Tedi Blushi deklaroi:
Të dashur qytetarë,
Nëse Shqipëria do të kishte drejtësi të vërtetë ajo duhet të ishte pengesa kryesore e inkriminimit të politikës, të Kuvendit dhe të dhënies fund të korrupsionit.
Indeksi i Sundimit të Ligjit 2025, vërtetoi se sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit është përkeqësuar 100% në raport me 10 vite më pare kur Reforma në Drejtësi nuk ishte miratuar, aq sa sot jemi shumë pikë larg Vietnamit komunist, ndonëse jemi vend anëtar i NATO-s.
Kjo ka ndodhur sepse Ramaforma e zëvendësoi luftën ndaj krimit dhe korrupsionit me luftën ndaj shqiptarëve të thjeshtë, të ndershëm dhe patriotë.
Është kjo arsyeja pse hajdutët, kriminelët apo zëdhënësit e tyre janë ulur sot në këtë sallë, ndërsa në burgje gjithmonë edhe më shumë po hyjnë shqiptarë, që kryesisht kanë kryer vetëm dy krime: ose janë të varfër, ose janë opozitarë. Dhe me ndihmën e SPAK është krijuar edhe një kategori e tretë: limonat e shtrydhur të Edi Ramës.
Dy ishin në thelb qëllimet e Ramaformës në drejtësi: imunitet absolut vetëm për korrupsionin dhe krimet e Edi Ramës dhe ndërtimi i një regjimi represiv dhe policor, ku mund të arrestohet, burgoset dhe ndëshkohet kushdo tjetër përveç tij.
Edhe deputetët dhe ministrat e Partisë Socialiste, janë jo vetëm përgjegjës, por së pari viktima dhe pengje të këtij sistemi represiv.
Unë nuk hy te ajo kategori që habitet se si ka mundësi që Edi Rama zgjodhi deputetë e ministra hajdutë e të inkriminuar si shumë prej jush.
Sepse të vetmen meritë që keni është se jeni lehtësisht të shantazhueshëm dhe rrjedhimisht të nënshtruar.
Nga Kryetari i Kuvendit dhe deri te deputeti socialist në fund të sallës pothuaje të gjithë keni dosje shantazhi në SPAK.
Ndaj detyroheni të votoni dhe të firmosni afera korruptive dhe të duartrokisni një Ramaformë, që ka shpërfytyruar drejtësinë si çdo axhendë e Sorosit, që nuk ndëshkon të korruptuarit, por vetëm i shërben kryeministrit për të goditur kë të dojë dhe kur të dojë.
Ramaforma u ndërtua në mënyrë që të gjithë të jenë të cenueshëm, përveç Edi Ramës. Ndaj ndodh që ministrat apo zv/Kryeministrja që po bëhet gati, shkojnë në burg, ndërkohë aferat kriminale si inceneratori i Tiranës dhe tigrat e Bangladeshit vazhdojnë.
Sepse qëllimi i vërtetë i vertëtë i Ramaformës nuk është drejtësia, por ruajtja e paprekshmërisë së korrupsionit dhe krimit të një njeriu të vetëm: Edi Rama.
Për këdo që ka iluzion, dua t’i kujtoj se nëse qëllimi i Ramaformës do të ishte mbrojtja e interest publik, SPAK do të kishte mbyllur hetimet për vjedhjen e fondeve të IPARD-it, sepse fermerët shqiptarët humbën për të dytin vit radhazi 112 milion euro jo vetëm për shkak se Qeveria u ka vjedhur ndihmat europiane por edhe sepse drejtësia i ka braktisur.
Instalimi i regjimit represiv, arbitrar e policor të Edi Ramës, është qëllimi i dytë apo “suksesi” i dytë i Ramaformës, e realizuar nëpërmjet SPAK.
Aktualisht numri i të paraburgosurve nga SPAK, që ndodhen pranë institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, përbën vetëm 9.7% të totalit, pra nga 2,791 të paraburgosur, vetëm 270 janë nën hetim nga SPAK.
Ndërkohë, numri i të dënuarve me burg pas hetimeve të SPAK përbën vetëm 9.5% të totalit — nga 1,722 të burgosur, vetëm 165 persona janë dënuar në bazë të procedimeve të kësaj strukture.
Nëse do të krahasojmë këtë përqindje me faktin që SPAK mbulon vetëm 1.39% të çështjeve penale në vend, del qartë përdorimi i kësaj strukture si mjet represioni politik nga Edi Rama.
Nëse Prokuroria e Përgjithshme do të ushtronte të njëjtin nivel arbitrariteti si SPAK, ose nëse vetë SPAK do të mbulonte 98.61% të çështjeve penale siç mbulon sot Prokuroria e Përgjithshme, atëherë sot në Shqipëri do të kishim:
👉 178,845 të paraburgosur
👉 110,457 të burgosur
Kaq mjafton për të kuptuar pse jemi shumë vende pas Vietnamit komunist.
Në funksion të qëllimit të Ramaformës për të goditur kundërshtarët politikë të korrupsionit, ne u shndërruam në pak vite në të vetmin vend anëtar të NATO-s me të burgosur politikë, duke krijuar edhe precedentin e parë të dënimit me burg të denoncuesit të krimit, siç ishte rasti i deputetit Ervin Salianji.
Hetimet dhe masat e arrestit ndaj dy liderëve kryesorë të opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta, ishin njëherazi edhe asgjësim përfundimtar i iluzionit se SPAK funksionon si institucion i pavarur. Përkundrazi, është arma më e verbër e Edi Ramës për asgjesimin e pluralizimit politik.
Prej më shumë se një viti ish-Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta (i cili kurrë nuk ka kundërshtuar hetimet ndaj tij por gjithmonë ka bashkëpunuar me drejtësinë) në shkelje flagrante të ligjit, të Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut u rrëmbye në mënyrë kriminale, pasi u dhunua dhe u tërhoq zvarrë, nga persona të armatosur dhe të paidentifikuar, pa ju komunikuar asnjë urdhër ndalimi, pa ju dhënë e drejta të kontaktonte avokatin apo familjarët dhe vijon të mbahet në mënyrë të paligjshme në kushtet e një izolimi ekstrem e antiligjor pa fakte dhe pa prova penale.
Persekutimi i tij politik nisi edhe për shkak se ai ishte një nga denoncuesit kryesorë të shkatërrimit dhe kapjes së Reformës në Drejtësi nga Edi Rama.
Z.Meta sot i është privuar e drejta që ia njeh ligji për t’u takuar me deputetë dhe eurodeputetë si dhe të komunikojë lirshëm me mediat dhe gazetarët.
Gjetet shumë të rënda të Avokatit të Popullit faktuan se çdo provë institucionale dhe dokument procedurial lidhur me rrëmbimin e tij është zhdukur.
Urdhri i “arrestit me burg” ishte mbështetur mbi një ligj të shfuqizuar 4 vite më parë, rrjedhimisht i paligjshëm.
Skandali vijoi me faktin se Gjykata urdhëroi SPAK, BKH e Policinë për ndalimin, por në shkelje të vendimit të gjykatës, ndalimi i tij i dhunshëm dhe antiligjor u krye vetëm nga Narkopolicia.
Standardet e rrëmbimit kriminal të Z.Meta vulosën edhe standardet e hetimit dhe të këtij procesi farsë.
Megjithatë e vetmja “meritë” e SPAK pas hetimit 34-vjeçar të aktivitetit politik të Z.Meta është se në fakt se edhe pse e ka burgosur politikisht i ka pastruar figurën më shumë se kushdo tjetër përmes rrëzimit të propagandës dhe të çdo akuzave politike ndaj tij.
Sepse nga ky hetim politik i thelluar rezultoi: Zero fakte penale! Zero prova penale! Zero akte dhe vendime të paligjshme! Zero lekë dëm buxhetit të shtetit! Zero lekë të përfituara në shkelje të ligjit! Zero pasuri të paligjshme!
Z. Meta, i cili 9 vite më parë luajti rol kyç në miratimin me konsensus të Reformës në Drejtësi, vijon të mbahet në burg politik edhe pse hetimet kanë përfunduar dhe çështja ka kaluar për gjykim, në tejkalim të çdo afati ligjor procedurial.
Kjo ndodh sepse vet drejtuesi i SPAK, Altin Dumani ka pohuar se gjykatat afërmendsh vendosin çfarë kërkon SPAK, çka provon jo vetëm shndërrimin e këtij institucioni nga akuzat në inkuizator, por edhe shkrirjen e hetimit me gjykimin që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës veç me Narkoshtetin e Edi Ramës.















