Kryeministri britanik Keir Starmer ka konfirmuar se Britania nuk është e angazhuar drejtpërdrejt në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Ai njoftoi gjithashtu se Londra ka pranuar kërkesën e SHBA-së për ta përdorur bazat ushtarake britanike për operacione mbrojtëse të kufizuara.
Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Starmer theksoi se partnerët britanikë në Gjirin Persik e kanë kërkuar këtë mbështetje për të siguruar mbrojtjen e tyre, duke e konsideruar këtë si një detyrë për të mbrojtur qytetarët britanikë. Ai informoi se avionët luftarakë britanikë janë aktivizuar tashmë si pjesë e operacioneve mbrojtëse të koordinuara dhe kanë arritur të ndërprejnë disa sulme iraniane.
Starmer shpjegoi se “e vetmja mënyrë për të ndaluar kërcënimin” është shkatërrimi i raketave në depozitë apo në lëshuesit e tyre. Ai nënvizoi se kërkesa e SHBA-së për përdorimin e bazave britanike ka një qëllim “specifik dhe të kufizuar mbrojtës”.
Kryeministri përfundoi duke thënë se vendimi për të pranuar këtë kërkesë është marrë për të parandaluar lëshimet e raketave nga Irani që rrezikojnë jetën e civilëve në rajon dhe, për pasoje, edhe të britanikëve.














