Tedi Blushi deklaroi:
Presidenti i Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, prej 10 muajsh, ndodhet në burg JO për shkak të ligjit, por të politizimit ekstrem të SPAK-ut dhe shantazhit institucional që Prokuroria e Posaçme ushtron mbi gjykatat speciale, përmes përgjimit permanent të gjyqtarëve dhe familjarëve, duke cënuar në mënyrë flagrante pavarësinë e tyre në vendimmarrje.
Në këto muaj izolimi ekstrem politik, nuk është zbuluar dhe paraqitur asnjë provë reale ligjore që të vërtetojë ndonjë veprim të paligjshëm të Z. Meta.
Pretendimi që është rënduar pozita e Ilir Metës është mashtrim.
Pozita e tij është lehtësuar për shkak se nga dita e rrëmbimit terrorist ka rënë “de jure” akuza e lobimit, vet SPAK ka pranuar lojën me çështjen McKeon, ndërkohë që “de facto” edhe akuzat e tjera janë zhbërë.
Përkundrazi, është rënduar pozita e vet prokurorëve të SPAK-ut në raport me ligjin dhe njëanshmërinë e tyre politike.
Vlen të theksohet me vendosmëri, se i gjithë ky proces farsë, i urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, me hetime që kanë zgjatur mbi 6 vjet, të shtrira në 32 vite shërbim publik dhe politik të Ilir Metës, ka nxjerrë në dritë të vërtetat e vetme:
ZERO fakte penale!
ZERO prova penale!
ZERO akte dhe vendime të paligjshme!
ZERO lekë dëm buxhetit të shtetit!
ZERO lekë të përfituara në shkelje të ligjit!
ZERO pasuri të paligjshme të Ilir Metës!
ZERO dëshmitarë realë (se të fabrikuar ka plot dhe me mundësitë kriminale dhe korruptive të Edi Ramës mund të prodhohen pafund të tillë), që të provojnë se Z. Meta ka bërë një veprim të paligjshëm dhe t’i ketë shkaktuar 1 qindarkë dëm financave publike.
Ngaqë nuk ekziston asnjë provë e ngurtë, gjykata nën shantazhin institucional të SPAK-ut, ka shqetësimin e “provave të gjalla” që gjoja mund të intimidohen nga Ilir Meta, ç’ka është fund e krye një tjetër mashtrim.
Nëse SPAK i ka dëshmitarët e paqëndrueshëm, siç vet i etiketon, kjo tregon cilësinë e këtij procesi, sepse SPAK i ka sot të gjitha mundësitë për të mbrojtur dëshmitarët dhe për t’u garantuar pacënueshmërinë e tyre.
Dëshmitar i paqëndrueshëm do të thotë dëshmitar i pabesueshëm ose hiç-dëshmitar.
Alibia e “dëshmitarëve të paqëndrueshëm” kundër Ilir Metës nuk provon gjë tjetër veçse ata janë pengje të SPAK-ut dhe të Edi Ramës.
Ironia më e madhe është se vet Altin Dumani, që flet për intimidim, mund të akuzohet sipas këtij pretendimi si intimidues dëshmitarësh, meqë një prej tyre i paqëndrueshëm, hyri në zyrën e tij me teserën e Partisë së Lirisë dhe doli me teserën e PS-së, madje edhe kandidat për deputet i Edi Ramës.
Ilir Meta, pa pushtet ekzekutiv, pa asnjë instrument presioni dhe pa mandat deputeti nuk ka asnjë fuqi intimiduese ndaj kërkujt.
Ndërkohë që ai mbahet në izolim ekstrem gjoja nga meraku i Altin Dumanit për intimidimin e dëshmitarëve, Edi Rama me një mal me prova shkresore penale mbi kurriz dhe me të gjitha pushtetet ekzekutive në dorën e tij, lihet i lirë, për të vijuar edhe botërisht jo vetëm të vjedhë, si në rastin e inceneratorëve që nuk ekzistojnë, por edhe të intimidojë prokurorë dhe gjyqtarë deri duke i kërcënuar të “mos i afrohen celularit të tij” pa harruar faktin se vetëm pak ditë më parë “u zhduk” dhe u rikthye në jetë një dëshmitar, si dhe pohimin publik të ish-krahut të tij të djathtë Arben Ahmetaj, që deklaron se ai dhe familja e tij janë kërcënuar me jetë, që ai të mbyllë gojën.
Ndaj gjykata për rastin e Z. Meta duhet të argumentonte për çfarë dëshmitarësh bëhet fjalë.
Sepse nuk ka asnjë dëshmitar, që të jetë i PL, jo se jo, që e fajëson Ilir Metën apo që e bën përgjegjës në raport me ligjin.
Të gjitha janë manipulime për të zbatuar një porosi publike politike të Edi Ramës, që e donte Ilir Metën të izoluar në ekstrem para zgjedhjeve të 11 Majit, duke keqpërdorur SPAK-un si vegël për t’i mohuar të drejtën e ushtrimit të funksionit të lartë politik, si një prej dy liderëve kryesorë të opozitës.
Por presioni ndaj gjyqtarit nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga SPAK, afërmendsh që do prodhojë bërjen palë të tij me SPAK në këtë proces, duke riprodhuar po afërmendsh të njëjtën alibi për “provat e gjalla të paqëndrueshme”, që më pas kthehet në “argument” ligjor për të mbajtur Ilir Metën në paraburgim politik.
Gjykata duhet të garantojë një proces të rregullt ligjor midis palëve dhe SPAK është palë në këtë.
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut thekson në shumë vendime se: “Për një proces të rregullt ligjor, është thelbësore që gjykata jo vetëm të jetë e paanshme në realitet, por edhe të duket si e tillë”, pra qoftë edhe formalisht e paanashme.
Por as në dukje të paanshme gjykatat tona të posaçme nuk denjojnë të jenë.
I gjithë procesi karakterizohet nga manipulimi, selektiviteti, mungesë transparence, paligjshmëria dhe politizimi.
Në emër të Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare në vend prej 20 vitesh, Presidenti i së cilës është rrëmbyer dhunshëm dhe po dhunshëm vijon prej 10 muajsh të mbahet në izolim esktrem, kërkojmë me vendosmëri rikthimin sa më parë në shinat e ligjshmërisë dhe të Kushtetutës të këtij procesi që derimë tani ka ecur vetëm në trasenë e shtruar me urdhër politik të Edi Ramës.
Për fat të keq, absurdi është që edhe mua sot më kanë dënuar të mos takohem dhe as të komunikoj me Presidentin e Partisë së Lirisë. Sikundër janë dënuar deputetë të PL, deputetë, eurodeputetë, familjarë dhe avokati i Z. Meta.
Sepse edhe sjellja e paligjshme e institucionit të paraburgimit është vetëm në funksionin politik të urdhrit të Edi Ramës që Ilir Meta të mos e ushtrojë normalisht funksionin e tij si lider opozitar.
Megjithatë fill pas seancës paraprake, do të kemi një betejë publike, për të çmontuar këtë proces politik, që çdo ditë rëndon vetëm pozitën e prokurorëve të SPAK dhe të gjyqtarëve të shantazhueshëm në raport me ligjin.
Ilir Meta është pasqyra që nxjerr në dritë të diellit, para të gjithë shqiptarëve fytyrën e vërtetë të Edi Ramës, të kalbur nga korrupsioni, të zhytur deri në fyt në afera, dhe të kriminalizuar deri në palcë.
Beteja për lirinë e Ilir Metës është betejë për të drejtat dhe liritë themelore të çdo qytetari shqiptar. Është betejë për domosdoshmërinë ulëritëse të respektimit të ligjit dhe të Kushtetutës si dhe të një drejtësie të pavarur.
Përballë një drejtësie të politizuar dhe të kontrolluar nga pushteti, ne nuk po mbrojmë vetëm një lider politik, por parimin se askush nuk duhet të jetë viktimë e një sistemi drejtësie të komanduar politikisht nga kryeministri.
Kjo nuk është një betejë politike, por një luftë për demokraci, për shtetin e së drejtës dhe për Shqipërinë europiane që meritojmë.
Ilir Meta ka dalë i pafajshëm dhe ka triumfuar në të gjitha përballjet e tij me drejtësinë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, duke konfirmuar integritetin e tij të lartë publik e politik si dhe faktin është shembull i respektimit korrekt të ligjit dhe Kushtetutës, i udhëhequr gjithmonë nga vlerat e lirisë, demokracisë, shtetit ligjor, dinjitetit njerëzor, mbrojtjes së pakompromis të interesit publik dhe çështjet kombëtare.
Këto vendime janë dëshmi e qartë se e vërteta është dhe do të mbetet dhe në këtë rast në anën e Ilir Metës dhe se ai do triumfojë edhe në këtë përballje, tanimë joligjore, por politike, elektorale, kriminale dhe personale.
Tre “shtëpi bari” në Shkodër: Arrestohen dy individë dhe ndalohen katër punonjës të OSHEE për shpërdorim të detyrës.
Policia e Malësisë së Madhe ka zbuluar tri ambiente të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, në...
Read moreDetails















