Sa herë që i shpërthen një skandal, që në të gjitha rastet lidhet me shpërdorimin e parave të qytetarëve shqiptarë, Edi Rama u përgjigjet akuzuesve me fjalën ‘Neveri’. Neveria përdoret si përgjigje nga Kryeministri për opozitën, për mediat, aktorë të shoqërisë civile e për këdo që denoncon shpërdorimin e parave të qytetarëve.
Kështu ndodhi edhe këtë herë, kur mes dokumentave të publikuara nga hakerat iranianë ishin edhe të dhënat për afërsisht 130 fluturime me Charter të Kryeministrit. Rama nuk mohoi këto fluturime dhe në reagimet e para tha se shpenzimet për avionin personal i kishte bërë publike prej kohësh, por pa thënë se kur, si dhe sa.
Mungesës së transprancës mbi këto shpenzime iu përgjigj duke nxjerrë disa shifra krahasuese, sipas të cilave për udhëtime kishte shpenzuar më pak se Sali Berisha para 2013-s. Nga shifrat e publikuara nga Rama rezulton se ai ka shpenzuar në 2020 për udhëtime vetëm 16 mijë lek në muaj përgjatë vitit 2020.
Megjithatë, Rama duket i bindur se është aktor në arenën ndërkombëtare, të paktën kështu e ka lënë të nënkuptuar nëpër fjalimet e mbajtura në konferenca e takime me udhëheqës të perëndimit, ku herë kritikon BE dhe herë jep këshilla se si duhet të mbrohemi nga Putini.
Kur ‘zbret’ me këmbë në tokë në Shqipëri udhëton nëpër fshatrat e braktisur me një enturazh shoqëruesish të pushtetit qendror e vendor, duke mbledhur edhe administratën për të paraqitur një situatë ndryshe në Facebook-un e tij nga ajo që është në realitet.
Në realitet, si shembull, fshatrat e Dibrës janë braktisur e tokat janë bosh. Të rinj numërohen me gishtat e një dore dhe ata që kanë mbetur sytë i kanë nga perëndimi. Këtu, Kryeministri nga diplomati e strategu i politikave ndërkombëtare kap sfurkun dhe u mëson fshatarëve se si të mbledhin barin.
Problemi me fshatin nuk është se nuk dinë të mbledhin barin, por kush do ta mbledhë atë. Me subvencionet më të ulta në rajon, çmimet në stratosferë dhe naftë pa taksa që përfundon në disa raste te të lidhurit me pushtetin fshati është një tjetër realitet nga ai virtuali që i paraqesin Ramës dhe më pas Kryeministri ua paraqet shqiptarëve. Raste suksesi ka, por ato janë një pikë uji në oqean.
Situata nuk është më mirë nëpër qytete. Me çmimet në stratosferë dhe që vazhdojnë të rriten, rrogat po bëhen si ajo veza që të torturon për ta qëruar dhe hahet për një fraksion sekondi. Në këtë rast, Kryeministri ka kërkuar sakrifica, pasi jemi në luftë. Po, në luftë jemi, por është po aq e vërtetë se ka kohë që ai nuk po qeveris më me forcën e shembullit, siç premtonte në fjalimin e parë pas marrjes së detyrës në 2013.
Ka kohë që shqiptarët po i përplas fati nga njëra krizë në tjetrën duke i detyruar që të ngushtojnë vazhdimisht xhepat, ndërsa Kryeministri ka po kaq kohë që shëtit me charter personal, për të cilin thotë se shpenzon sa një pensionist.
Nga buxheti vërtet mund të jenë paguar 16 mijë lek mesatarisht në muaj për udhëtimet e Ramës në 2020, por sa naiv duhet të jesh që të besosh se kjo është kostoja e tyre reale? Kush e ka paguar pjesën tjetër? A e ka paguar Erdogani, siç e akuzojnë, apo oligarkët? Nëse po, çfarë përfitojnë ata nga pushteti i Ramës? Sepse siç thonë amerikanët, drekë falas nuk ka!
©Copyright Vox News