KOSOVË- Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, thotë se Kosova nuk ka përfituar nga marrëveshjet e deritanishme të negociuara nga Brukseli.
DW: Kur flasim për Bashkimin Europian, politikën e jashtme rajonale dhe reformat që duhen çuar përpara, dua t’ju pyes për dialogun me Serbinë, i cili duket se ka ngecur. Përveç detyrave të tjera që keni, ju jeni edhe kryenegociator për palën kosovare në këtë dialog. Cilat janë propozimet tuaja për ta nxjerrë nga kriza dialogun Prishtinë-Beograd?
Bislimi: Në fakt nuk ka dialog ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit por ka dialog mes Kosovës dhe Serbisë, sepse nuk shkojnë përfaqësuesit e qyteteve por përfaqësuesit e qeverive të dy vendeve. Dialogu në Bruksel ka pasur dy objektiva kryesore: objektiva e parë është normalizimi i plotë i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe objektiva e dytë është mbështetja e palëve në zbatimin e marrëveshjeve paraprake. Ndërkohë kemi pasur ndërhyrje nga vendet mike me një marrëveshje të ndërmjetme e cila njihet si “Marrëveshja Bazike e Brukselit” apo “Marrëveshja e Ohrit” e cila përfshin edhe marrëveshjet e tjera paraprake.
DW: E keni fjalën për Asociacionin e komunave me shumicë serbe?
Bislimi: Jo, është fjala për një marrëveshje që përmban brenda 39 marrëveshje të tjera dhe jo marrëveshjen për Asociacionin. Kjo është narrativa e Serbisë e cila do ta reduktojë Marrëveshjen Bazike në një rikonfirmim të Asociacionit por kjo marrëveshje ka 11 nene dhe në asnjërin nen nuk përmend specifikisht Asociacioni por përmendet detyrimi i palëve për t’i zbatuar marrëveshjet paraprake. Ndërkaq është konstatim i përbashkët i Kosovës dhe i Bashkimit Europian që përkundër faktit se pjesa më e madhe e marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel kanë kërkuar veprime nga ana e Kosovës dhe jo nga e Serbisë, megjithatë lista e mospërmbushjes së detyrimeve nga ana e Serbisë është dyfish më e gjatë se ajo e Kosovës. Pra ka shumë marrëveshja që Serbia duhet t’i implementojë.
Si për shembull mbyllja e strukturave paralele, ose mosbllokimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare, çështja e Kadastrës, menaxhimi i integruar i kufirit, energjia edhe shumë e shumë marrëveshje të tjera të cilat kanë ngecur sepse Serbia nuk i ka respektuar ato marrëveshje. Dhe për të gjitha këto duhet punuar brenda marrëveshjes bazike ku njëra prej tyre është marrëveshja e 2013-ës dhe ajo e Principeve e vitit 2015 por nuk është pjesa kryesore e marrëveshjes.
DW: Por gjithsesi duke pasur parasysh sa dëm i ka bërë kjo marrëveshje imazhit të Kosovës, a nuk mendoni se nevojitet njëfarë zgjidhjeje, kompromisi. Kryeministri vetë ka treguar fleksibilitet për këtë çështje por ju jeni treguar më i rezervuar për të bërë kompromis në këtë drejtim. Përse?
Bislimi: Pjesa më e madhe e konfuzionit që është krijuar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe rrjedh nga mosnjohja e detajeve. Ka shumë pak njohuri rreth asaj që përmban kjo marrëveshje. Këtu lindin pastaj dhe ndikimet në imazhin e Kosovës. Për dijeninë tuaj, në marrëveshjen e vitit 2013 ishte rënë dakord që Kosova do të themelojë një grup pune i cili kishte për detyrë që të prezantojë një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Në këtë ekip është dashur që të jenë 4 anëtarë, të gjithë anëtarë të komunitetit serb të cilët në bashkëpunim të ngushtë me ministrinë e Pushtetit Lokal të prezantojnë në Bruksel gjetjet e tyre për draft-statutin e Asociacionit. Kjo ka ndodhur në vitin 2013 dhe për dijeninë tuaj ky ekip i cili është kontrolluar tërësisht nga Beogradi nuk ka propozuar kurrë një draft-statut deri në vitin 2024. Domethënë si mund të fajësohet Kosova për një proces i cili ka ngecur në një moment, komplet përgjegjësi për përgatitjen e dokumentit që duhet të hynte në fazën tjetër, i cili është anulluar nga anëtarët e komunitetit serb.
DW: Po atëherë çfarë ofroni ju, meqë ky ngërç duhet tejkaluar?
Bislimi: Kosova nuk ka pasur kurrë marrëveshje për Asociacionin me Serbinë. Ka pasur një marrëveshje për normalizimin e raporteve, e cila ka qenë një lloj marrëveshjeje transaksionale: Serbia ka kërkuar diçka, Kosova ka kërkuar diçka. Në këtë marrëveshje Serbia ka kërkuar: Asociacionin. Ka kërkuar një garanci të qeverisë së Kosovës që ushtria nuk do të shkojë në kufi në veri pa dakordim me KFOR.
Dhe ka kërkuar nga Bashkimi Europian hapjen e negociatave për anëtarësim. Tri janë kërkesat substanciale të Kosovës në kuadër të kësaj marrëveshjeje. Letra e kryeministrit Thaçi drejtuar shefit të NATO-s atëherë ku konfirmon gatishmërinë të mos dërgojë ushtrinë në zonat veriore pa dakordim të KFOR-it është dërguar para nënshkrimit të marrëveshjes. Pra një pjesë të kërkesave Serbia e ka realizuar edhe pa e nënshkruar marrëveshjen.
Pak javë pas nënshkrimit të marrëveshjes BE-ja ia ka hapur negociatat. Le të themi që Serbia që në pesë javët e para ka marrë 2/3 e produktit të cilin e ka porositur brenda kësaj marrëveshjeje. Kosova ka pasur vetëm dy kërkesa: kërkesa e parë ka qenë që të mos bllokohet në proceset e integrimit europian dhe e dyta që Serbia t’i mbyllë strukturat paralele.
A e ka marrë Kosova ndonjë pjesë të produktit të porositur? Serbia ka vazhduar me bllokadat dhe fushatat për çnjohjen e Kosovës madje dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës dhe jo vetëm që i ka mbyllur strukturat paralele por ka hapur edhe të reja. Ajo që unë nuk kuptoj është se si Bashkimi Europian nuk i ka bërë kurrë presion Serbisë që ajo të dorëzojë të paktën 1/10 e produktit për të cilin është dakorduar në marrëveshjen e Brukselit por insiston që Serbia ta marrë hisen e tretë të produktit të porositur ndërsa Kosova mos të marrë asgjë në këmbim.
DW: Çfarë hapash do të ndërmerrni ju në mënyrë që Bashkimi Europian ta kuptojë më mirë pozitën tuaj?
Bislimi: Nuk ka asnjë lloj dyshimi nëse BE-ja ka qenë apo jo e anshme në këtë proces. Këtë nuk e kundërshton askush. BE-ja ka qenë e anshme në këtë proces dhe ka pasur preference të qarta për akomodimin e kërkesave të Serbisë për arsye se kanë besuar që arritja e një marrëveshjeje për normalizim është nëse plotëson kërkesat e palës më të fortë në dialog. Serbia është konsideruar si subjekti më i fortë në dialog sepse ka marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ka statusin e kandidatit dhe rrjedhimisht është në një pozitë më të privilegjuar në proces dhe tavolina nuk ka qenë e barabartë. Për ta barazuar tavolinën, duhet që të kompensohet Serbia dhe i gjithë presioni ka qenë në anën e Kosovës. Ne kemi shpresuar jashtëzakonisht që me ndryshimet e reja në pozitat kyçe të Bashkimit Europian do të ndryshojë kjo narrativë dhe do të vendosemi në nivel të barabartë.
Ne nuk hezitojmë asnjëherë ta informojmë Bashkimin Europian për atë çka jemi dakorduar dhe si zbatohet kjo marrëveshje. Nuk hezitojmë të tregojmë se çfarë kemi bërë ne për integrimin e minoriteteve, përfshirë edhe integrimin e minoritetit serb dhe nuk hezitojmë t’i tregojmë BE-së që nuk ka asnjë minoritet në BE që ka instrumentet më të fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve se sa Kosova.
Por për të treguar se sa efikase janë këto masa, na është dashur të tregojmë edhe kundërvlerat: se cilat janë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku javën e kaluar pamë se nuk është punësuar asnjë polic shqiptar. Brukseli ende merret nëse është plotësuar kuota e policëve serbë brenda strukturave të policisë së Kosovës por nuk është brengosur ende se si asnjë polic shqiptar nuk është punësuar në Luginën e Preshevës, ku mbi 90% e popullatës është shqiptare. Ne mendojmë që qytetarët kanë të drejtën të gëzojnë të njëjtat privilegje, pa marrë parasysh etninë e tyre dhe pa marrë parasysh brenda cilit territor ndodhen.
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, mori pjesë në panelin “Më shumë Europë, për një Europë më të fortë?” që u zhvillua në Aachen të Gjermanisë./DW