Që prej krijimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pavarësisht bujës që kanë patur shumë operacione për goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, 251 masa sigurie të lëshuara nga ky organ hetues të firmosura nga GJKKO nuk janë ekzekutuar. Kjo e dhënë konfirmohet nga vetë SPAK në përgjigje të një informacioni të kërkuar nga Syri Televizion
“Nga të dhënat që disponon Sektori i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Ndërlidhës për Hetimet e Përbashkëta në Prokurorinë e Posaçme, rezulton se gjatë kësaj periudhe janë shpallur në kërkim ndërkombëtar 251 persona, kryesisht për veprat penale në fushën e narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dhe vrasjes me paramendim, vepra penale të kryera në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”thuhet në reagimin e SPAK për Syri Tv.
Vetëm gjatë muajve të fundit kanë ndodhur disa operacione për goditjen e disa organizatave të fuqishme kriminale shqiptarësh me aktivitet trafikimin e lëndëve të forta narkotike në sasi të mëdha, apo të përfshirë në vrasje e atentate. Por evidentohet fakti se në shumicën e rasteve, kokat e këtyre grupeve nuk janë kapur dhe në rastin më të mirë disa prej tyre ose kanë qenë të arrestuar për procedime të mëparshme, ose janë arrestuar nga vende të tjera partnere për llogari të çështjeve që kanë të hapura atje.
Disa nga rastet e veçanta për tu evidentuar është ai i fundit për organizatën e Franc Çopjas dhe Ervis Çelës. I pari u ekstradua nga Dubai për llogari të Belgjikës, dhe i dyti u kap në Shqipëri diçka më shumë se një muaj më parë për llogari të drejtësisë italiane, pasi kishte kryer vrasje në vendin fiqnj.
Por gjithsesi, Julian Balla, fitues tenderash pranë pushtetit qëndror e lokal, i njohur për influencën e fortë financiare, ende nuk është kapur ndonëse konsiderohet si një nga subjektet më me peshë në dosjen e SPAK. Për tu kthyer shumë pak pas në kohë, tek operacioni “Ura” që goditi organizatën e Troplinëve, kreu i kësaj bande Elvis Doçi, njohur si “Visi i Pojës nuk u kap. Më herët akoma, Suel Çela shijo lirinë, ndonëse është një personazhet më të kërkuara në vend, që themeloi dhe drejtoi një nga organizatat më të fuqishme kriminale thotë SPAK. Mbetën në kërkim subjekte që janë të lidhur me dosjen “Metamorfoza” dhe atë të “Plumbit të Artë 1 dhe 2”.
Nuk bëhet fjalë për personazhe të zakonshme, por për bosë krimi që kanë urdhëruar vrasje, kanë korruptuar policë, gjyqtarë e prokurorë deri ligjvënës si Altin Hajri në dosjen “Çyrbja”, por pavarësisht kësaj, ato shijojnë lirinë, dhe për disa prej tyre, ka sinjalizime që vijojnë aktivitetin e paligjshëm brenda dhe jashtë vendit. 251 persona me rrezikshmëri të lartë që ndodhen në kërkim, është një shifër shqetësuese, që jo pak herë ka nxitur polemika publike ose jo mes SPAK dhe policisë. Një debat mbi dekonspirime që hapet sa herë zhvillohen operacione dhe nuk ekzekutohen masat. /SYRI TV















