Të thuash të vërtetën asnjëherë nuk është e lehtë, por ky ka qenë misioni i gazetarit Elvis Hila në Lezhë, mirëpo ky qëllim i ka kushtuar jo pak!
Për shkak të detyrës, referuar një lajmi të publikuar mesditën e kësaj të mërkure në Report Tv dhe Shqiptarja.com mbi një vendim gjykate, gazetari Elvis Hila është dhunuar nga 2 persona, tashmë të identifikuar dhe të shpallur në kërkim nga policia.
Autorët, Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri nuk kanë kursyer as bashkëshorten e tij, Benereta Hila, e cila ishte në makinë së bashku me gazetarin në momentin kur ndodhi ngjarja.
Gazetari ka marrë fraktura në trup, për shkak të dhunës dhe është nisur drejt spitalit së bashku me gruan, ku kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor. Pas kësaj, kanë bërë kallëzimin në polici.
“Faji” i vetëm i tij ishte se raportoi vetëm të vërtetën dhe përpara kësaj, ai thotë se nuk do e ndalë asgjë. Në një lidhje telefonike nga Komisariati i Lezhës pas ngjarjes, Elvis Hila deklaroi se nuk do rreshtë së bëri detyrën e tij si gazetar, pavarësisht se e vërteta që ai përcjell, disa personave nuk iu pëlqen.
“Ia kam lënë në dorë drejtësisë, por kjo nuk më pengon në punën time që të them të vërtetën pavarësisht se disa segmenteve të caktuara nuk iu pëlqen”, tha Hila në Report Tv, pas sulmit.
Si ndodhi ngjarja?
Pas publikimit të lajmit në Report Tv dhe Shqiptarja.com, gazetari i Report Tv është telefonuar rreth orës 14:47 nga djali i Fran Amerit, i cili ka ofenduar dhe kërcënuar gazetarin Hila. Përsëri rreth orës 16:42, gazetari ka marrë një tjetër telefonatë, kësaj radhe nga Paulin Përgjini, i cili i ka kërkuar që të takohen përballë Bar Firence në afërsi të rrugës së spitalit të Lezhës.
Kur ka mbërritur në vendtakim, gazetari Hila shoqërohej nga bashkëshortja e tij Benereta Hila.
Dy autorët, Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri kanë zbritur nga një mjet tip ‘Golf 6’ dhe i kanë kërkuar gazetarit që të zbresë nga makina. Ky i fundit nuk ka pranuar dhe është përballur me ofendime e kërcënime nga Përgjini dhe Ameri. Në një moment, bashkëshortja e gazetarit Hila ka zbritur nga makina për t’iu kërkuar dy personave të largoheshin. Ajo ka nxjerrë telefonin për të telefonuar policinë, por Ameri i ka rënë me dorë telefonit të saj, dhe kur Benereta Hila është ulur për ta marrë, Indrit Ameri e ka qëlluar me grusht në qafë.
Më pas pre e dhunës nga dy agresorët ka rënë edhe gazetari Hila, të cilin e kanë goditur me grushte e me shqelma.
“Jam me vendbanim në adresën e lartë përmendur, dhe punoj si gazetar i Report TV dhe Shqiptarja.com prej 10 vitesh. Sot me datë 25.01.2023 kam publikuar një lajm në portalin Shqiptarja.com dhe televizionin Report Tv ku unë punoj, në këtë lajm bëhet fjale për vendimin që është dhënë me datë 24.01.2023 nga Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë në lidhje me dënimin e shtetasit Fran Ameri për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”.
Pasi lajmi është publikuar në mediat ku unë punoj rreth orës 14:47 të ditës së sotme më ka telefonuar nga numri i telefonit “+355693076906 djali i tij duke më share, ofenduar dhe kërcënuar në lidhje me publikimin e bërë. Rreth orës 16:42 isha me bashkëshorten time dhe jam telefonuar nga një tjetër shtetas me numrin “+355693638336″ i prezantuar si shtetasi Paulin Pergjini dhe me kërkoi që të takoheshim përballë Bar Firence në afërsi të rrugës së spitalit.
Kur jam afruar aty e kam telefonuar numrin në fjalë dhe ka dalë nga një automjet tip Golf 6 i cili ishte i parkuar në anë të rrugës. Nga kjo makinë ka dale edhe shtetasi Indrit Ameri.
Më thanë që të parkoja makinën dhe të dilja nga makina. Unë e parkova në anën e rrugës së vjetër të spitalit dhe aty me janë afruar personat në fjalë të cilët unë i identifikova si Paulin Përgjini dhe personi tjetër me Indrit Ameri dhe filluan të më kërkonin llogari dhe të më kërcënonin në lidhje me lajmin e publikuar.
Pasi unë nuk pranova të zbrisja nga makina tentuan të më hapnin derën e makinës dhe në këtë moment ka zbritur bashkëshortja ime shtetasja Benereta Hila që t’u thoshte që të largoheshin. Pasi bashkëshortja ime tentoi t’i largonte nga dera e makinës dhe po mundohej të telefononte policinë shtetasi me Indrit Ameri i ka rënë me dorë telefonit dhe pasi ajo është ulur për të marrë telefonin ky shtetas e ka goditur me grusht në pjesën e pasme të qafës. Dhe më pas kanë ardhur në drejtimin tim dhe ka tentuar të më nxjerrë me forcë nga makina. Pasi nuk arritën të më nxirrnin nga makina shtetasit Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri më kanë goditur me shkelma dhe grushte.
Bashkëshortja ime ka hypur në makine dhe jemi larguar drejt spitalit ku dhe morëm mjekimet e duhura. Proces verbalin e kallëzimit pasi e lexoj dhe konfirmoj se thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e kuptoj çfarë kam thënë, e firmos pa asnjë vërejtje”, ka dëshmuar në polici, gazetari.
Cili ishte lajmi për të cilin u dhunua gazetari Elvis Hila?
Gazetari i Report Tv Elvis Hila është dhunuar për shkak të detyrës dhe gjithçka lidhet me një lajm që ai ka publikuar ditën e sotme për Fran Amerin. Ky i fundit u dënua me një vit burg pasi kishte prodhuar një vendim gjyqësor të falsifikuar. Ameri u gjet fajtor për veprën penale “Falsikim Dokumentesh”.