Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë referuar një rast në Prokurori, ku ka filluar procedimi penal për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik”. Në qendër të hetimeve janë dy shtetase, P. Sh., 29 vjeçe, dhe E. Ç., 27 vjeçe, të dyja nga Bilishti, me pozita në zyrën postare të Vishocicës dhe degën postare të Devollit.
Sipas hetimeve, nga shtatori i vitit 2025 deri në janar të vitit 2026, ato dyshohet se kanë vjedhur rreth 22 milionë lekë nga fondi i postës, duke keqpërdorur detyrat e tyre. Shtetasja P. Sh. dyshohet se ka përvetësuar fonde të pensioneve dhe ndihmës ekonomike, kryesisht për pensionistët që jetonin jashtë vendit, duke falsifikuar nënshkrimet e tyre. Ndërkohë, E. Ç. dyshohet se ka manipuluar dhe falsifikuar mandatpagesat në librat e arkës dhe sistemin e menaxhimit të parave, në përputhje me veprimet e P. Sh., për të lehtësuar vjedhjen e fondeve.
Aktualisht, hetimet vijojnë për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë skandal.















