Opinion nga Timoni.al
Një ditë pas intervistës së bujshme të gazetarit Blendi Fevziu me biznesmenin Samir Mane, rrjetet sociale po vlojnë nga reagime të ashpra. Në një kohë kur shqiptarët janë gjithnjë e më skeptikë ndaj “figurave të mëdha të pasurisë” si Samir Mane, intervista nuk u prit si një dokumentar për suksesin e rrallë të një sipërmarrësi shqiptar, por si një tentativë për të “shpëlarë” imazhin e një figure të rrethuar nga dyshime të thella për korrupsion dhe pastrim parash.
Samir Mane, një nga emrat më të fuqishëm në biznesin shqiptar prej më shumë se dy dekadash, së fundmi është listuar nga revista Forbes si një ndër më të pasurit në Ballkan. Për shumë kë, ky lajm do të duhej të ishte një arsye për krenari kombëtare. Por në Shqipëri, ku shtresa e pasanikëve është e lidhur ngushtë me politika të errëta, “pasuria nuk ngjall më admirim – por dyshim”.
Një intervistë që i shmanget pyetjeve të vështira!
Intervista e Fevziu nuk kishte asnjë nga tiparet që e bëjnë një gazetari të mirë: nuk kishte ballafaqim me akuzat publike ndaj Manes, as pyetje për origjinën e pasurisë, dhe as për lidhjet e tij me pushtetarë të fuqishëm ndër vite. Asnjë referencë për kompanitë e tij në parajsa fiskale, për tenderët e dyshimtë, për tokat e marra me çmime qesharake apo për rolin e tij në projekte gjigande, të cilat përfliten si mjet për pastrimin e kapitaleve të errëta.
“Në vend të kësaj, Fevziu zgjodhi të fokusojë bisedën në suksesin “vizionar” të Manes”, në rritjen e tij “organike” në biznes, duke e trajtuar më shumë si një kampion të Silicon Valley-t sesa si një figurë të përfolur për lidhje të thella me politikën dhe korrupsionin e tranzicionit shqiptar.
Komentet që u mbyllën nga Fevziu një sinjal frike!
Reagimi i menjëhershëm i publikut ishte i fortë: qindra komente të zemëruara nën postimin e intervistës në rrjetet sociale akuzuan gazetarin për servilizëm, përbashkëpunim me strukturat e biznesit të pistë dhe për mungesë të plotë profesionalizmi. Pas këtij presioni, Fevziu u detyrua të mbyllë komentet në postimet e tij, një veprim që vetëm sa e përforcoi perceptimin se “intervista ishte një produkt i planifikuar për qëllime imazhi – jo informimi”.
Në një klimë ku gjithnjë e më shumë qytetarë kanë humbur besimin te drejtësia, politika dhe mediat, një intervistë si kjo vetëm sa e thellon hendekun mes publikut dhe elitave.
Samir Mane: biznesmen apo “pastrues” i sistemit?
Ndaj Manes kanë qarkulluar për vite me radhë akuza të forta për “përfshirje në pastrim parash”, “mashtrime financiare”, dhe përdorim të bizneseve të tij si mjete për të “reinvestuar pasurinë e politikanëve shqiptarë”, veçanërisht gjatë periudhave elektorale. Edhe pse këto akuza nuk janë ndjekur penalisht në Shqipëri për shkak të sistemit të drejtësisë që shpesh është i kapur ato janë të pranishme në shumë raporte joformale dhe hetime gazetarie nga media ndërkombëtare dhe vendase.
Gjithashtu, emri i tij është përmendur në kontekste të dyshimta për përdorim të kompanive offshore, fitim të tenderëve pa konkurrencë, dhe përfshirje në projekte me vlera të mëdha publike që nuk kanë kaluar transparencën ligjore të duhur.
Duhet thënë se përfshirja në listat e Forbes sidomos në nën-kategori si “Businessman to Watch” apo “Most Influential in the Region” shpesh bëhet përmes “marrëdhënieve të pagesës apo lobimit”, e nuk ka domosdoshmërisht një kontroll të thelluar mbi moralin, burimin e pasurisë apo ligjshmërinë e aktivitetit të përfshirë.
Ndaj, për shumë shqiptarë, publikimi i emrit të Manes në Forbes “nuk u përjetua si lavdërim, por si sinjal alarmi”.
Intervistat që duan të pastrojnë imazhe, nuk pastrojnë dot të vërtetën!
Kur mediat bëhen pjesë e mekanizmave për të zbardhur figurat e errëta të sistemit, humbet funksioni i gazetarisë. Dhe kur një gazetar i rëndësishëm si Fevziu i jep platformë një personazhi si Samir Mane pa asnjë filtër kritik, “humbim të gjithë”: edhe gazetaria, edhe publiku, edhe e ardhmja.
Në fund të ditës, pyetja mbetet: A është pasuria e Samir Manes fryt i punës së ndershme, apo një produkt i kalbëzimit të politikës shqiptare dhe lidhjeve që nuk kanë asnjë lidhje me tregun e lirë?
Publiku e ka thënë fjalën e vet – dhe është një fjalë që nuk mund të fshihet me butonin “disable comments”.