Në Asamblenë e Unionit të Partive të Qendrës së Djathtë (CDI) në Sao Paulo, Brazil, u miratua një rezolutë e rëndësishme për situatën politike në Shqipëri dhe Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u zgjodh Zëvendëspresident i këtij organizmi.
Rezoluta nënvizon regresin e thellë demokratik në Shqipëri, përqendrimin ekstrem të pushtetit dhe shkrirjen e konceptit të parti-shtet, duke e bërë të qartë depërtimin e krimit të organizuar në institucionet publike. Sipas vlerësimeve të OSBE/ODIHR, zgjedhjet e 11 majit u karakterizuan nga keqpërdorimi i burimeve publike, blerja e votave, intimidimi dhe drejtësia selektive, duke cënuar garat e lira dhe të ndershme.
CDI paralajmëron për rrezikun e kapjes së shtetit dhe kontrollit mbi institucionet e drejtësisë, dhe si pasojë, Shqipëria po afrohet me një model narko-autoritar. Kjo situatë paraqet rrezik për sigurinë rajonale dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Rezoluta u bën thirrje Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara që procesi i integrimit të Shqipërisë të lidhet me progresin në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe integritetin zgjedhor. Ajo kërkon gjithashtu vendosjen e sanksioneve të targetuara ndaj individëve të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion. Një tjetër kërkesë është mbështetja për krijimin e një qeverie teknike, e cila do të garantojë zgjedhje të besueshme.
CDI shpreh solidaritet me qytetarët shqiptarë dhe forcat demokratike që punojnë për rikthimin e pluralizmit, llogaridhënies dhe vlerave evropiane. Kjo rezolutë vjen si një sinjal i rëndësishëm për angazhimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe përpjekjeve për të forcuar demokracinë në vend.















