Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka prezantuar tre botime studimore të reja që trajtojnë figura historike dhe fushën e arkivistikës. Aktiviteti u zhvillua në prani të Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm, Endrit Musaj, përfaqësuesve të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bekim Aliu dhe Habibe Qovanaj, akademikëve, arkivistëve, studentëve dhe studiuesve.
Musaj theksoi rëndësinë e këtyre botimeve për historiografinë shqiptare dhe inkurajoi studiuesit të dërgojnë propozime për botime, duke theksuar rëndësinë e lidhjes së materialeve me ngjarje dhe personalitete historike. Ai përmendi nevojën për manuale arkivore dhe punime që trajtojnë sfidat dhe përparësitë e arkivave, duke përfshirë edhe përmbledhjet e dokumenteve dhe kërkimin arkivor.
Bekim Aliu, në fjalën e tij, vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me DPA-në, duke theksuar se revista “Arkivat Shqiptare”, e cila publikohet çdo vit, është një produkt kulturor që tejkalon kufijtë shtetërorë. Aliu shpalli se Konferenca Mbarëkombëtare e Arkivistikës do të mbahet këtë vit në Kosovë, duke ftuar të gjithë të interesuarit të angazhohen në temat e rëndësishme për arkivistikën dhe fondet e arkivave.
Habibe Qovanaj prezantoi përmbajtjen e revistës arkivore, e cila është e vetmja në mbarë trojet shqiptare. Ajo njoftoi se janë përzgjedhur dhe botuar 21 kumtesa nga historia dhe kultura arbëreshe, digjitalizimi, arkitektura dokumentare, etika profesionale, siguria juridike dhe sfidat në ruajtjen e trashëgimisë dokumentare. Ky publikim përmbledh punimet e konferencës që është mbajtur për të nëntin herë dhe përfshin kontribuues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Dy nga botimet e reja janë monografi dhe përmbledhje dokumentesh lidhur me personalitete dhe zhvillime historike. Dario Haruni diskutoi mbi fondin e Nikollë Ivanajt, duke theksuar se historia nuk është një shkencë ekzakte dhe se janë të nevojshme përpjekje për të kuptuar të dyja anët e ngjarjeve historike.
Studiuesi Gentian Kuke njoftoi për botimin “Udhërrëfyes i dokumenteve në gjuhën italiane në AQSH, fondet personale dhe familjare, vëllim I”, pjesë e një série me tri vëllime, të cilat do të ndihmojnë në sistematizimin e dokumenteve që ndodhen në fondet arkivore personale.















