkatërrimin e mjedisit dhe manipulimin elektoral.
Sipas dokumenteve dhe dëshmive të denoncuara publikisht, Tan Lepuri ka përfituar në Ersekë një sipërfaqe prej 80 hektarësh pyll për të ndërtuar një park fotovoltaik. Për t’i hapur rrugë këtij projekti janë prerë me dhjetëra hektarë pyje, duke shënuar një masakër mjedisore të paprecedent, ku asnjë institucion nuk ka reaguar. Por krimi nuk mbaron këtu. Bashkia e Ersekës ka dhënë një leje përdorimi prej 49 vitesh, ndonëse ligji është i qartë: pushteti vendor nuk mund të japë leje mbi 10 vite. Pra, kemi një shkelje flagrante ligjore, të dokumentuar dhe të verifikueshme, ku kompetencat janë tejkaluar me vetëdije për t’i shërbyer interesave të Tan Leprit.
Dokumentet e Qendrës Kombëtare të Biznesit e bëjnë edhe më të qartë skemën: menjëherë pas miratimit të lejes, gruaja e Tan Leprit është bërë aksionere me 30% të kompanisë që menaxhon parkun. Një detaj kyç, që provon se pas gjithë kësaj historie nuk fshihet një investim i pastër në energjinë e rinovueshme, por një marrëveshje klienteliste ku pushteti shpërblen njerëzit e vet me prona publike, duke i kthyer më pas në mekanizma për të mbajtur pushtetin.
Historia e parkut fotovoltaik në Ersekë është një radiografi e qartë e mënyrës sesi funksionon pushteti i sotëm: pasuritë publike përdoren si monedhë shkëmbimi për të blerë besnikërinë e individëve të dyshimtë, ligjet shkelën hapur për të krijuar burime të reja financiare, mjedisi shkatërrohet pa mëshirë, dhe në fund këto para të pista futen në lojën politike për të blerë dhe manipuluar zgjedhjet.
Tan Lepri nuk është një emër i panjohur në këtë skemë. Në zgjedhjet e 11 majit, ai doli hapur si njeriu i besuar i Belinda Ballukut. Denoncimet publike e përshkruajnë atë si ndërmjetësin mes saj dhe bandave të Fierit, njeriun që garantonte me çdo kusht sigurimin e votave nëpërmjet frikës, kërcënimit dhe parasë. Nuk bëhet fjalë për një aktivist të thjeshtë elektoral, por për një figurë që vepronte si “terrorist elektoral”, duke mbjellë panik në terren dhe duke blerë vota në Fier, Lushnjë dhe Divjakë. Paratë e gjeneruara nga parku fotovoltaik në Ersekë shndërroheshin kështu në karburant për deformimin e demokracisë.
Kjo lidhje mes biznesit të paligjshëm dhe krimit elektoral është thelbi i gjithë aferës. Nga njëra anë kemi një pasuri publike, një pyll i tërë i shkatërruar për t’i hapur rrugë një projekti të mbështjellë me korrupsion. Nga ana tjetër kemi një proces zgjedhor të manipuluar, ku paratë e atij projekti kthehen në armë për të blerë vullnetin e qytetarëve. E gjitha kjo nën dirigjimin politik të një ministre të qeverisë, e cila shfrytëzon figura si Tan Lepri për të ruajtur pushtetin e saj me çdo mjet.
Por pjesa më skandaloze e gjithë kësaj historie është heshtja. SPAK, institucioni që supozohet të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, ka zgjedhur të mbyllë sytë. Edhe pse faktet janë publike, edhe pse dokumentet janë të qarta, edhe pse denoncimet kanë ardhur hapur, deri më sot nuk ka asnjë hetim ndaj Tan Leprit, ndaj familjarëve të tij apo ndaj zyrtarëve që kanë firmosur paligjshmërinë. Përkundrazi, ky personazh i përfolur vazhdon të lëvizë i lirë, shpesh i mbrojtur nga policia, duke u kthyer në simbol të kapjes së shtetit.
Kjo heshtje është e pajustifikueshme. Ajo provon se lidhja mes pushtetit dhe krimit nuk është thjesht një dyshim, por një realitet i mbrojtur institucionalisht. SPAK nuk mund të justifikohet më me mungesë provash. Çfarë provash duhen më shumë? Një leje e paligjshme 49-vjeçare? 80 hektarë pyll të prerë në mënyrë kriminale? Një aksionere që hyn në kompani sapo jepet leja? Denoncime publike për manipulim zgjedhor dhe lidhje të drejtpërdrejta me bandat? Nëse këto nuk mjaftojnë për të hapur një hetim, atëherë SPAK nuk është më një institucion i drejtësisë, por një mburojë e pushtetit.
Rasti i Tan Leprit nuk është thjesht një aferë lokale në Ersekë, as vetëm një episod elektoral në Fier. Ai është modeli i qartë se si qeverisja e sotme ka shkrirë kufijtë mes politikës dhe krimit, mes korrupsionit dhe demokracisë. Është një model i rrezikshëm, ku individë me precedentë kriminalë shpërblehen me pasuri publike dhe përdoren si armë për të manipuluar zgjedhjet. Është një model që po e shkatërron besimin e qytetarëve te shteti, duke e kthyer demokracinë në një farsë dhe institucionet në dekor.
Nëse SPAK nuk vepron ndaj këtij rasti, atëherë duhet pranuar se drejtësia e re nuk është gjë tjetër veçse një fasadë. Heshtja e tij është bashkëfajësi. Tan Lepri është prova e gjallë se korrupsioni dhe krimi kanë fituar terren, por është gjithashtu testi i madh i SPAK. Ose ky institucion nis menjëherë hetimet ndaj tij dhe lidhjeve të tij politike, duke përfshirë edhe Bashkinë e Ersekës dhe ministren që e mbron, ose pranon publikisht se është një institucion i kapur, i paaftë dhe i pavlefshëm përballë pushtetit.
SPAK nuk mund të heshtë më. Ky është rasti ku heshtja është krim.















