Ndryshimet e vogla në stilin e jetesës, si aktiviteti fizik i përditshëm, mund të kenë ndikim të madh në shëndetin dhe jetëgjatësinë e njeriut. Shkencëtarët theksojnë se edhe aktiviteti minimal redukton ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve serioze, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, goditjet në tru, diabetin e tipit 2 dhe disa lloje kanceri.
Ekspertët rekomandojnë që të rriturit të jenë aktivë çdo ditë, duke kombinuar ushtrimet aerobike me ato për forcimin e muskujve, dhe të synojnë rreth 150 minuta aktivitet fizik në javë. Megjithatë, studime të reja tregojnë se përfitimet fillojnë që në aktivitetin e vogël, siç është ecja për vetëm 10 minuta në ditë, që mund të shtojë deri në një vit jetë, sidomos për ata mbi 60 vjeç.
Një studim britanik tregon se meshkujt mund të fitojnë deri në 16 muaj jetë shtesë nga aktiviteti i rregullt, ndërsa gratë rreth 11 muaj. Sa më shumë të rritet koha dhe intensiteti i ecjes, aq më të mëdha janë përfitimet: ecja për 30 minuta në ditë mund të zgjasë jetën e burrave me rreth dy vjet e gjysmë dhe të grave me rreth 16 muaj.
Ekspertët theksojnë se nuk është e nevojshme të ndiqen programe intensive stërvitore. Sekreti është te lëvizja e përditshme, krijimi i një rutine të qëndrueshme dhe fillimi me hapa të vegjël si ecja, ngjitja e shkallëve dhe aktivitete të thjeshta të përditshme. Sipas tyre, pak minuta aktivitet çdo ditë janë më të vlefshme sesa ushtrime intensive, por të rralla, dhe lëvizja bëhet një aleat i fortë për shëndetin, jetëgjatësinë dhe cilësinë e jetës.















