Tedi Blushi deklaroi:
Raporti i fundit i Prokurorisë së Përgjithshme nuk është thjesht një dokument me statistika, por një raport që ndërtohet mbi jetë njerëzish, dramash dhe tragjedi familjare dhe shoqërore.
Çdo numër në atë raport është një nënë që pret djalin e saj pas hekurave, një baba që nuk di pse është arrestuar, një i ri që ka humbur shpresën për drejtësi për shkak se është harruar në burg nga prokurori.
Sot, dy të tretat e qytetarëve që ndodhen në burgje janë të paraburgosur dhe një e treta e tyre pa akuzë.
U është privuar liria jo se kanë shkelur ligjin, por sepse Prokuroria e Përgjithshme po dëshmon zell të tepruar për të përmbushur vullnetin politik të Edi Ramës: burg, burg, burg, për të pambrojturit.
Për fatin e keq, kjo është drejtësi, një është instrument frike dhe ndëshkimi, që me ndihmën edhe të Prokurorisë së Përgjithshme po i shërben një regjimi armik të lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor të çdo shqiptari të thjeshtë.
Gjithmonë edhe më pak kemi sot prokurorë që hetojnë krimin dhe gjithmonë edhe më shumë prokurorë që duan dhe që po ndëshkojnë të pambrojturit.
Kjo është fytyra e një regjimi policor dhe arbitrar, ku Prokuroria është bërë palë me pushtetin dhe jo me ligjin.
Në këtë vend sot, për një cigare hashash dënohesh me pesë vite burg, ndërsa për një kamion me drogë, emërohesh deputet, siç kemi sot plot të tillë në këtë Kuvend.
Sot për një kotec pa leje, të fusin në burg, ndërsa për një pallat apo resort pa leje, të shpallin “investitor strategjik”
Për një faturë energjie të papaguar, të arrestojnë, ndërsa për vjedhjen e qindra miliona eurove taksa publike të popullit më të varfër dhe më të vjedhur të kontinentit, të japin amnistojnë, të ofrojnë poste dhe privilegje.
Dhe më e rënda nga të gjitha, sot në burgjet e Shqipërisë kanë humbur jetën njerëz, jo pse ishin kriminelë, por sepse nuk kishin para të paguanin energjinë elektrike.
Shqiptarët po vdesin në qeli nga varfëria dhe ky është një alarm për të gjithë.
Ky është fytyra më e errët e një drejtësie të vdekur në raport me ligjin, që nga akuzatore është kthyer në inkuizitore, që mbyll sytë para krimit dhe vetëm shtyp qytetarin e thjeshtë.
Në vend që të garantojë barazinë para ligjit, Prokuroria është bërë gardiane e padrejtësisë.
Në vend të hetojë krimin e lidhur me pushtetin, ndëshkon të pambrojturin.
Dhe ndërkohë që qytetarët e thjeshtë kalben në qeli, kriminaliteti është rritur me 30%. Krimi ecën lirshëm në zemër të qyteteve tona, sepse ai tashmë nuk fshihet, por është bërë pjesë e pushtetit.
Sot në shkollat e Shqipërisë më thjesht gjen armë dhe drogë se libra. Kush hetoi për këtë fakt? A hetoi Prokuroria kush i mbush çantat e fëmijëve me thika dhe hashash? Kush po i vret sot fëmijët e shqiptarëve të thjeshtë në oborret e shkollave?
Kur drejtësia kthehet në vegël politike ajo shndërrohet në armike të interesit publik.
Drejtësia nuk mund të zgjedhë sipas forcës, pasurisë, statusit shoqëror apo partisë, por vetëm në raport me ligjin.
Drejtësia dhe barazia para ligjit, ose është për të gjithë, ose më mirë kjo lloj “drejtësie” të shkrihet fare.
Faleminderit!















