Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, tha se Shqipëria duhet të miratojë një reformë të re zgjedhore, që të përfshijë rekomandimet e OSBE-së, të shkuara dhe të tashme.
Në një prononcim nga Korça, ku ndodhej për një aktivitet, Gonzato tha se kjo reformë duhet bërë si pjesë e rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Nuk ka dalë ende raporti përfundimtar i OSBE, mendoj se Brukseli foli qartë lidhur me zgjedhjet e 11 Majit ne Shqipëri. Është koha që qeveria dhe parlamenti shqiptar të miratojnë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore e cila të përfshijë rekomandimet e shkuara dhe të tashme. E në fakt rezultati i jep një përgjegjësi më të madhe qeverisë që të ndërmarrë këtë reformë sepse i ka numrat. Është pritshmëria e shqiptarëve në qoftë se Shqipëria është drejt rrugës së BE”, tha Gonzato.
“Në raport me plotësimin e standardeve, ka një raport të OSBE i cili jep përfundimin, i ka njohur në standarde por citon dhe përdorimin e burimeve publike por administrimi i zgjedhjeve është përgëzuar. Dua të përgëzoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mënyrën e administrimit të zgjedhjeve dhe bashkëpunimin me prokurorinë e përgjithshme dhe SPAK. Secila parti që ndihet e vjedhur të raportojë në organet gjyqësore. Megjithatë, uroj që të dyja partitë të punojë drejt drejtimit të BE”, shtoi ai.
Pjesë nga prononcimi për mediat:
Si i sheh zgjedhjet e 11 Majit sipas raportit te OSBE/ODIHR?
Gonzato: Nuk e di nëse kanë dalë rekomandimet përfundimtare, por natyrisht që kam parë rekomandimet paraprake. Ka patur gjithashtu një deklaratë shumë të qarte nga Brukseli dhe është një element që unë dua ta përmend, që unë e kam shumë kryesor siç e ka thënë dhe përfaqësuesja e lartë Kaja, është koha tashmë që qeveria shqiptare por edhe parlamenti të miratojë një reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore e cila të përfshijë të gjitha rekomandimet e shkuara e të tashme nga OSBE ODIHR. Rezultati dhe përgjegjësia bie mbi qeverinë që të ndërmarrë e të kryejë këtë reformë kaq të gjerë sepse me patjetër që i ka numrat. Nga ana tjetër është dhe pritshmëria e shqiptarëve duke qenë se Shqipëria është në këtë rrugëtim për tu futur në BE.
Standardet e zgjedhjeve?
Gonzato: Në raport me atë çfarë patë, kemi një raport të OSBE/ODIHR i cili pasqyron si kanë qenë këto zgjedhje ndërkohë që i ka njohur me standardet. Ndërkohë që përmenden dhe çështje si përdorimi i burimeve publike por administrimi i zgjedhjeve është përgëzuar nga raporti i OSBE/ODIHR ndaj po e theksoj që kjo është diçka e cila duhet trajtuar nëpërmjet një reforme gjithëpërfshirëse në të ardhmen. Dua të vlerësoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për punën që ata kanë bërë, prokurorinë e përgjithshme, SPAK, që do të thosha ka qenë një bashkëpunim ekzemplar.
Qëndrimet e opozitës për mosnjohjen e zgjedhjeve, a do te ndikojnë në rrugëtimin për në BE?
Gonzato: Do doja të thosha që çdo parti e cila mendon apo ndjen se ka patur parregullsi, patjetër le ti raportojë ato e të ankohet te organet përkatëse që janë organet që administrojnë zgjedhjet dhe natyrisht edhe te organet përkatëse. Kjo është mënyra se si duhet të shkojnë gjërat. Megjithatë shpresoj që të dyja partitë kanë theksuar një sërë herësh dedikimin e tyre ndaj procesit të anëtarësimit dhe përpjekjeve të Shqipërisë për të shkuar drejt BE, do të punojnë realisht në këtë drejtim.