Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar pas publikimit të pamjeve të dhunës që fisi i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja, ushtroi ndaj dy vëllezërve Maja në Krujë.
Çuçi thotë se pamjet janë të rënda dhe të papranueshme, dhe se ashkush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Lidhur me lajmet se policia ka ngurruar të arrestojë vëllain e deputetit të PS-së, Xhelal Rrajën, i cili në video shfaqet me pistoletë në dorë, Çuçi thotë se “çdo insinuatë tjetër s’ka lidhje me të vërtetën dhe punën e policisë”.
“Të rënda e të papranueshme pamjet e dhunës në Krujë. Askush nuk është mbi ligjin dhe s’mund t’u shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë.
Policia e Shtetit ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesat e të dyshuarve, ka arrestuar 4 persona sot herët në mëngjes dhe po punon për kapjen sa më parë të 3 të tjerëve të përfshirë në ngjarje.
Çdo insinuatë tjetër s’ka lidhje me të vërtetën dhe me punën e Policisë së Shtetit për të çuar autorët përpara drejtësisë”, shkruan ministri Çuçi.
Një ditë më parë, Bilbil Maja dhe Jashar Maja u rrahën barbarisht me sende të forta nga Xhelal Rraja, Përparim Rraja si dhe disa persona të tjerë. Sherri nisi pasi vëllezërit Maja ishin ankuar për shpërthimet me mina në guroren në pronësi të Xhelal Rrajës, që po shkakton dëme në shtëpitë e zonës.