Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë ka reaguar ashpër ndaj vendimit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nga Vlora drejt Tiranës. Ajo e cilëson këtë vendim si të papranueshëm, njëanshëm dhe thellësisht të dëmshëm për qytetin dhe qytetarët e qarkut. Në një deklaratë publike, Dhoma shpreh se ky nuk është një rast i izoluar, por një vazhdim i politikave të zbrazjes institucionale të Vlorës, duke theksuar se kjo prirje u arrit në kulm me largimin e Gjykatës Administrative dhe Gjykatës së Apelit.
Kjo situatë ka bërë që Vlora të shndërrohet në një “periferi institucionale” pa rëndësi të dukshme në sistemin e drejtësisë së vendit. Dhoma e Avokatisë thekson se largimi i institucioneve nga Vlora cenon rëndë aksesin në drejtësi dhe shërbime publike për qytetarët, godet profesionin e avokatit dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë, si dhe favorizon centralizimin ekstrem të pushtetit në Tiranë.
Vlorën, një qytet me rëndësi historike dhe juridike, e konsideron të papranueshme që të trajtohet si një qytet i dorës së dytë. Vendime të tilla, të marra pa konsultim me komunitetin juridik dhe pa analizë të pasojave, janë një shkelje e parimeve të shtetit të së drejtës dhe decentralizimit administrativ.
Dhoma e Avokatisë kërkon rishikimin dhe anulimin e menjëhershëm të vendimit për zhvendosjen e Kadastrës, ndërprerjen e politikave të largimeve të institucioneve nga Vlora dhe rikthimin e funksioneve gjyqësore dhe administrative esenciale për qytetin.
Nëse këto prirje vazhdojnë, Dhoma rezervon të drejtën të ndërmarrë çdo veprim institucional dhe ligjor për të mbrojtur interesat publike dhe dinjitetin e qytetit të Vlorës. Reagimi i saj nënvizon se Vlora nuk do të hesht dhe nuk do të pranojë humbjen e institucioneve të saj.















