Berisha deklaroi:
Pra, kartelet e drogës, i kanë dyert e hapura anekënd në Shqipëri.
Por, për qytetarët shqiptarë dhe për të gjithë ata të cilët duke refuzuar mbështesin narkoshtetin shqiptar, duke e mohuar ekzistencën, mbështesin narkoshtetin shqiptar, po lexoj përkufizimin se narkoshtet është termi politik dhe ekonomik që përdoret për vendet, në të cilat të gjitha institucionet legjitime janë infiltruar nga fuqia dhe pasuria e tregtisë ilegale të drogës, dhe përfaqësuesit e kësaj tregtie.
A ka penetrim më të thellë në shtetin shqiptar se sa përfaqësuesit të Sinaloas në zyrën e kreut të ekzekutivit?
A nuk është kjo shkalla më ekstreme e penetrimit të tyre?
A nuk është avokatia që i bën kryeministri në intervistat e tij, Ramasduro, përfaqësuesve të organizatës narko-terroriste Sinaloa, duke i quajtur një familje të ndershme, etj, etj?
Duke mohuar çdo implikim të tyre, duke bërë avokatin e tyre.
Pra, nuk po hyj të ndalem në institucione të tjera, ku kreun e grupit parlamentar të PS e udhëheq përfaqësuesi i Sinaloas së Elbasanit. I kartelit të Elbasanit.
Ku ministrat i ka emëruar karteli i Troplinëve i Durrësit.
Ku 28 deputetë në parlament kanë ardhur direkt të mbështetur nga kartelet.
Ku gjykatës dhe prokurorë kanë me qindra kilometra biseda dhe mesazhe me eksponentë të krimit të organizuar.
Ku vetë Proda pranohet nga të gjitha se është emëruar drejtor i përgjithshëm i policisë nga Suel Çela.
Meqenëse jemi në definicionin e narkoshtetit, të më thotë kush… më thanë një ditë gazetarët këtu, më përmendën Avokatin e Popullit, në qoftë se kreu i institucionit nuk ka lidhje, jo dorën, po as dorën në zjarr nuk mund ta vësh për atë institucion ti. Nuk ka vend që ata të mos kenë përfaqësuesit e tyre.
Kushti pra i penetrimit të përfaqësuesve apo të parave të karteleve në administratë.
Po kushti i dytë më dramatik është ai i ekonomisë.
Ekonomia shqiptare sot është ekonomi që dominohet me sektor kryesor sektorin ku investon droga.
Kjo ekonomi, apo në Shqipëri, për shkak të narkoeurove dhe narkodollarëve, pra dollarëve dhe eurove të klaneve kriminale të drogës, që futen në Shqipëri nga toka, deti dhe ajri në sasira të pallogaritshme, është zhvlerësuar në mënyrë substanciale euro dhe dollari në kursin e përgjithshëm. Është zhvlerësuar me 30-35 përqind.
Ky zhvlerësim i ka dhënë një goditje fatale sektorit të eksporteve të vendit, i cili pëson rënie dyshifrore nga viti në viti, çka do të thotë mbyllje e mijëra ndërmarrjeve të eksporteve dhe shpunësim masiv i shqiptarëve.
U kujtoj se për të justifikuar këtë dramë të madhe të mijëra qytetarëve shqiptarë, Edi Rama e quante industrinë fason si një industri të botës së tretë që nuk ka pse ekziston në Shqipëri.
Narkoeuro dhe narkodollarët kanë shkaktuar rënien në recesion të prodhimit industrial për shkak të goditjes së madhe të eksporteve, rënien e madhe të prodhimit bujqësore.
Ekonomia shqiptare ka sot dy shtylla kryesore. Ndërtimin më kryesor, i cili është rezultat i investimit të miliardave fonde të drogës nga kartelet e drogës.
Shqipëria, si narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, sipas Eurostat, ka treguesin e ndërtimit 3 herë më të lartë se në Europë, jashtë të gjitha nevojave për ndërtime në këtë vend, që ka humbur 700-800 mijë banorë, në mos 1 milion gjatë 10 viteve të fundit në emigracion.
Pra, goditje të madhe ka marrë turizmi për shkak të zhvlerësimit të euros dhe dollarit dhe për shkak të largimit masiv të shqiptarëve nga Shqipëria.
Ata të mohojnë ekzistencën e narkoshtetit, që po i trajton shqiptarët më keq se çdo pushtim në historinë e tyre, që po varfëron shqiptarët më shumë se çdo regjim tjetër, që ka shndërruar Shqipërinë në eksportues kryesor të krimit të organizuar, drogës dhe trafiqeve kriminale, ata de facto mbështesin narkoshtetin në Shqipëri.
Në të gjithë parametrat, absolutisht në çdo parametër, Shqipëria plotëson çdo tregues për narkoshtetin përveç mbrojtjes që i bëjnë zyrtarë të korruptuar propagandës bajate të qeverisë, e cila synon të vazhdojë t’i garantojë narkoshtetit barbarinë mbi shqiptarët.















